Zgjohuni!
Nga Alban Selimi – Tre policë të Kosovës u pezulluan nga detyra, pasi dy nga ta, gjatë kohës sa ishin në orar të punës, në rrugën e ‘Tiranës’ në Prishtinë, ia kishin ‘futur’ gjumë. Ata ishin xhiruar nga gazetarët duke bërë gjumë dhe më pas ato xhirime ishin publikuar.
Vendimi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë mund të duket i rreptë në krahasim me respektimin e ligjshmërisë në Kosovë. Por qëllimi, këtë rast e arsyeton mjetin. Pezullimi, në një vend normal, sigurisht se do të ngjallte debat, mes asaj se a është ligji i barabartë për të gjithë?!.
Apo, të gjithë para ligjit janë duke ‘fjetur’, dhe se dikush tashmë ka filluar të japë shkëndijat e para të zgjimit?!
Vitin që shkoi në Televizionin Publik të Kosovës, pas një hulumtimi disajavësh me ish-kolegë të mi, pata nxjerrë një emision që kishte bërë shumë bujë. Ishte emisioni për kujdestaritë e natës në Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër Kosovë, pas të cilit, figura ime prej gazetari në publik identifikohej kryesisht me personin që i zinte njerëzit duke fjetur. E unë s’e kisha qëllimin t’i zija njerëzit në gjumë, por të reflektoja atë që ndodhte. Ishte kënaqësi, kur në disa vende njerëzit ishin në krye të detyrës.
Pasi patëm nxjerrë në shesh ‘fytyra të kotura’ të shumë mjekëve kosovarë që pas mesnatës flinin në vendet e tyre të punës, kishte rastisur që shpesh edhe të panjohurit të më ndalojnë në rrugë dhe të më pyesin: “Ej, a po flejn doktorat…”?!
Ironia ishte edhe më e madhe, kur gjersa po bëja pushime në bregdet, një i moshuar që më kishte identifikuar në plazh, pasi bashkëshorten e tij e kishte marrë gjumi gjatë pushimeve, më kërkonte që të ofroheshim dhe t’ia nxirrnim gjumin. Kjo, për t’i bërë ‘surprizë’ të moshuarës që e kishte marrë gjumi në breg të detit. “Kemi ardhë për detin këtu, e jo për gjumë”, thoshte plaku me sarkazëm.
Sa tragjike, në kushtet tona, kjo duket edhe shumë komike. Një popull që s’mund të dalë prej tragjedisë që e ka kapluar, tashmë edhe kur është në pushime, detyrohet të tallet me tragjedinë e tij të përditshme. Në pushime s’i pëlqen të flejë, e në punë, s’i pëlqen të punojë!
Nëse kthehemi në situatë normale dhe i kujtojmë pacientët e shumtë që kishin bredhur poshtë e lart gjatë netëve të ndryshme, për të ulur një temperaturë fëmije, për të ndalë një dhimbje dhëmbi, apo ata që nuk kishin arritur t’i ‘zënë’ minutat e artë për të shpëtuar nga vdekja familjarët e tyre pas një infarkti akut, atëherë kjo duket shumë më e komplikuar.
Dikush ka mundur të vdesë, vetëm pse mjeku nuk ishte në gjendje gatishmërie. Apo, derisa ishte kthjellur nga kotja.
Paralelja mes policëve dhe mjekëve është e kollajshme. E përbashkëta e tyre është se edhe policët edhe mjekët udhëhiqen prej doktorëve. Ministri i policisë është kirurg, e ai i shëndetësisë psikiatër!
Policët kujdesen për sigurinë tonë, kurse mjekët për shëndetin tonë. Policët kanë dhënë betim se do të punojnë me nder. Edhe Betimi i Hipokratit e ka këtë qëllim. Por, ku mbetet nderi kur gjatë punës bëhet gjumë?!
Në një kohë, kur jemi para një sfide të fuqishme të ndryshimeve ligjore në shëndetësi dhe tendencës për hapje të një kapitulli me Ligin e ri të Shëndetësisë, pezullimi i policëve jep një pasqyrë larg realitetit që pretendohet.
Ishin këto struktura që patën ligje sanskionuese për gjithë ata mjekë që ishin xhiruar duke bërë gjumë në orar të punës. Dhe asnjë masë. Pak fjalë, e aspak kuptim!
Përgjithësim i gjendjes dhe minimizim i situatës nga ana e Inspektoratit Shëndetësor. Gjumi në kohën kur njerëzit paguheshin për punë, ishte diçka normale për zyrtarët shëndetësorë. Madje, edhe për vetë ministrin e Shëndetësisë.
Dhe sot, kur po presim fillimin e reformimit të shëndetësisë, i cili do të jetë justifikimi njerëzor, (nëse jo ligjor) para policëve të pezulluar. Edhe ata i kanë parë mjekët duke fjetur. Shembulli ishte se bën të flihet në kujdestari dhe askush të mos përgjigjet.
Madje, brenda dhomave të mjekëve nëpër spitale, janë instaluar shtretërit, mbeturina këto të socializmit, ku duhej gjetur një punë për të fjetur apo pushuar, e kurrsesi për të punuar.
Mjekët dhe policët janë shërbyes pune. Ata aq sa paguhen, marrin rrogë për të punuar. Sikurse gjithë tjerët. Por, ligji po del të mos jetë i barabartë në këto paralele. Policët që flenë në punë tashmë mund të shkojnë në shtëpi. E ky shembull s’po ndiqet prej institucioneve shëndetësore. Apo, ata që duhet të ndërmarrin masat adekuate ligjore, mbase janë në gjumë edhe më të thellë se vetë mjekët që u panë të kotur. Që të dalim nga kotja, psikiatrit i duhet të jetë më i prerë, apo t’ia lëshojë vendin një polici kirurg!
(Autori është redaktor në gazetën Tribuna)


