Hidromorava

Një përpjekje për të rrëfyer të kaluarën tonë dramatike…

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Nijazi Ramadani është njëri nga krijuesit e njohur për lexuesit jo vetëm gjilanas, por edhe më gjerë. Pse jo? Ai gjer më tani ka botuar disa vepra letrare të zhanreve të ndryshme, si janë: “Dheshkronjë arbëri” (1995), “Imazhe kohe” (1908), drama “Hija e gjallë” (2010), romani “Imazh i ngrirë” (2010), publicistikë “Kosova dhe vetëvendosja”, Tiranë 1998, ndërsa ka botuar edhe në fushën e vrojtimeve letrare publicistike në edicionin e SH.B “Rrjedha” si janë veprat: “Vrojtime letrare” (2008), mandej, në fushën e artit dramatik botoi veprën vrojtuese me titull: “Një qasje për skenën”, “Shtegtim në histori”- monografi për fshatin Kokaj (1842-2012).

Vepra e tij, që po e vështrojmë e Nijazi Ramadanit “Azgani- Ylber (i) ja” është e dhjeta me radhë. Por, duke u nisur nga shtrirja e krejt kësaj veprimtarie letrare e autorit, e cila ka një fushë veprimi mjaft të gjerë, ajo është e krijuar si art i larmishëm, si vepër poetike, si vepër prozaike dhe si vepër dramatike, por autori u mor edhe me publicistikë.

Pra, autori ka krijuar laryshi shkrimesh dhe ka lënë gjurmë të pashlyer si krijues. Prandaj, Nijazi Ramadani ka bërë emër në artin e jetës shkrimore. Ai tashmë ka krijuar imazhin e vet me numrin e veprave të botuara, të cilat janë pritur mjaft mirë nga lexuesit artdashës. Këto vepra të tij dramatike të autorit na dalin me tema të forta për një kohë të kaluar, e cila kohë është jona, por e nëpërkëmbur nga të huajt.

Vepra më e re e tij e botuar ditë më parë, të lë përshtypjen se autori po e gjurmon të kaluarën e popullit tonë me anë të shkrimeve të ndryshme të tij. Siç dihet, populli ynë ka vuajtur dhe ka pasur sfida të rënda jete. Andaj, vepra dramatike “Azgani –Ylber(i) ja” e Nijazi Ramadanit, është një tekst dramatik, ku në vete ngërthen dy pjesë arti: e para është drama “Azgani”, që ka si paraqitje historinë e vuajtur të popullit tonë nëpër kohë, dhe, e dyta, është vepër – komedia “Ylber(i) ja, e cila shënon përpjekjet e autorit për të dhënë nga veti edhe të këtilla ngjarje si dramatike, por me qasje humori, që kjo “formë” del nga jeta jonë e përditshme. Në dramën e parë, autori është munduar të paraqes kohën e mbijetesës së popullit shqiptar.

Kjo ketëe e popullit ishte përplot me dhembje, trauma, përndjekje, vrasje, drojë e të këqija të tjera, të cilat u bëheshin popullatës shqiptare me të vetmin qëllim që të ndjellet frikë tek masa dhe për ta ndjerë një lloj pasigurie në vete, dhe së fundi, për të marrë rrugën e pakthim në pjesët e Anadollisë.

Kështu ka vepruar në praktikë pushteti okupues serbomadh, i cili, në një kohë e detyroi popullatën shqiptare të zhvendoset nga trojet e veta stërgjyshore. Po kështu, në dramën e N. Ramadanit janë trajtuar shumë ngjarje dramatike, kur personazhet jetojnë me droe, sepse, si shton autori i dramës: “Ata që po vijnë prej andej, po thonë se serbi gjithçka që gjen përpara, vret e pret si asht zi e ma zi” (f. 13). Pra, kjo ishte golgota e shqiptare, e cila tek asnjë krijues nuk hiqet nga mendja, por secili e paraqet ashtu si e ndjen dhe si i kanë rrëfyer të tjerët.

Hidromorava

E, personazhi, Kryeplaku, shton autori N. R: “Edhe unë jam nga ato toka të Sanxhakut. E nuk do të rri duarkryq më. Shtëpia ime, para pesë vjetësh ishte te Livadhet e Klanit… Ky gardh ka me u prish prapë edhe verën e sivjeme, o Ramë!” (f. 13).

