RCCOLA

Zgjedhjet, “kandar” për qeverinë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Zgjedhjet lokale do të jenë “kandar” për subjektet politike, të cilat do masin fuqinë e tyre elektorale. Në zgjedhjet e 3 nëntorit do të dihet se kush janë gladiatorët më të fuqishëm në Kosovë, ndërsa pas zgjedhjeve do të dihet edhe për stabilitetin e Qeverisë Thaçi. Zgjedhjet komunale, sipas analistëve politikë, do të vendosin nëse qeveria e kryeministrit Thaçi do të qëndrojë në të “dyja këmbët”,apo do të mbetet me “patericë”.

Muhamet Kelmendi, njohës i zhvillimeve politike konsideron se pas zgjedhjeve lokale qeverisë i kanë mbetur dy rrugë:ose të formojë një qeverie të re, pra koalicion të ri me subjektet tjera politike, apo të krijojë edhe një qeverie teknike me partitë tjera politike, ose rruga e dytë i mbetet të shkohet drejtë zgjedhjeve të jashtëzakonshme. “Pra, pas 3 nëntorit Qeveria do të shikojë krijimin e një koalicioni të ri, apo edhe krijimin e një qeverie teknike dhe në mungesë të këtyre dy opsioneve do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Kelmendi, duke shtuar se kalkulimet do të fillojnë tek pas zgjedhjeve lokale,ku partia në pushtet do t’i shikojë një nga një numrat që i ka brenda partisë, por edhe në Kuvendin e Kosovës në përgjithësi.

Sipas tij, zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës me bojkotimin e seancave plenare për rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Post-Telekomit të Kosovës treguan se Kosova udhëhiqet nga pakica. “Kemi një qeveri të pakicës, e cila nuk e ka as shumicën relative e normalisht as atë absolute në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, vetë fakti i mospjesëmarrjes së mazhurancës në seancat plenare të Kuvendit për çështje të rëndësishme, jep me kuptue se kemi një qeveri të pakicës, e cila nuk është funksionale”, ka thënë ai.

Ndërkaq, zëvendëskryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Behar Selimi nga Partia Demokratike e Kosovës, pranoi se fuqia e shumicës është dobësuar në Parlament, porse nuk pajtohet që Qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi e ka humbur shumicën. ”Është dobësuar shumë shumica në Kuvend, por megjithëkëtë akoma nuk është humbur shumica”, ka thënë ai, duke shfaqur mendimin se pas zgjedhjeve komunale të 3 nëntorit nuk do të ketë nevojë për ndonjë mocion votëbesimi për Qeverinë e Thaçit.

“Sa i përket mundësive për mocion ekziston si mundësi, por nuk konsiderojë se do të ketë diçka të tillë në të ardhmen e afërt. Pres që partitë politike të angazhohen në reformën zgjedhore dhe vendi të shkojë në zgjedhje të rregullta parlamentare që janë paraparë të mbahen vitin e ardhshëm”, ka thënë ai.

Eco Higjiena

Por, për dallim nga deputeti Selimi, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se partia e saj është duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë, duke mos përjashtuar mundësinë e ngritjes së një mocioni votëbesimi ndaj qeverisë pas zgjedhjeve komunale.

“Ne jemi duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë, por votat për të cilat ne jemi të sigurt janë vetëm votat e deputetëve të LDK dhe nuk mund të paragjykojmë se si mund të votojnë deputetet tjerë të subjekteve politik. Pra duhet një konsultim më i gjerë i partive opozitare në radhë të parë dhe pastaj deputetëve tjerë. Pra, menjëherë sapo të përfundojë procesi i zgjedhjeve komunale dhe pasi të dihet saktësisht se si do të votonte secili deputet, vetëm atëherë do të dihet se çfarë veprimi mund të ndërmerret, pasi që një veprim i tillë nuk duhet të ndërmerret nëse sado pak ka mundësi që të dështoj”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në të njëjtën kohë duhet parasysh se duhet finalizohet Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, i cili është në reformim e sipër. Deputetja Osmani, ndërkaq ka theksuar se qeveria e kryeministrit Thaçi i ka ditët e numëruara. “Kjo qeveri gjithmonë ka qenë qeveri e pakicës sepse partitë që janë në koalicion kanë më pak vota të shqiptarëve, se sa që kanë partitë në opozitë. Pra gjithmonë e ka përfaqësuar vetëm pakicën shqiptare dhe se është e qartë se kjo qeveri i ka ditët e numëruara , pasi që s’po mund t’i menaxhojë partitë që i ka në koalicion brenda të cilave ka përçarje dhe dallime të mëdha”, ka deklaruar ajo.

Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, thotë se ka kohë që mazhuranca e ka humbur shumicën dhe nuk është më mazhurancë në Kuvendin e Kosovës.

“Deri më tani është një pjesë e opozitës që po e mban qeverinë të pa rrëzuar, pasi që opozita është e paorganizuar. Duke qenë opozita e paorganizuar ka gjasa që qeveria ta rrëzojë vetveten”, ka thënë ai, duke shtuar se rrëzimi i qeverisë së Thaçit është domosdoshmëri. Deputeti Selimi, rikujton se Kosova nga fillimi është udhëhequr nga qeveria e pakicës dhe kjo sipas tij, po vërtetohet edhe në rastet e fundit ku shumica ka bojkotuar punimet e Kuvendit.”Kjo i bie defakto se qeveria dhe mazhuranca kanë hequr dorë nga mandati që e kanë pasur deri më tani”, ka thënë ai./zeri/