Fundamenti

Banush Mahmuti një shkëndijë e ndritur e shkollës shqipe

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Tash e 18 vjet na mungon Banush Mahmuti, arsimtari i historisë nga Lladova e Gjilanit. 18 vjet pa arsimtarin, pedagogun dhe pa arsimdashësin e madh të shkollë shqipe. Pse jo? Banush Mahmuti ishte një gur themeltar i shkollës kombëtare shqipe. Ai ishte i tëri punëtor i madh i arsimit. Por, regjimi i atëhershëm shovinist serb, Banush Mahmutin e përcolli hap pas hapi. Këtë njeri arsimdashës nuk e deshi regjimi i një kohe. Nuk e deshi, për faktin se, ky arsimtar ishte djali i Idriz Mahmutit, një figurë e njohur e asaj kohe. Jo vetëm kaq.

Banush Mahmuti ishte i lindur, më 3 shtator të vitit 1949 në fshatin Lladovë, komuna e Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në Zhegër, Malësia e Karadakut. I ndikuar nga i ati, Idrizi, Banushi regjistrohet në Medresën “Alaudin” në Prishtinë. Pak kohë punoi si hoxha fshati. Pastaj regjistrohet në ShLPl në Shkup në grupin histori-gjeografi.

Përherë të parë ditarin e punës e mori në Shkollën fillore në Myçibabë, më 1974. Kjo shkollë e këtij fshati ishte larg vendlindjes së arsimtarit Banush, por ai asnjëherë nuk mungoi nga procesi mësimor. Në vitin 1975, Banushi pranohet si arsimtar i historisë dhe gjeografisë në Shkollën fillore “Bashkimi”, tash “Agim Ramadani” në Zhegër, por punoi edhe në Llashticë e Lladovë. Në vendlindje bëri emër prej arsimtari punëtor e të dalluar.

I pari mori iniciativën për zgjerimin e lokalit shkollor. Me ndihmën e prindërve, Banushi e zgjeroi edhe për një mësonjëtore. Nga kjo “punë” e tij, lladovasit e rinj filluan të mësonin në shkollën e tyre gjer në klasën e shtatë. U gëzuan edhe nxënësit e Nasalës, të cilët nuk udhëtuan më për në Zhegër. Për këtë vepër të mirë të arsimtarit Banush, organet serbe e dënuan me 10 ditë burg.

Këtë ia bëri M. Mihajlloviq, sekretar i shkollës së Zhegrës. Ai kurrë nuk e deshi arsimtarin Banush. E dinte se ai ishte biri i një kundërshtari të fortë të regjimit serb, i cili qe i dënuar për pushkatim më 1944. Falë shkathtësisë, ai nëpër plumbat e masakrës së Gjilanit shpëton dhe strehohet në Malishevë e Capar.

ARKATANA

Më vonë, thonë se Ramiz Cërnica e liron nga burgu shtëpiak. Djali i tij, Banushi, i treti me radhë, thonë, shkoi gjurmave të babait të vet. Në orët e historisë, ai kurrë nuk ligjëroi sipas teksteve të përkthyera. Ai lexoi literaturë të ndaluar. Autori i këtyre radhëve e pati shok të ngushtë Banush Mahmutin në shkollimin fillor në Zhegër.

Banushit nuk i mungoi guximi e dituria. Kjo natyrë e rebeluar e Banushit e bëri që ai të shihej me urrejtje prej policëve serbë e eprorëve të tjerë. Kur erdhi lufta e fundit (1999), Banushi u gjend i larguar me familje në fshatin Gjelekarë (Skifter), komuna e Vitisë. Ishte strehuar në një familje të afërme.

Në Zhegër, më 29 mars (1999), nis lufta. Bien viktimat e para. Vriten nga paramilitarët serbë 13 veta. Paramilitarët e rrethojnë edhe fshatin Lladovë. Këtu, më 2 prill (1999), vriten nga dora e zezë e ushtrisë serbe gjashtë të rinj: Zijadin Mahmuti, Daut Mahmuti, Beqir Mahmuti (arsimtar), Hevzi Ajeti, Ganimete Ajeti e Ahmetali Ajeti (profesor). Vetëm pak ditë më vonë, më 15 prill (1999), në Gjelekar, nga paramilitarët serbë vriten gjashtë veta, ndërsa plagosen 16 të tjerë. Në këtë fshat ishte i strehuar edhe Banushi me familje. Ai ikën në mal afër Stubllës. Në mal qëndroi dy javë me popullatën e këtij fshati. Kur kthehet në fshat, Banushi e gjen shtëpinë e djegur. Ndien dhembje për të afërmit e tij të vrarë. Dhembjen e ndryn në vete. Dhe, kur erdhi 25 tetori 1999, dita e fillimit të shkollës shqipe, në liri, ai vdiq në hyrje të shkollës. Ishte midis dhembjes dhe gëzimit. Sikur kjo e para e mundi dhe ia mori jetën arsimtarit Banush.

Atë ditë lotuan i madh e i vogël lladovas e të tjerë. Lotuan edhe fëmijët e tij si molla: Gazmendi, Floria e Arbeni. Ata e deshën shumë prindin e tyre të dashur. Ishte një vdekje e dhimbshme./tefik selimi/rajonipress/