Baladë për pishtarin (dr.Xhavit Ahmetit)
Nga Sabit Rrustemi
Udhët e botës i përmblodhi nën hapa, për një vit drite
për një liri të plotë Kosove.
A trazohej rrapëllimash
prej kuaj stepesh
që atdheun i a gërryenin
– e s’ndalej
Përmes formulash
liria s’arrihej
viti i dritës
tej bjeshkëve të namura mbetej
Thellë bebëzash
lulet i këputeshin
gjethet i binin
prej brymëvjeshtës
pikëllimit që shponte parreshtur
Po njeri i madh ishte
me furtuna ndeshej
log betejash bëhej me reaksionet
me gjumërat që sysh i vareshin
tek dëbonte mjegullën
që thinjte një popull
Sa këpucët
prej djersësh e ecjesh
i u ropën
nëpër lëkura
duke pirë dhimbshëm jetën
që e la papritur
e s’duroi mëkate
as mëkatnoi
Prapë ecën
vetëm i fshehur
diku mes nesh
nën ndonjë pjesëz kujtimi
a epruvetë
Rend pas një prove të pambaruar
mureve qelqore të lëndës jetë
me detyrë të rëndë
për ta përmbyllur me një buzëqeshje
udhën drejt dheut
Nuk i mbyll sytë
as faqen mbulon
duke pritur
lëvizjen e popullit drejt lirisë
( 21 nëntor 1998 )
Sabit Rrustemi, Marrë nga libri “Ëndrra që puthet”, 2001


