Zbogar shpreson se barrikada mbi Ibër do të hiqet
Shefi i Zyrës së BE-së, Përfaqësuesi Special i BE-së, Samuel Zbogar, ka thënë pwr Koha.net se “gjëja themelore për BE-në është që të përmirësohen jetët e njerëzve duke promovuar lirinë e lëvizjes dhe heqjen e pengesave. Ne besojmë në integrim dhe bashkëpunim dhe në zgjidhjen e problemeve përmes dialogut”.
“Ne besojmë se dialogu për normalizimin dhe marrëveshjet e Brukselit kanë krijuar një realitet të ri, më të mirë ku barrikadat nuk kanë vend. Korniza kushtetuese dhe institucionet e Kosovës si dhe prania e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë janë këtu për të siguruar garancat për mbrojtjen e interesave të serbëve të Kosovës dhe të gjitha komuniteteve në Kosovë”.
“E vetmja mënyrë përpara është dialogu dhe bashkëpunimi. Ata prej kësaj e asaj ane të urës duhet të provojnë të dëgjojnë njëri tjetrin, frikat, nevojat, mosbesimin. Saksitë me lule të së premtes apo demonstratat e zemëruara të së dielës nuk ofrojnë përgjigje. Dialogu dhe bashkëpunimi ofrojnë.
BE-ja është angazhuar në mënyrë intensive që ta zgjidhë këtë problem. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona dhe shpresojmë që të gjejmë një zgjidhje së shpejti”, ka përfunduar Zbogar. /Koha.net/

