RCCOLA

6 vjet Pavarësi e 30 për qind papunësi

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Të hënën me 17 shkurt Kosova kremton 6-vjetorin e pavarësisë, me një gjendje jo shumë të mirë ekonomike dhe sociale. Papunësia vazhdon të mbetet më e larta në Ballkan me 30.9 për qind, ndërsa sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, 29.7 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfri relative, kurse 10 për qind prej tre në varfëri ekstreme.

Sipas shifrave zyrtare, papunësia brenda gjashtë viteve ka rënë dukshëm nga 43 për qind sa ishte në vitin 2008, në 30 për qind, por sipas perceptimit të qytetarëve shifrat nuk janë reale. Ata thonë se papunësia është rritur, ndërsa varfëria është shtuar.

Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, STRAS, thotë se gjatë këtyre viteve ka pasur zhvillime, mirëpo e gjithë kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për nevojat që ka pasur vendi.

“Ka ecje, por ecjet janë shumë të ngadalshme dhe larg nevojave që ka vendi. Ka investime, por kryesisht janë të fokusuar në sektorin publik në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, derisa ka ngecje në shëndetësi, në arsim, pra ka shumë punë për t’u bërë”, vlerëson Rexhepi.

Gjashtë vjet më parë, në kohën kur kishin filluar përgatitjet për të shënuar pavarësinë e Kosovës, pritjet e kosovarëve ishin se me formimin e shtetit të ri, do të përmirësohej edhe gjendja sociale, duke u rritur në këtë mënyrë shkalla e punësimit.

Por, gjashtë vjet pas, qytetarët shprehen të zhgënjyer, thonë për REL se pritjet e tyre nuk janë realizuar.

Ilmi Shatri, 45 vjeçar nga komuna e Gjilanit, tregon se kishte pritur punësim dhe përmirësim të kushteve ekonomike.“Kemi pritur që do të ndodhin ndryshime, ndoshta jo menjëherë, po që pas disa viteve të shpalljes së pavarësisë të ketë përmirësime ne fushën ekonomike. Por që nuk kanë ndodhur”, thekson ai.

RCCOLA

Ngjashëm shprehet edhe Sinan Zejnullahu, 30 vjeçar me profesion inxhinier.

“Së paku kam menduar që do të ketë zhvillim ekonomik dhe rrjedhimisht punësim, kam pritur që këto do të ndodhin pasi që u bëmë shtet, por jo që nuk patë ndryshime të mira, por punët shkuan keq e më keq”, shprehet ai.

Papunësia dhe varfëria në shumë raporte të mekanizmave vendor dhe ndërkombëtare ishin konsideruar ai probleme që kërcënojnë stabilitetin në Kosovë.

Sociologu Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se pritjet e qytetarëve të Kosovës gjatë këtyre viteve jo që u afruan, por ato vetëm sa u larguan.

“Në këtë përvjetor të pavarësisë ne po e presim me skandale të mëdha, të gjitha këto tregojnë se Kosova si një vend i vogël me një shoqëri tëvogël, e varfër po përballet me probleme të ndryshme me afera të ndryshme, me arrestime, me afera korruptive kriminale”, tha ai

Kosova shpalli pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008. Tani është anëtare e disa mekanizmave ndërkombëtarë, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Mirëpo gjatë gjithë kësaj kohë është vërejtur mungesë investimesh për shkak të perceptimit se Kosova nuk është vend i sigurt.