Uji Dea

Mehmeti: Kosova s’ka databazë rreth aktiviteteve të diasporës, remitencat të orientohen tek investimet

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë për Ekonomia Online se remitencat në Kosovë duhet të orientohen më shumë tek investimet, pasi në masë të madhe ato shkojnë në konsum.

Mehmeti, i cili udhëheq me Institutin Hulumtues për Ekonomi dhe Financa (IHEF), thotë se kanë të gatshëm një databazë për të cilin do të mundësonte identifikimin e krejt diasporës.Thotë se do të jepte informata më të plota rreth aktiviteteve të tyre në vendet ku veprojnë.

“Remitencat vazhdojnë të jenë një burim shumë i rëndësishëm i financimit për ekonominë e Kosovës. Nëse e marrim referencë vetëm tri vitet e fundit, kemi një rritje prej vitit të në vit. Në vitin 2021 kemi pasur rreth 1. 15 miliardë euro, pastaj në vitin 2022 kanë qenë rreth 1. 22 miliardë dhe këtë vit shënojmë mbi 1.30 miliardë euro remitenca që kanë ardhur në Kosovë dhe ka një rritje prej 9. 9 për qind. Prandaj në masë të madhe po e potencoj se është një burim jashtëzakonisht i rëndësishëm i financimit për ekonominë e Kosovës”, thotë Mehmeti.

Mehmeti thekson se remitencat ndikojnë kryesisht në likuiditetin e sektorit bankar. Kryesisht thotë se vërehet gjatë sezonës së verës kur në masë të madhe diaspora vjen në Kosovë.

Uji Dea

“Kryesisht remitencat janë të orientuara në konsum, konsumi është një prej atyre kategorive që në masë të madhe po e ndikon në rritjen ekonomike në vend dhe sipas një analize që e kemi bërë vërehet se remitencat në masë të madhe e ndikojnë edhe likuiditetin e sektorit bankar, kjo vërehet sidomos në periudhën kur diaspora është në Kosovë në sezonen e verës. Ajo çka duhet të punohet është që më shumë që këto para që vijnë dhe që janë të orientuara në konsum, të punohet në drejtim të asaj që të orientohen ka investimet. Nuk po e them se konsumi është një prej kategorive kryesore që sot e financon rritjen ekonomike në vend por sido që të jetë është mirë që të punohet më shumë në drejtim të asaj që këto remitenca që vijnë këtë formë të jenë të orientuara më shumë kah investimet ku kemi shumë nevojë”, thotë tutje Mehmeti.

Krahas orientimit të remitencave, ish-Guvernatori i BQK-së kërkon orientim më të mirë edhe të investimeve të huaja direkte. Në masë të madhe, thotë Mehmeti shkojnë në patundshmëri, ndërsa pjesa tjetër në shërbime financiare.

“Ende Kosova nuk e ka një databazë të diasporës. Ne si Institut jemi duke punuar, kemi një projekt të gatshëm për të krijuar një databazë të diasporës së Kosovës ku do të kishte mundësi të identifikohen krejt diaspora, ku ndodhe dhe cilat janë bizneset e tyre më të suksesshme dhe kjo në masë të madhe do të na jepte informata më të plota rreth aktiviteteve të tyre të cilat ata i kanë në vendet ku veprojnë dhe punojnë”, u shpreh Mehmeti.

“Kur flasim për investimet e huaja direkte, vazhdojnë të kenë rritje. Në vitin 2022 kanë qenë përafërsisht dikund 756 milionë dhe me siguri që edhe këtë vit do të ketë rritje. Problemi është tek struktura e investimeve të huaja direkte. Nëse e shohim strukturën e investimeve të huaja direkte, dikund 64 për qind e tyre shkojnë në patundshmëri, pjesa tjetër dërmuese është e shërbimeve financiare, prandaj këtu kemi problem me strukturën e investimeve të huaja direkte. Nëse i shohim dy kategori kryesore të ekonomisë në vend, një ndër to është edhe ndërtimi që ka rritje dhe vazhdon të ndikojë pozitivisht në rritjen ekonomike në vend por ne kemi nevojë për investime në sektorë që ne konsiderojmë që mund të jenë promotor të zhvillimit ekonomik të vendit, e të cilat i japin vlerë të shtuar ekonomisë së vendit”, theksoi ai. /EO/