Fundamenti

Zoti dhe gruaja në Iran

/ 6 minuta lexim

Duke i ndaluar në mënyrë eksplicite femrat nga regjistrimi në lëndët e hapura për meshkujt, Irani ka ndërmarrë një hap po aq të pambrojtshëm sa edhe diskriminimi racor, e kjo gjë duhej dënuar me sa më shumë forcë që është e mundur.

Princeton – Gjyshja ime ishte njëra prej grave të para që studiuan matematikën dhe fizikën në Universitetin e Vjenës. Kur ajo diplomoi, më 1905, Universiteti e shpërbleu atë me gradën më të lartë, një shpërblim që ia dhuroi asaj një unazë të gdhendur me inicialet e një perandoreshe. Mirëpo asnjë grua më herët nuk ishte shpërblyer me një nder të tillë e dhe perandori Franz Joseph kishte refuzuar të ndante një shpërblim të tillë.

Më shumë se një shekull më vonë, çdokush mund të mendojë që deri më tani ne i kemi tejkaluar atë besimin se gratë nuk janë të përshtatshme për nivelet më të larta të arsimimit, në çdo fushë të studimit. Prandaj, dhe është një lajm shqetësues ai se më shumë se 30 universitete iraniane i kanë ndaluar femrat që të ndjekin mbi 70 lëndë, duke nisur nga inxhinieria, fizika bërthamore dhe shkencat kompjuterike e deri te letërsia angleze, arkeologjia dhe biznesi. Sipas Shirini Ebadi, avokate iraniane, aktiviste e të drejtave njerëzore dhe fituese e çmimit “Nobel” për paqe, ndalesat janë pjesë e një politike qeveritare për të kufizuar mundësitë e grave jashtë vendit.

Ndalesat janë veçanërisht ironike, duke e pasur parasysh faktin se Irani, sipas UNESCO-s, ka shkallën më të lartë të studenteve femra se sa atyre meshkuj në të gjithë botën. Vitin e kaluar, femrat përbënin 60-përqindëshin e të gjithë studentëve që i kaluan provimet universitare dhe femrat ishin ato që kishin kaluar më mirë në disiplinat tradicionalisht mashkullore, siç është inxhinieria, për shembull.

Mund të jetë pikërisht suksesi i madh i studenteve femra – dhe roli i femrave të arsimuara në kundërshtimin e teokracisë në Iran – ai që e nxiti qeverinë të synojë zmbrapsjen e trendit.

Tani, gratë si Noushin, një studente nga Esfahani, e cila i kishte thënë BBC-së se dëshironte të bëhej inxhiniere e makinerisë, nuk mund të përmbushin ambiciet e tyre, me gjithë faktin se marrin nota të larta në provimet e tyre pranuese.

Disa pretendojnë se ideja e barazisë gjinore paraqet një këndvështrim të veçantë kulturor dhe se ne perëndimorët nuk do të duhej të kërkonim t’i impononim vlerat tona në kulturat e tjera. Është e vërtetë se tekstet islamike mbrojnë në mënyra të ndryshme superioritetin e burrit karshi gruas. Mirëpo, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për tekstet hebraike dhe të krishtera; por e drejta në arsimim, pa diskriminim, garantohet në shumë deklarata dhe marrëveshje ndërkombëtare, siç është Deklarata universale e të drejtave njerëzore, me të cilën pothuajse të gjitha shtetet e botës, përfshirë edhe Iranin, janë pajtuar.

Diskriminimi i gruas është pjesë e një modeli më të gjerë të paragjykimit zyrtar në Iran, veçanërisht ndaj atyre që nuk janë as myslimane e as anëtare të njërës prej besimeve pakicë – zoroastrianizmit, judaizmit dhe krishterimit – të njohura me Kushtetutën e Iranit.

Uji Dea

Për t’u regjistruar në një universitet, për shembull, kandidati duhet të deklarohet se është besimtar i njërës prej feve të pranuara. Ateistët, agnostikët apo anëtarët e komunitetit Bahai të Iranit nuk mund të pranohen.

Merreni me mend se si do të reagonim ne nëse dikush do të tentonte të arsyetonte diskriminimin racor me argumentin se është gjë e gabuar të imponohet kultura e njërit te tjetri. Për vite me radhë, megjithatë, ishte “kulturë” në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që pjesëtarët e popullatës me prejardhje afrikane të uleshin në ulëset e prapme në autobus apo që të shkonin nëpër shkolla, spitale dhe universitete të ndara. Ishte “kulturë” aparteidit në Afrikën e Jugut që i bëri zezakët të jetojnë ndaras nga të bardhët dhe i ka ndarë dhe zbehur mundësitë e arsimimit. Apo, thënë më qartë, kjo ishte kulturë e të bardhëve që e mbanin pushtetin nëpër këto vende në atë kohë.

E njëjta gjë po ndodh në Iran. Të gjithë sunduesit e shtetit janë burra dhe myslimanë. Thirrja e liderit Suprem, ajatollah Ali Khamenei, për “islamizim” të universiteteve në vitin 2009 nxiti ndryshimin e disa lëndëve dhe zëvendësimin e një pjese të stafit akademik nga figura më konservatore. Dy muaj më parë, Khamenei tha se iranianët duhet t’u kthehen vlerave tradicionale dhe të kenë më shumë fëmijë – gjë kjo që do të kishte ndikim të qartë në rolin e femrave, larg nga ndikimi ambiental.

Sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit, të cilat janë aktualisht në fuqi, synojnë ta ndalojnë regjimin që të prodhojë armë për asgjësim në masë, e jo ta bindin atë që t’i japin fund diskriminimit të grave dhe të besimeve të tjera. Nuk ka pasur ndonjë bojkotim të përgjithshëm të universiteteve të Iranit apo të prodhimeve të tjera të tij, siç ka ndodhur në rastin kundër aparteidit në Afrikën Jugore. Siç duket, ne ende e konsiderojmë diskriminimin seksual dhe fetar si më pak të rëndësishëm se diskriminimin racor dhe etnik.

Mbase jemi më të gatshëm të pranojmë se dallimet biologjike ndërmjet një burri dhe një gruaje janë relevante për rolet që ata luajnë në shoqëri. Ekzistojnë dallime të tilla dhe ato nuk janë vetëm fizike. Prandaj, ne nuk do të duhej t’i hidhemi konstatimit se nëse shumica e inxhinierëve janë burra, atëherë ka diskriminim ndaj grave. Mund të jetë se më shumë burra sesa femra duan që të bëhen inxhinierë.

Kjo, sidoqoftë, është një çështje krejtësisht tjetër nga ajo nëse femrave, të cilat duan që të bëhen inxhiniere dhe janë të kualifikuara për të studiuar inxhinierinë, duhet t’u ndalohet mundësia për të përmbushur ambicien e tyre. Duke i ndaluar në mënyrë eksplicite femrat nga regjistrimi në lëndët e hapura për meshkujt, Irani ka ndërmarrë një hap po aq të pambrojtshëm sa edhe diskriminimi racor, e kjo gjë duhet dënuar me sa më shumë forcë që është e mundur.

(Peter Singer, profesor i bioetikës në Universitetin e Princetonit dhe profesor laureat në Universitetin e Melbournes, është një prej etikëve më të njohur në botë. Ai është autor i librit: “Etika praktike dhe çlirimi kafsharak: Një etikë e re për trajtimin e kafshëve”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).