Mobi Casa

Garë e egër, synohet pushteti për përfitime korruptive

/ 8 minuta lexim
HW

Fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit po hyn në javën e fundit, por ashpërsia e fushatës është duke u rritur së bashku me agjendat e partive politike me bazën elektorale. Shikuar nga këndvështrimi i analistëve politikë, një turr kaq i madh në egërsinë e kësaj fushate zgjedhore për pushtet edhe në këtë garë për komuna ka për qëllim prapaskenën e kalkulimit korruptiv e material, kur dihet se të ardhurat e një zyrtari të lartë në komune janë të vogla, më e larta deri 1 mijë euro paga e kryetarit.

Në fakt, sipas njohësve të kësaj fushe, arsyeja pse po synohet pushteti me kaq këmbëngulje edhe në komuna është sepse pushteti i inkriminuar është ai që u sjell atyre mjaft të ardhura kriminale, sidomos nga kanalet e krimit të organizuar e korrupsionit, duke filluar me leje ndërtimi, me tenderomani, me vazhdim të dhënies tokave mafio-oligarkëve të inkriminuar, me vazhdimin e punësimeve të militantëve e familjarëve dhe plot mundësi të tjera që në plot raste as nuk e shohin dhe as nuk e përfillin ligjin.

Politologu Arsim Haziri konstaton se fakti pse gara elektorale bëhet e fuqishme tashmë është mjaft e ditur dhe qartë e argumentuar dhe synimi është vetëm i interesit profitabil kriminal tek shumica e kandidatëve që garojnë në këto zgjedhje, veçmas të atyre partive tradicionale në qeverisjen e deritanishme të inkriminuar e të dështuar për gati dy dekada. “Pushteti aktualisht shihet si mjet bazik në përmbushjen e ambicieve të sëmura, prandaj shihet si objektiv thelbësor në zgjedhje të ndryshme. Dhe duke qenë në pushtet arrijnë të bëhen në çdo aspekt të paprekshëm, kjo është pra arsyeja pse jepen aq shumë pas pushtetit politik. Duke qenë të fuqishëm politikisht, ata bëhen të konsoliduar edhe ekonomikisht”, është shprehur Haziri për “Kosova Sot”.

Politika e Kosovës, sipas tij, me disa përjashtime, është politikë që i shërben interesit grupor e jo qytetarit, jo mirëqenies së përgjithshme politike, por skajshmërisht u përgjigjet klaneve politike, të cilat menaxhojnë buxhetin publik. “Pra, me një fjalë hajnia është shndërruar në kulturë tejet të zakonshme dhe në çdo institucion çorientimi i buxhetit publik është detyrë e udhëheqësve”, theksoi Haziri.

Kadrijaj: 10-përqindëshi për marrjen e tenderëve është shndërruar në modë

Sipas njohësit të kësaj fushe, analistit Mustafë Kadrijaj, ky fakt edhe ka ndikuar shumë në devalvimin e fushatës zgjedhore. “Parimisht aq janë devalvuar fushata dhe gara, si për Kuvend, për kryetar komune dhe asamble, saqë nuk ka logjikë të shëndoshë që e pranon këtë sfidë, sepse pjesa dërmuese nuk i ka as kriteret më elementare, si në aspektin profesional dhe moral. Së pari kandidatët për kryetar më shumë krijojnë elektorat përmes favoreve dhe joshjeve më të mira materiale, në bazë të personit ose grupeve që ndikojnë, që ua kompensojnë me të holla të ngjashme, por më e keqja është që edhe qytetari ka rënë pre e kësaj praktike aspak ligjore dhe të pamoralshme. Po qe se ka ndonjë kandidat serioz, si për kryetar komune apo edhe kandidatët për Asamble Komunale, nuk mund të marrin mbështetjen e qytetarëve në këtë farë situate po qe se nuk japin të holla dhe nuk sigurojnë paraprakisht favore të tjera të ngjashme”, është shprehur Kadrijaj. Sipas tij, kjo për dikë mund të duket paksa hipotetike, por për fat jo të mirë është realitet që po ndodh në këto ditë fushate në Kosovë. “Është për të ardhur keq që niveli i votuesve është në këtë gjendje të palakmueshme, sepse në momentin që e shet votën njëherësh edhe kandidati i ardhshëm për kryetar komune nuk ka përgjegjësi që të jetë përkrah interesave të qytetarëve dhe komunitetit, por do t’ua kthente borxhin sponzoruesve të fushatës, në këtë rast i bie bizneseve të afërta me pushtetin”, theksoi Kadrijaj për “Kosova Sot”. Ai po ashtu ka theksuar se në bazë të asaj që shihet në teren kemi tri kategori të kandidatëve si për kryetar edhe për Asamble komunale, të cilët kanë mënyra të ndryshme të strategjive për të përfituar në këtë garë zgjedhore. “Pra, kemi kandidat që tenton me çdo kusht me mbajt pushtetin për t’i krijuar një vend pune vetes, por që në praktikë janë nën çdo nivel dhe i gjejnë 100 mijë arsye për të kërkuar mbështetjen për punën e vet, kemi kandidat që me çdo kusht tentojnë të vijnë në pushtet saqë u është bërë sëmundje, sepse për këta nuk është me rëndësi paga, por favorizimi përmes tenderëve që tanimë 10-përqindëshi është bërë sistem dhe një kriter i pashkruar për të fituar një tender. Ndërsa kategoria tjetër që është, pa dyshim që të jep shpresë që ka një stad të mirë të jetesës dhe punon me djersën e tij që si qëllim ka vetëm që t’i ofrojë Komunës dhe komunitetit profesionalizmin dhe vlerat e veta, me qëllim që të bëjë vepra të mira, por për fat të keq kjo platformë nuk vërehet për shkak të propagandës së militantëve të kundërkandidatëve”, theksoi analisti Mustafë Kadrijaj. Tani ai thotë se meqë jetojmë në sistemin shumëpartiak edhe krijimi i institucioneve bëhet nga partitë politike, qytetari serioz nuk kërkon gjë tjetër veçse organizim shtetëror që do të rrjedhë si kontribut i votës së vetëdijesuar të qytetarit për ndryshime pozitive.

