Gjilani dimëron në pozitën e katërt pasi mposht Ferizaj
Futbollistët e Gjilanit kanë përmbyllur edicionin vjeshtor në ballafaqim me Ferizaj, e vlefshme në Ipko Superligën e Kosovës, duke arkëtuar tri pikë të vlefshme pasiqë kanë mposhtur Ferizaj me rezultat minimal 1-0.
Futbollistët e Gjilanit rast të mirë kishin në minutën e 6, kur Ansi Nika godet pingulen e portierit mysafirë Armend Blakqorit, nga një pozitë prej 7 metra.
Në një lojë tejet të plogësht nga dy skuadrat mysafirët shumë lehtë kanë mundur të kalojnë në epërsi në minutën 42, kur Florim Bërbatovci i vetmuar pranë portierit Kaqiut gjuan jashtë pingules së Gjilanasve.
Një minutë më vonë Pepa i Gjilanit i pa penguar nga 12 metra gjuan mbi portën e Blakqorit.
Edhe pjesa e dytë ishte e plogësht pa aksione të koordinuara mirë, mirëpo në minutën e 60 Vilfor Hysa pengohet në zonë të rreptësisë së mysafireve, dhe arbitri i kësaj ndeshje Dardan Caka nga Vushtria tregon pikën e bardhë.
Nga pika e bardhë i pagabuar ishte Ansi Nika i cili shënon dhe siguron tri pikë tejet të vlefshme skuadrës së tij.
Skuadra e Gjilanit nga 17 ndeshjet e zhvilluara në stinorin vjeshtor ka arritur të tubon 27 pikë duke u pozicionuar në pozitën e 4.
Pas ndeshjes trajneri i “bardh e kuqëve” të Gjilanit, Sedat Pajaziti ka deklaruar.
“Jam i kënaqur deri dikund me lojën e shfaqur të futbollistëve të mijë, por në këto momente janë të rëndësishme tri pikë tejet të mëdha, në pranverë skuadra e Gjilanit do të jetë më e fortë dhe në këto momente pozita e katër në tabelë na jep më shumë siguri”./rajonipress/


