Fundamenti

Një vepër me vlerësime letrare…

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Nexhat Rexha nuk është i panjohur për lexuesit tanë. Ai gjer më tani ka botuar disa vepra poetike e vepra të tjera arti. Është njëri nga krijuesit dhe studiuesit e zellshëm të jetës letrare. Nuk kalon ndonjë orë letrare, manifestim të kësaj natyre që nuk merr pjesë ky autor, i cili prezanton ose si referues ose si përcjellës i manifestimit.

Andaj, ditë më parë, ky autor botoi veprën me radhë me titull: “Vlerësime letrare”. Është një vepër që ngërthen në vete një materie mjaft interesante nga fusha studimore e letërsisë. Veprës në fjalë i prinë shkrimi me titull: “Fryma e revistës “Pionieri” dhe roli i saj ndikues në letërsi”. Siç dihet, pak autorë kanë bërë fjalë për revistën për fëmijë “Pionieri”, e cila revistë ishte një abetare e shkollarëve dhe lexuesve të tjerë. Kjo revistë letrare për fëmijë luajti rol të rëndësishëm në Kosovën e më gjerë, e cila u hapi rrugë krijuesve të të gjitha moshave.

Këtu, në revistën“Pionieri”, që doli nga viti 1946, bashkëpunuan me qindra e emra të krijuesve tanë, duke filluar nga doajeni i poezisë, Esad Mekuli, Mehmet Gjevori, Tahjar Hatipi, mandej më vonë bashkëpunoi Rexhep Hoxha, Mark Krasniqi, Anton Çetta, Mehmeali Hoxha, Lutfi Rusi, Hajro Ulqinaku, Maksut Shehu Rifat Kukaj, Ali Hugulica, Fejzi Bojku, Rrahman Dedaj, Vehbi Kikaj, Gani Xhafolli, Ymer Shkrelli, Hasan Hasani, Ymer Elshani, Zejnullah Halili, Ibrahim Kadriu, Zymber Elshani, Naim Morina, Liri Loshi, Alush Canaj, Abdylaziz Islami, Nuhi Vinca, Anton Berisha e shumë e shumë të tjerë. Është një shënim mjaft i gjatë dhe i trajtuar në mënyrën më të mirë shkencore, ku në fund të këti punimi, autori ka përdorur literaturën përkatëse.

Por, në kaptinën tjetër, Nexha Rexha i trajton disa nga autorët e kësaj fushe, duke filluar me trajtesën studimore “Aspektet arsimore në veprën “Përrallat e gjyshit” të Mark Krasniqit” Një vështrim përmbajtësor dhe domethënës. Mandej, pason studimi tjetër i autorit me titull: “Veçoritë artistike dhe vlerat edukative të poezisë për fëmijë të Ali Huglicës”. Shënimi i parë, që flet për veprën “Përrallat…” e M. Krasniqit dhe, shënimi i dytë që flet për veprën e Ali Huruglicë), janë studime mjaft të gjera e përmbajtësore që flasin e trajtojnë aspekte të njohjes së veprave të autorëve në fjalë.

Dihet, Mark Krasniqi ishte njëri nga krijuesit e hershëm tek ne, në Kosovë, i cili pas vetës la një numër të shumtë të veprave letrare e shkencore. Po ashtu, edhe Ali Huruglica ishte ndër poetët më të mirë të letërsisë për fëmijë, i cili la pas vetës disa vepra kapitale të kësaj fushe të dijes. Pos këtyre dy studimeve të rëndësishme, Nexha Rexha, “ndërron” gjendjen dhe në vepër ka futur disa shkrime (vështrime) letrare për disa nga autorët tanë. Kësaj here, këtë kënd apo kaptinë e quan “Kundrime”, në të cilin ka inkuadruar shkrimtarët, si Fejzi Bojkun, Avdush Canajn, Izet Abdylin, Rrahim Sadikun dhe Bilall Maliqin, poet nga Presheva.

ARKATANA

Tek këta autorë, të cilët janë prezantuar në këtë libër me vështrime letrare, sikur “tekniku” i veprës ka bërë një thyrje fort të gabuar, ku këta autorë i ka prezantuar nga dy herë në tekstin në fjalë. Këtu është moskujdesi i përbërjes së veprës në fjalë, e cila, si e tillë është një shëmti e artit dhe një lodhje e lexuesit. Dy herë përsëritet Izet Abdyli, po ashtu, dy herë përsëriten Rrahim Sadiku, Billal Maliqi e nga pak edhe shënimi për veprën e A. Vanajt. Pra, kur lexuesi e lexon veprën në fjalë, ai ndjehet keq, për faktin se, tekniku apo radhitësi i shkrimeve të autorit nuk ka pasur kujdesin e duhur gjatë bërjes së veprës komplet. Vepra si e tillë qalon dhe lexuesi zhgënjehet, për të mos thënë se e humb durimin nga ato trajtesa apo vështrime të rrjedhshme të autorit nga Dardana, Nexhat Rexha. Përkundrazi, kur vepra nuk “qalon”, vepra e ka rrjedhën e mirë. Lexuesi ndjehet “komod” dhe e ka durimin dhe veprën e lexon gjer në fund.

Kësaj here, kjo vepër është nisur, por me pak “defekte” si janë shfaqur, të cilës vepër ia zbresin vlerën dhe përmbajtjen e saj. Bie fjala, kur autori bën fjalë për veprën e Bilall Maliqit “Lutje të lagura”, autori i vështrimeve harron dhe ia fillon me poezinë e Avdush Canaj, poet nga Gjilani dhe shton se, “…poezia e Avdushit është origjinale, ajo nuk ka diktate, ajo specifikon vlerën estetike brenda saj”(f.81). Në këtë rast vije në shprehje fjala e populli thotë: “Nusja e mirë, por syrin qorr!”.

Përkundër kësaj, tri vështrimet e para që flasin për rolin e revistës “Pionieri” e vitit 1946, mandej shkrimet për veprën e Mark Krasniqit dhe Ali Huruglicës, janë shënime që reflektojnë bukur dhe kanë shije mjaft të lart studimore. Edhe kundrimet tjera, që pasojnë nuk janë pa vlerësime të nivelit studimor, por ato, duke ua dhënë vendin jo mirë në radhitje, tekstet e autorit në fjalë janë ngatërruar dhe janë futur të pështjelluar në masë të padëshiruar. Mandej, në fund të veprës ngatërrohet vepra e B. Maliqit me fjalët e urta të Sami Frashërit.

Kjo vërehet në fq. 113 ku autori flet për fjalët e urta të S. Frashërit, për të cilin mungon titulli i studimit. Në fund të përmbajtjes e shton “Fjalët e urta nga Sami Frashëri”, që në fakt është dashur që ky studim të jetë pas poezisë së B. Maliqit. Kjo punë “përzihet” dhe përfundon me këto defekte jo të mira nga (autori) ose nga përgjegjësi teknik i veprës në fjalë. Prandaj, këto “defekte” teknike, nganjëherë, dalin edhe pa qëllim si bie fjala në fillim të veprës del fjalia “Ryma e traditës”, në vend të shkruhet “Fryma e traditës”fq.5) etj. Vepra ka 126 faqe tekst./tefik selimi/rajonipress/