RCCOLA

Zgjedhjet e lira dhe MSA-ja

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Vjosa Osmani – Sadriu – Kosova filloi një kapitull të ri në procesin e integrimit evropian. Fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA), pa dyshim që është lajm i rëndësishëm. Raporti i Progresit potencon rolin e rëndësishëm që ka pasur Kuvendi i Kosovës në këtë drejtim. Sikur procesi të përmbyllej si duhet, qytetarët e Kosovës do të mund të gëzonin përfitime të rëndësishme nga ky hap.

Mirëpo sikur edhe në shumë procese të rëndësishme që kanë të bëjnë me agjendën evropiane të Kosovës, më me rëndësi se hapja e negociatave do të jetë mbarëvajtja e tyre. Për dallim prej procesit të liberalizimit të vizave, ku kryesisht kërkohet plotësimi i kritereve që janë detyra shtëpie për Qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore, MSA do të negociohet, pra Kosova do të ketë mundësi të negociojë çështje të caktuara me Bashkimin Evropian, dhe jo vetëm të pranojë çdo kërkese si akt të kryer.

Sfidat kryesore të Kosovës në këtë proces, megjithatë, janë të ngjashme me ato që i kemi dëgjuar edhe në vlerësimin për liberalizimin e vizave, por edhe në Raportet e përvitshme të Progresit. Korrupsioni, krimi i organizuar, pavarësia e gjyqësorit, administrata publike etj., janë vetëm disa nga kritikat e zakonshme që na përsëriten nga viti në vit. Por më shumë se asnjëherë tjetër, zyrtarë të Komisionit Evropian, të ambasadave të shteteve të fuqishme të BE-se dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, potencojnë rëndësinë kruciale të një procesi të rregullt e të lirë zgjedhor si parakusht për përmbylljen e suksesshme të MSA-së.

Zgjedhjet e lira dhe të rregullta janë parakusht për çdo zhvillim tjetër demokratik. Në fakt, as nuk mund të flitet për realizimin e të drejtave të tjera të njeriut, nëse qytetarët nuk mund ta shprehin votën e tyre lirshëm, pa presion, dhe pa u abuzuar e deformuar vullneti i tyre.

Siç po e shohim, një proces i abuzuar dhe i deformuar prodhon institucione jolegjitime që abuzojnë pushtetin dhe interesin e qytetarëve. Qytetarët e Kosovës tashmë këtë e dinë mirë. Një pushtet i tillë, që rezulton nga votat e vjedhura, është e pritshme që pastaj të shkelë edhe të drejta e tjera të qytetarëve, qofshin ato individuale apo kolektive.

Pra lidhshmëria e të drejtës së votës me të gjitha të drejtat e tjera është e padiskutueshme. Prandaj edhe Kushtetuta e Kosovës ka paraparë se të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme e të patjetërsueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës.

Uji Dea

Duke u nisur nga këto premisa, as nuk mund të flitet për plotësim të suksesshëm të ndonjë nga kriteret e tjera në qoftë se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit përshkohen me raste të abuzimit e vjedhjes, siç ka ndodhur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010. Këtë radhë edhe komuniteti ndërkombëtar këmbëngul se nuk do t’i mbyllin sytë para abuzimeve të tilla.

Një numër i rëndësishëm i vëzhguesve ndërkombëtarë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë janë duke e përcjellë fushatën zgjedhore dhe aktivitetet e partive politike. Këta vëzhgues do të jenë të pranishëm në të gjitha komunat për të vëzhguar nëse ka parregullsi më 3 nëntor. Asnjë cenim i të drejtës së votës nuk do të kalojë i pavëzhguar nga ana e tyre, dhe do të jetë pikërisht raporti i këtij grupi të vëzhguesve që do të determinojë nëse Kosova do të ecë përpara në agjendën e saj evropiane si shtet që arrin të mbajë zgjedhje të rregullta, apo do të vazhdojë të përshkruhet si çerdhe e vjedhjes industriale të votave.

MSA-ja varet nga ky proces zgjedhor dhe mesazhi kryesor do të jepet më 3 nëntor. Përgjegjësia kryesore, natyrisht, bie mbi partitë politike. Partia në pushtet, e cila edhe e ka pushtetin falë vjedhjes së votave, do të tentojë të përsërisë taktikat e vjetra (e edhe disa të reja) në mënyrë që sërish të deformojë vullnetin e qytetarëve. Por, me mijëra vëzhgues e komisionarë që i mbyllin sytë para fenomeneve të tilla, apo bëhen pjesë e tyre, do të përfundojnë në burg. Kodi i ri penal përfshin një kapitull të ri që ka të bëjë me keqpërdorimin e votës dhe parasheh dënim me burg për vepra të tilla.

Keqpërdoruesit nuk do të shpëtojnë këtë radhë. Vota do të mbrohet me çdo kusht. Prandaj qytetarët duhet të bëhen pjesë e këtij qëllimi, pra mbrojtjes së votës dhe vullnetit të tyre, duke marrë pjesë në mënyrë masive në zgjedhjet e 3 nëntorit. Vetëm në këtë mënyrë fuqia e votës do ta mposhtë fuqinë e vjedhjes.

(Autorja është deputete në Kuvendin Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)