Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi: mes misionit kombëtar, kufizimeve ligjore dhe sfidave politike
Nga Nexhmedin Saqipi – A është koha për një koncept të ri të përfaqësimit kombëtar të shqiptarëve në Republikën e Serbisë?
Krijimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh) në vitin 2010 u prit si një moment historik për shqiptarët në Serbi. Për herë të parë, komuniteti shqiptar fitoi një institucion të njohur me ligj, i cili do të duhej të mbronte dhe zhvillonte identitetin kombëtar përmes katër kompetencave kryesore: arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit.
Megjithatë, pas më shumë se pesëmbëdhjetë vitesh funksionimi, është e nevojshme të shtrohet një debat serioz: a është shfrytëzuar ky potencial institucional apo ai është zbehur nga kufizimet ligjore, fragmentarizimi politik dhe mungesa e një vizioni afatgjatë?
Paradoksi: “Kombëtar”, por jo gjithëpërfshirës
Vetë emërtimi “Këshilli Kombëtar Shqiptar” krijon përshtypjen se ky institucion përfaqëson të gjithë shqiptarët që jetojnë në Republikën e Serbisë.
Në praktikë, aktiviteti i tij është përqendruar pothuajse tërësisht në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Por shqiptarë jetojnë edhe në: Beograd, Novi Sad, Nish, Kragujevc, Suboticë, Pançevë, Krushevc dhe në qytete të tjera të Serbisë.
Këta qytetarë janë pjesë e të njëjtit komunitet kombëtar, paguajnë taksa, kanë nevoja kulturore, arsimore dhe identitare, por praktikisht nuk janë bërë pjesë e politikave të KKSh-së. Kjo krijon një paradoks institucional: si mund të quhet “kombëtar” një institucion që nuk i përfshin të gjithë shqiptarët në Serbi?
Kufizimi i përfaqësimit solli edhe kufizim financiar
Një element që është diskutuar shumë pak në opinionin publik lidhet me financimin. Sipas sistemit të financimit të Këshillave Kombëtare, mjetet buxhetore ndahen duke marrë parasysh edhe numrin e pjesëtarëve të komunitetit përkatës.
Nëse shqiptarët jashtë Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të ishin përfshirë më fuqishëm në regjistrim, organizim dhe përfaqësim, edhe kapaciteti financiar i KKSh-së do të ishte dukshëm më i madh. Pra, kufizimi nuk është vetëm politik. Ai ka pasoja të drejtpërdrejta ekonomike.
Kompetencat ekzistojnë, por mungon iniciativa
Shpesh në opinion krijohet përshtypja se KKSh nuk ka kompetenca.Në fakt, ligji i Serbisë u njeh Këshillave Kombëtarë kompetenca të konsiderueshme në: hartimin e planeve zhvillimore për arsim; dhënien e mendimeve për emërimin e drejtorëve të shkollave; themelimin e institucioneve kulturore; pjesëmarrjen në informim; përdorimin zyrtar të gjuhës.
Problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e kompetencave. Problemi shpesh ka qenë mungesa e iniciativës, koordinimit dhe këmbënguljes institucionale.
Flamuri kombëtar – një plagë e hapur
Asnjë çështje nuk e simbolizon më shumë dështimin institucional sesa përdorimi i flamurit kombëtar. Për më shumë se një dekadë, shqiptarët janë përballur me procedura kundërvajtëse, gjoba dhe presione.
Janë gjobitur: kryetarë komunash; kryetarë kuvendesh; drejtorë institucionesh; qytetarë të zakonshëm etj. Madje, shumë të rinj janë larguar nga vendlindja edhe për shkak të ndjenjës së diskriminimit dhe pasigurisë juridike.
Një institucion që quhet kombëtar do të duhej ta kishte bërë këtë çështje prioritet absolut.