Shihni, këtu flitet për zhvendosjen e shqiptarëve nga trojet e tyre të hershme dhe, kjo shpërngulje e dhunshme e tyre është jo vetëm e dhimbshme, por edhe tragjike, sepse, Kryeplaku, kjo do të thotë, i moshuari po rrëfen se të parët e tyre e kanë prejardhjen nga Sanxhaku i Nisht apo Toplica e mese të tjera, ku me qindra fshatra janë zhvendosur me dhunë nga barbaria serbe dhe janë vendosur në pjesët e shkreta të Anadollisë, në Turqi.

Kjo flet shumë. Mu këto ngjarje tragjike e kanë shtyrë autorin ta bëjnë një dramtë të tillë, me një emër popullor Azgan, njeri trim, i cili, siç shton autori, se ky njeri “po don me bashkue vatanin e vetë me u bë shtet në vete dhe mos e varme … si Ismajl Vlora…” (f. 18). Këtu ka edhe ngjarje të tjera, të cilat flasin e rrëfejnë për një kohë të rëndë që ka pësuar populli ynë shqiptar. Në një rast të këtij teksti dramatik, Dilja, një personazhe e veprës, thotë: “Unë jetim u rrita dhe kjo tokë mos të jetë e jetimave, por të mbetet me zot shtëpie”! (f. 20). Kështu ishte dhe kështu e ka rrëfyer autori i librit një fjalë. Sepse, shkau apo okupuesi i kësaj kohe i drejtohet personazhit me këto fjalë: “Ti po deshe ik atje ku je shkolluar përtej Bjeshkëve të Nemura. Këtu është tokë serbe!” (f.26). E, personazhi Oja, një i tillë okupues, shton: ”Nuk mundesh me dalë aq lehtë, se duam edhe kokën e koçakut të fundit…”.

Pra, këto flasin me gjuhën e qartë se, i huaji, që erdhi në trojet tona, ai e kishte planin e zhvendosjes së tërë të popullit shqiptar, madje edhe gjer te i fundit njeri nga trojet deem baba dem. Por, aty flet me pak fjalë edhe Azgani, kur thotë se “ata që do të duhej të dilnin, jeni ju prej këtu…” Me të tilla skena dhe rrëfime, autori ka ndërtuar një dramë letrare artistike, e cila flet dhe rrëfen një kohë të vështirë të mbijetesës së popullit tonë. Autori këto “skena” ngjarjesh i merr nga pjesët e historisë së disa figurave atdhetare, si të Mësuesit Mustafë me grupin e Hasan Alisë, koçakut të fundit, ku pos tjerash shton: “Familja e ngushtë e mësuesit kishte mbetur në gra e fëmijë. Nëna mallkonte edhe në ditën e tretë që ishin ekspozuar te pazari i Lamës. Asnjë gjëmë, asnjë pikë loti nuk i kishte dalë asaj burrrëreshe, as para masës se dalë te Lama e Miellit”. (f. 32).

Pra, është fjala e grupit në fjalë, kur zihen nga UDB-a serbe dhe trupat e vrarë okupuesi i ekspozon para popullatës për të ndjellë frikë për te vrarët atdhetarë shqiptarë, ku nëna dhe anëtarët e familjes i kundronin familjarët e tyre të vrarë barbarisht nga dora gjakatare serbe. Por, është personazhi, Truproja, e cila i drejtohet një të urrejtur me këto fjalë: “Ikë, e kur ka qenë gjallë, nuk ke guxuar as ta shikosh me bisht syri”. Autori e përmend Urën e Maskatarit të Kazasë, kuptohet të Gjilanit. Kështu, drama përcillet “shpejt” dhe vije gjer të lufta e fundit, kur me ndihmën e Natos vjen liria e pritur me qindra e mijëra vjet më parë. Në këtë vepër dramatike është edhe pjesa e dytë e dramës, komedia. Ky është një tekst që do të duhej të përpunohej, për faktin se ka pak ngjarje dhe pak “prodhim” të kësaj natyre të komedisë.

Në përgjithësi, autori ka bërë përpjekje të duhur të krijojë një vepër dramatike, e cila fushë është më e vështirë e shkrimit nga gjinitë letrare. Urojmë autorit të botojë edhe vepra të tjera. Edhe kjo vepër tregon se autori është në rrjedha të artit dhe nuk ndahet dot nga jeta shkrimore letrare…! /Tefik Selimi/rajonipress/