Fundamenti

20 për qind ryshfet, ose nuk ka subvencione

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Përfitojnë të pamerituarit, e pësojnë bujqit në nevojë

Bujqësia kosovare përballet me sfida të shumta, por ndër më kryesoret është subvencionimi nga MBZHR-ja, që dyshohet se bëhet në mënyrë korruptive. Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, po e akuzon Ministrinë e Bujqësisë, duke thënë se paratë e buxhetit për bujqësi po vidhen me rastin e ndarjes së granteve dhe subvencioneve. Siç thotë Tahiri, paratë e buxhetit për bujqësi po vidhen me rastin e ndarjes për grante dhe subvencione, duke iu kërkuar aplikuesve mitë deri në 20 për qind të vlerës së projektit. Analistët dhe deputetët e opozitës vlerësojnë se personat e vetëm që marrin grante pa ryshfet ose janë të afërm të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë ose janë zyrtarë e militantë të partive në pushtet. Akuza e radhës nga njohësit e kësaj fushe ka qenë fakti se si i marrin grantet edhe ata kandidatë që më së paku merren me bujqësi, kurse në të njëjtën kohë po refuzohen edhe doktorët e veterinës dhe agronomët me traditë të gjatë pune. Së këndejmi, me të drejtë vlerësohet se është politika e inkriminuar fajtore që e ka sjell prodhimin në këtë gjendje të rëndë, e cila ka shikuar dhe po shikon vetëm interesat e përfitimeve e jo të subvencionojë bujqit në nevojë reale për të rritur prodhimet dhe cilësitë, rendimentet. Me gjithë pyetjet e gazetarit të drejtuara në adresën elektronike të Ministrisë së Bujqësisë, zyrtarët e tyre sipas traditës nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

Pa lidhje ose mitë, nuk je përfitues!

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se paratë e buxhetit të shtetit që janë të dedikuara për bujqësi po vidhen me rastin e ndarjes së granteve dhe subvencioneve. “Madje ka pasur edhe raste të tilla kur me rastin e ndarjes për grante dhe subvencione anëtarët e komisioneve të kësaj ministrie u kanë kërkuar fermerëve aplikues madje deri në 20 për qind të vlerës së një projekti. Pati raste kur shumë nga përfituesit e këtyre granteve që kanë qenë pa dhënë ryshfet, por ishin të afërm të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë që i ka ndarë këto grante ose ata kanë qenë militantë të partive në pushtet”, u shpreh ai. Sipas tij, në shumë raste kanë përfituar grante personat që më së paku merren me bujqësi.”Madje që e keqja të jetë më e madhe ka pasur raste kur nga kjo ministri janë refuzuar edhe kërkesat e doktorëve të veterinës dhe agronomët që kanë qenë me një traditë të gjatë pune”, vijoi më tutje Tahiri. “Është politika e inkriminuar dhe mënyra e shpërndarjes së këtyre granteve e subvencioneve që e ka sjell prodhimin e Kosovës në këtë gjendje të rëndë, e cila që nga paslufta e deri më sot e ka shikuar e po shikon vetëm interesat e përfitimeve e jo të subvencionojë bujqit që vërtet kanë nevojë për të rritur prodhimet dhe cilësitë, rendimentet. Një e metë e madhe e ndarjes së këtyre granteve është edhe ajo se po vazhdojnë edhe më tej që të jepen subvencione për grurë, kurse edhe më tej në Kosovë nuk po ka grurë sepse paratë merren e dedikuar për subvencione të grurit, ndonëse me letra po ndahen për fermerët kjo sasi e grurit edhe nuk po mbillet fare për shkak se ka dyshime të mëdha se paratë po vidhen dhe po ndahen me pushtetarët e kësaj ministrie që po i ndajnë e po i vjedhin paratë e buxhetit të shtetit”, potencoi Tahiri. “Ne kemi drejtuar ankesat e bujqve në institucionet përkatëse dhe në prokurori, por ankesat e tyre po mrizojnë në prokurori dhe heshtja e tyre lë vend dyshimit se edhe ata janë të involvuar në vjedhjen e këtyre parave”, ka thënë ai.

Milionat u dhanë, punësimi askund

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu (PSD), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se në Kosovën e pasluftës tashmë është krijuar një traditë e brishtë nga ana e Ministrisë së Bujqësisë që ndarja e granteve dhe subvencioneve për fermerët në bujqësi po ka keqpërdorime të mëdha, sepse një pjesë e madhe e fondit po ndahet për militantët e partive në pushtet dhe për ata që japin ryshfet deri në 20 për qind të shumës që e përfitojnë. Opozitari Salihu thotë se këto vlerësime kanë dalë jo vetëm nga të dhënat e Sindikatës së bujqve të Kosovës, por edhe nga ankesat e fermerëve që ata i kanë deponuar me shkrim në takimet me ta ku përfaqësues të fermerëve nuk hezitojnë edhe që të përmendin edhe emrat e atyre përfituesve, të cilët nuk janë meritorë dhe nuk merren fare me bujqësi, por që në këtë mënyrë po dëmtohen ata fermerë që meritojnë në sektorin e bujqësisë.”Është për keqardhje se ato para më nuk i kontrollon askush se si janë shpenzuar dhe ato para në vend se të shfrytëzohen për rritjen e prodhimtarisë, po shkojnë në xhepat e zyrtarëve të kësaj ministrie dhe sekserëve të tyre politikë”, u shpreh ai. Salihu sqaroi se bazuar në shumën e parave që janë ndarë dhe që janë miliona euro këto grante dhe subvencione nuk kanë dhënë kurrfarë rezultatesh, që është pritur, sepse nuk është rritur prodhimi dhe punësimi i të rinjve krahasuar me shumën e investimeve që janë bërë në raport me subvencionet që janë dhënë.”Te ne ka shumë subvencione që përfundojnë në ndërtim objektesh, kurse për serra e ferma bëhen investime të ulëta dhe simbolike në raport me shumat e mëdha të parave që merren”, vlerësoi Salihu.