UBT

Hyjnë në garë t’u punësuar

Analisti Blerim Burjani konsideron se gara për komuna është atraktive për të gjithë ata që nuk munden të fitojnë në gara nacionale për Kuvend dhe për t’u bërë deputetë apo ministra, sepse ky tash është shansi tjetër kritik që të kapen në pushtet dhe të krijojnë favore nga më të ndryshmet për veten dhe klientelat e tyre.”Gara për kryetar ka edhe domethënie më të madhe për të ndërtuar një personalitet politik dhe të hapen shtigjet në drejtim të zgjedhjeve në nivel nacional.

Kryetari ka kompetenca mjaft të gjëra dhe është një post me pak strese. Në Kosovë opinioni publik dhe mediet po merren shumë me garat lokale, ndonëse nuk ka edhe aq popullaritet, përderisa disa njerëz që kanë probleme me punësimin, shumica e tyre, garojnë për Asamble komune. Dhe tani po të analizohet lista e të gjitha partive politike nëpër komuna për Asamble komunale do të rezultojë se 80% të tyre e kanë problem punësimin. Interesat në nivel lokal janë edhe për punësim të militantëve partiakë, përderisa kryetari i komunës përveç pagës dhe shumë kompetencave në nivel të pushtetit lokal, këtë e bën edhe për atë që ka mundësi të nxjerrë edhe vendime të mëdha. Sidoqoftë pushteti lokal është shquar me parregullsinë në punën e kadastrave, e sidomos Komuna e Prishtinës, por edhe të gjitha komunat e tjera pa dallim të partive, edhe me lejet e ndërtimit, por s’ka pas as një zhvillim lokal ekonomik”, theksoi Burjani për “Kosova Sot”. Sidoqoftë ai thotë se me përjashtim të Komunës së Prishtinës, komunat e tjera kanë buxhet më të vogël dhe më pak mundësi qoftë të zhvillimit apo edhe të abuzimit, si Shtimja dhe Obiliqi, Kaçaniku apo Hani i Elezit etj.”Prandaj shumica e komunave funksionojnë dobët dhe me probleme buxhetore, e sidomos komunat e vogla, të bëra me qëllime politike dhe etnike”, është shprehur ai.

Luftë për pushtet e përfitime

Edhe analisti Ali Hertica thotë se në krejt këtë kaos elektoral nuk ka ndonjë element tjetër që shihet pos egos për pushtet dhe përfitime të paraskanuara korruptive.”Egoja e përfitimit dhe lufta për pushtet për të parin e komunës është bërë një sëmundje kronike, e cila nuk po ka shërim nga ata që vuajnë për të marrë pushet, sepse në mungesë të programeve bindëse dhe të besueshme për qytetarin i vetmi qëllim i tyre është që ata të jenë në hallkat e pushtetit dhe të vazhdojnë ta mbajnë apo të vazhdojnë ndërtimin dhe fuqizimin e rrjetit të të inkriminuarve dhe pasurimit në kurriz të djersës së qytetarit. Te ne kjo dukuri është bërë si një lloj hiti politik”, theksoi Ali Hertica për gazetën.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.