Eko Higjiena

Sveçla shpallet fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend më 21 mars 2018. Saktësisht, Sveçla u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës ose mjetit të rrezikshëm”.

Vendimi është marrë të mërkurën nga gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me rastin e shpalljes fajtor të të akuzuarit për veprën penale “Përdorimi i armës ose mjetit të rrezikshëm, Gjykata rikualifikoi veprën nga paragrafi 2, në paragrafin 1.

Ndërsa, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale, Gjykata mori aktgjykim refuzues.

Për veprën penale për të cilën u shpall fajtor ministri në detyrë, gjykatësi Sadikaj tha se vendimi mbi dënimin do të shpallet pas mbajtjes së seancës ku palët do të paraqesin rrethanat lehtësuese dhe rënduese, seancë e cila do të bëhet më 8 shtator 2026.

I akuzuari Sveçla mungoi në seancë, ndërkaq i pranishëm ishte avokati i tij, Laur Prenaj.

Në seancën e 28 gushtit 2026, prokurori Avni Namani ka njoftuar se Prokuroria ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës ndaj Sveçlës.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, Xhelal Sveçla më 21 mars 2018, nga ora 12:10 deri në orën 15:40, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme plenare, ngarkohej se ka përdorur bombolën e gazit lotsjellës me përmbajtje të agjentit kimik CS. Sipas Prokurorisë, Sveçla në disa raste e ka aktivizuar bombolën dhe e ka hedhur brenda sallës së Kuvendit, pa paralajmërim paraprak dhe pa u dhënë personave të pranishëm mundësinë për t’u larguar.

Si pasojë, sipas aktakuzës, gazi irritues është përhapur në hapësirat e mbyllura të sallës, duke bërë që personat e pranishëm, nga frika për shëndetin dhe sigurinë e tyre, të detyroheshin ta lëshonin sallën dhe seanca të ndërpritej.

Prokurori Namani ka bërë të ditur se Sveçla akuzohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 2 i Kodit Penal të vitit 2012. Ndërkohë, Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit të kësaj vepre. Pjesa tjetër e aktakuzës ka mbetur e pandryshuar.

Eco Higjiena

Bashkë me Sveçlën po akuzohen edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku. Por, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mungoi në seancën e 16 janarit 2026, duke njoftuar me e-mail se gjendet jashtë vendit, andaj Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj tij.

Në seancën e 10 prillit 2026, Sveçla u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.

Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

“Betimi për Drejtësi”, në tetor të vitit 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës ose mjetit të rrezikshëm” nga Neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga Neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.