Fermeri kosovar në krizë të thellë

Eksperti i ekonomisë, Nehat Maxhuni, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se si në çdo ministri ku qeveritarët tanë udhëheqin këtë vend, ashtu edhe në Ministrinë e Bujqësisë, vjedhin dhe e zhvatin popullin e në rastin konkret fermerin.”Fermeri kosovar që nga paslufta ballafaqohet me probleme të mëdha gjatë punës së tij. Duke u nisur nga çmimi i farërave, plehrave artificialë dhe krejt në fund problemi i çmimit të shitjes, ku konkurrenca nga shtetet tjera shpeshherë i ka detyruar që prodhimet e tyre t’i hedhin në mbeturina. Përderisa shtetet e tjera subvencionojnë prodhimin e tyre, përkatësisht fermerët, me mënyra të ndryshme që ata të jenë të barabartë dhe pse jo të dalin me çmime konkurruese në vendin e tyre edhe jashtë vendit, në vendin tonë ndodh një fenomen tjetër. Në letër thuhet se Qeveria e Kosovës i ka ndarë milionat për bujqësi dhe një gjë e tillë është e vërtetë”, u shpreh ai.”Si po shpërndahen ato grante dhe subvencione te fermeri. Kjo ngase asnjë euro nga pushteti kosovar i tanishëm nuk i jepet fermerit të vërtetë, nëse ai fermer fillimisht nga vlera e marrë nga ministria nuk jep përqindjet e caktuara. Rasti më i ri ku zëvendësministri nga radhët e AAK-së burgoset mu për këtë arsye. Në shumicën e rasteve këto donacione-grante u jepen personave të afërm me pushtetin, të cilët as që e kanë idenë se si punohet në bujqësi dhe se kurrë në jetën e tyre nuk janë marrë me këtë veprimtari”, vlerësoi Maxhuni. “Në rastin tjetër nëse këto subvencione jepen në formën ku fermerit i dhurohen mjete për bujqësi të blera nga pushtetarët, atëherë çmimi i blerjes së një traktori nëse është në treg 10 mijë euro te fermeri do të figurojë 25 mijë euro dhe në opinion do të thuhet se ne e financuam me 25 mijë euro X fermerin. Hajni dhe korrupsion nga më të ndryshmet në bujqësi, ku realisht të paktën në këtë sektor nuk duhet në asnjë mënyrë të ndodhte një gjë e tillë. Ngase fermeri i shkretë e heq të zitë e ullirit gjatë tërë vitit dhe në fund shteti jo që nuk e mbron, por edhe kushte elementare për punë nuk krijon”, ka thënë ai, duke fajësuar analfabetët me diploma, që në emër të luftës uzurpuan dhe degraduan gjithçka.

RCCOLA

PËRFITOJNË MILIONERËT

Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se akuzat po bëhen me të drejtë, por e ka një pyetje për kryetarin e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, se pasi që ai po i ditka këto probleme, pse atëherë nuk ka reaguar më përpara, por tash po i akuzon bashkëpunëtorët.”E tërë e keqja është se nga grantet si duket po përfitojnë ata që nuk kanë të bëjnë fare me bujqësi, që kryesisht janë njerëz që janë në punë ose që kanë nga dy shtëpi, plus vetura luksoze. Prandaj këtu fajtore është edhe politika e inkriminuar, me një vizion krejt të paqartë për bujqit e Kosovës”, potencoi Grapci.

E PËSOJNË BUJQIT NEVOJTARË

Eksperti i ekonomisë, Sejdi Halimi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se është vërtet për keqardhje se si po keqpërdoren grante dhe subvencionet nga ana e kësaj ministrie, sepse kjo ministri po i keqpërdorë këto para, duke i shpërblyer militantët e tyre partiakë, ndërsa bujqit e vërtetë e pësojnë pa asnjë faj.”Madje që e keqja të jetë më e madhe edhe ata që përfitojnë këto grante shumat e të hollave janë shumë të vogla. Në këtë ministri pas këtyre akuzave të krerëve të Sindikatës së bujqve duhet bërë një auditim ndërministror për të verifikuar se kush po përfiton vërtetë nga këto grante dhe subvencione. Pra, ky auditim do të saktësonte se a po shkojnë këto para tek fermerët e vërtetë apo tek militantët partiakë, ngase në këtë ministri tashmë është krijuar një traditë e tillë e përfitimeve nga militantët partiakë”, potencoi Halimi.

TË FORMOHET KOMISIONI HETIMOR

Ndërsa ish-deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se është për çdo kritikë mënyra e deritashme shpërndarjes së granteve dhe subvencioneve dedikuar fermerëve që po bëhet nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.”Prandaj, sektori i bujqësisë, por as vendi ynë nuk mund të përfitojnë me keqpërdorin e fondit të granteve dhe subvencioneve. Mbështetja e të afërmve dhe militantëve partiakë dhe atyre që nuk janë fermerë të vërtetë po i dëmton fermerët e vërtetë që po kontribuojnë në shtimin e prodhimeve vendore dhe shtimin e numrit të punëtorëve. Ngase ka pasur shumë raste kur përfituesit e këtyre granteve me dallavere ndërrojnë edhe destinimin e projekteve bujqësore. Që të hiqen këto dilema Kuvendi i Kosovës duhet që të formojë një grup punese që do të hulumtonte keqpërdorimet e këtyre granteve dhe subvencioneve dhe më pas për punën e tyre të raportojnë në Kuvendin e Kosovës”, theksoi ai.

(Kosova Sot)