Arsimi nuk është vetëm tekst shkollor
Debati publik është përqendruar shpesh vetëm te mungesa e librave. Por problemi është shumë më i thellë. Ai përfshin: mungesën e programeve modern; mungesën e terminologjisë profesionale; mungesën e trajnimeve për mësimdhënësit; mungesën e bashkëpunimit me universitetet shqiptare; mungesën e strategjisë afatgjatë për arsimin shqip.
Pa një strategji, arsimi mbetet administrim rutinor.
Dygjuhësia – e drejtë kushtetuese apo formalitet?
Në shumë institucione publike, përdorimi i gjuhës shqipe vazhdon të mos zbatohet plotësisht.
Tabela, formularë, dokumente administrative dhe komunikimi institucional nuk janë gjithmonë në përputhje me standardet ligjore.
KKSh duhet të kishte ngritur një mekanizëm të përhershëm monitorues për zbatimin e dygjuhësisë. Një raport vjetor mbi respektimin e gjuhës shqipe do të kishte shumë më tepër ndikim sesa reagimet sporadike.
Pasivizimi i adresave
Një nga problemet më të mëdha që ka prekur shqiptarët është pasivizimi i adresave. Ky fenomen nuk ka vetëm pasoja administrative. Ai ndikon drejtpërdrejt në: numrin e votuesve; regjistrimin e popullsisë; përfaqësimin institucional; financimin e komunave; financimin e vetë Këshillit Kombëtar. Prandaj kjo nuk është vetëm çështje juridike. Është çështje kombëtare.
Diaspora shqiptare në Serbi – potencial i pashfrytëzuar
Shqiptarët që jetojnë në qytetet e mëdha të Serbisë përbëjnë një kapital të rëndësishëm intelektual dhe ekonomik. Mes tyre ka: profesorë universitarë; mjekë; jurist; sipërmarrës; artistë,; student etj. Ata pothuajse asnjëherë nuk janë përfshirë në strukturat këshillimore të KKSh-së.
Depolitizimi – kusht për mbijetesën
Asnjë institucion kombëtar nuk mund të ketë sukses nëse çdo mandat fillon me ndarjen e posteve partiake.
Në vend të një parlamenti partiak, KKSh duhet të funksionojë si një akademi kombëtare e ekspertëve. Në komisionet e tij duhet të jenë: profesorë; jurist; historian; gjuhëtarë; ekonomistë; përfaqësues të shoqërisë civile.
Vetëm atëherë politika do të kontrollohet nga profesionalizmi dhe jo anasjelltas.
Çfarë duhet të ndryshojë?
Një reformë serioze duhet të synojë: zgjerimin e konceptit të përfaqësimit të shqiptarëve në të gjithë Serbinë; krijimin e një regjistri të plotë të komunitetit shqiptar; hartimin e Strategjisë Kombëtare Shqiptare 2027–2037; themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare pranë KKSh-së; krijimin e një fondi për botime shkencore; ngritjen e një qendre juridike për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve; monitorimin sistematik të përdorimit të gjuhës shqipe; ngritjen e një mekanizmi për mbrojtjen juridike të simboleve kombëtare; krijimin e një këshilli të diasporës shqiptare në Serbi; forcimin e bashkëpunimit institucional me Shqipërinë, Kosovën dhe partnerët ndërkombëtarë.
Përfundim
Pesëmbëdhjetë vjet pas themelimit, Këshilli Kombëtar Shqiptar ndodhet në një udhëkryq. Ai mund të vazhdojë të mbetet një institucion që konsumohet në rivalitete politike dhe administrim të përditshëm, ose mund të shndërrohet në një institucion modern, profesional dhe gjithëpërfshirës, që artikulon me dinjitet të drejtat dhe interesat e shqiptarëve në Republikën e Serbisë.
Për këtë nuk mjafton vetëm ndryshimi i njerëzve. Kërkohet ndryshim i filozofisë së funksionimit. Një institucion që mban emrin “Kombëtar” duhet të mendojë dhe të veprojë në përmasën e të gjithë kombit që përfaqëson, pa kufizime gjeografike, pa ndarje partiake dhe me një vizion të qartë për të ardhmen.


