Fundamenti

Kërkimfalja e pasinqertë

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Naser Sertolli – A është e mundur që një ultranacionalist serb të ndërrojë radikalisht sa të kërkojë falje për gjenocidin e kryer në Srebrenicë? Ose, sa është i sinqertë presidenti serb, Tomislav Nikoliq, në kërkimfaljen e tij kur dihet se Partia Radikale Serbe, ku ishte një prej udhëheqësve, çoi e mbështeti vullnetarë çetnikë për të kryer masakra të llahtarshme në qytetin martir të Bosnjës, dhe jo vetëm aty.

“Unë gjunjëzohem dhe kërkoj falje për Serbinë për krimin e kryer në Srebrenicë… Nga thellësia e zemrës kërkoj falje, shpreh keqardhje, për krimet e kryera në emër të shtetit dhe të popullit tonë nga ndonjë individ që i përket popullit tonë”, ka deklaruar Tomislav Nikoliq në një intervistë për kanalin kombëtar boshnjak duke folur për masakrën e kryer në Srebrenicë në korrik të vitit 1995 nga forcat serbe. Në atë që konsiderohet masakra më e llahtarshme e kryer në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore janë vrarë rreth 8.000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë.

Nga kjo deklaratë shihet se Nikoliq nuk është i sinqertë, meqë ai bën fajtorë “individët” dhe assesi nuk zë në gojë se masakra ishte në fakt një akt gjenocidi, i kryer nga serbët boshnjakë, por të përkrahur me të gjitha mjetet dhe forcat nga Beogradi zyrtar.

Në këtë mënyrë, presidenti serb vazhdon me avazin e paraardhësve të tij, të cilët për masakrat më të mëdha të kryera gjithandej në Jugosllavinë, që po copëtohej nga baruti e flaka në vitet 1990 kanë bërë fajtorë serbët lokalë, e assesi të pranojnë se ato janë kryer me urdhër të drejtpërdrejtë nga maja e pushtetit serb. Sikur Slobodan Milosheviq në Gjykatën e Hagës, i cili për masakrën ndaj familjeve Berisha në Suharekë më 1999, kur qenë vrarë fëmijë, gra, gra shtatzëna, burra e pleq, përpiqej të shfajësonte forcat që ishin nën komandën e tij të drejtpërdrejtë, duke hedhur akuzat te disa serbë lokalë.
Ndonëse çdo kërkimfalje është për t’u përshëndetur, Nikoliq do të bënte mirë sikur si president i Serbisë që është të hapte arkivat shtetërore dhe që popullit të tij t’ia tregonte në fytyrë atë që vërtet kanë bërë “patriotët” e “popullit hyjnor” në të gjitha luftërat, e edhe në Kosovë.

FIDANISHTJA

Në vend të një kërkimfaljeje si fjalë goje, Tomislav Nikoliq dhe e gjithë kasta në pushtet në Beograd, do të duhej të tregonin se gjatë luftës në Kosovë për shembull gjithçka ka qenë e kryer me komandë, duke përfshirë këtu ekzekutimet në masë, dhunimet, djegia e kufomave në vendin e krimit, asgjësimi i shumë prej tyre në shkritore në Serbi, e madje edhe marrja e trupave të viktimave me vete për t’i fshehur gjurmët e krimit, sikur që janë varrezat masive në Bajina Bashta, Petrovo Selo e Batajnicë. Në këto lokalitete në qendër të Serbisë janë varrosur trupat e qindra shqiptarëve të Kosovës, të vrarë nga forcat serbe më 1999, në kohën kur në pushtet në Beograd ishin të njëjtit njerëz që janë edhe sot.

Përderisa nuk do të ndodhë distancimi i njëmendtë nga krimet e kryera në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë nga forcat serbe me komandën e tyre në Beograd, përderisa nuk do të ketë pranim të fajit dhe përderisa Serbia nuk do të përballet me reperkusione të rënda që do të jenë leksion historik, nuk do të ketë paqe të qëndrueshme në rajon.

Dhe, përderisa nuk ka kërkimfalje të sinqertë e ndëshkim për autorët e mizorive, satisfaksioni i vetëm i viktimave do të ishte një hakmarrje në formë bumerangu nga natyra ndaj Serbisë. Diçka si rasti i para afro një muaji në fshatin serb Velika Ivanca, ku veterani Lubisha Bogdanoviq, i mësuar me masakra ndaj të pafajshmëve, nuk u ndal deri sa u ngop me gjakun e 13 familjarëve dhe fqinjve, e më në fund edhe të tijin. E vendi fqinj ka shumë “trima” si Lubisha.