Olti Haziri, përforcimi i madh i SC Gjilanit – një prej nesh, në klubin e qytetit të tij
Gjilan – SC Gjilani ka bërë një përforcim të rëndësishëm me angazhimin e Olti Hazirit, futbollistit që tashmë i bashkohet klubit të qytetit të tij – klubit ku ka lindur dashuria e tij për futbollin dhe me ngjyrat e të cilit është rritur. Për Oltin, kjo nuk është vetëm një skuadër e re. Është shtëpia e tij sportive, qyteti i tij dhe fanella me të cilën është rritur, duke njohur nga afër vlerat, traditën dhe pasionin që përfaqëson SC Gjilani.
Tash, ai ka mundësinë që atë dashuri ta kthejë në lojë, përkushtim dhe rezultate, duke e mbrojtur fanellën e klubit të vendlindjes së tij para tifozëve kuq e bardhë.
E për Skifterat dhe gjithë tifozët e Gjilanit, ardhja e Oltit duhet të jetë edhe një arsye më shumë për ta bërë stadiumin shtëpi të vërtetë të skuadrës. Sepse kur një djalë i qytetit vesh fanellën e klubit të vendlindjes, tribuna duhet të jetë pas tij, zëri duhet të dëgjohet dhe mbështetja duhet të jetë e pakushtëzuar. Olti nuk vjen vetëm për të luajtur për SC Gjilanin.
Ai vjen për të luftuar për ngjyrat me të cilat është rritur, për qytetin e tij dhe për një tifozeri që e ndien këtë klub si pjesë të vetes. Mirë se erdhe në vendin tand, Olti!
Këtu ku ke lindë e je rritë. Këtu ku ngjyrat kuq e bardhë nuk janë vetëm fanellë, por identitet, krenari dhe dashni për qytetin. Tash është koha që bashkë – skuadër, tifozë dhe qytet – ta shkruajmë një kapitull të ri.
Ti në fushë. Ne në tribuna. Një Gjilan. Një zemër.
Një fanellë.
Suksese, Olti Haziri!


