VV prezanton programin qeverisës për kulturën

Gjilan – Në Qendrën për Art Bashkëkohor “VARG E VI”, kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit, Ismajl Kurteshi, prezantoi programin dhe vizionin e tij konkret dhe të qartë qeverisës për kulturën. Kurteshi nga VV! ka prezantuar idetë dhe objektivat e tij për zhvillimin e kulturës në Gjilan, për katër vitet e ardhshme të qeverisjes lokale.
Në fillim të paraqitjes me slajde të programit qeverisës për kulturën, Kurteshi ka treguar se si buxheti për Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, mbetet buxhet i vockël dhe i koncentruar më shumë në paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime, dhe se si në vitin 2013, nuk ishte i orientuar fare në shpenzime kapitale dhe nuk do të ketë ndryshime fare as për vitin 2014. Ai ka treguar se çfarë do të bënte si kryetar i komunës, me këtë buxhet të vockël për kulturën. “Rishikimi i kolonave buxhetore duke mos lejuar që paratë të shpenzohen aq shumë në mallra dhe shërbime, dhe rritja e shpenzimeve kapitale për kulturën; kontrolli rigoroz i parave publike dhe menaxhimi i ndershëm financiar, nënkupton më shumë para për kulturën dhe asnjë cent për zyrtarët komunalë. Sipas raportit të fundit të ZAP-it, shpenzimet komunale janë përcjellur me dobësi të kontrollit. Këto dobësi ndërlidheshin me vonesa të tejzgjatura në përfundimin e punëve, tejkalim të kontratave për mallra, klasifikimi jo i drejtë i shpenzimeve dhe subvencioneve të parregullta. Pra, do të kontrollojmë çdo cent të shpenzimeve; presion i shtuar ndaj Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport për të ndihmuar kulturën në komunë. Paratë për kulturën vijnë nga buxheti komunal, grantet qeveritare, donatorët e huaj dhe vendorë, etj. Ne do të shtojmë donacionet vendore dhe të huaja sepse donacionet jo vetëm që ndërlidhen me shkathtësitë e të shkruarit të projekteve, gjetjes së donatorëve, por edhe krijimit të besimit të donatorëve. Sipas të gjitha raporteve vendore dhe ndërkombëtare, komunat dhe Qeveria janë të zhytura në korrupsion dhe kjo do të thotë edhe humbje e besimit të donatorëve. Ne synojmë rikthimin e besimit dhe ka shumë organizata të huaja dhe vendore që interesohen për financimin e aktiviteteve kulturore. Po ashtu, do të kemi politika radikale të kursimeve” – ka thënë Kurteshi që në fillim të prezantimit të programit qeverisës për kulturën dhe vështirësive financiare që lidhen me këtë fushë.
Në fushën e teatrit dhe kinos, Kurteshi ka thënë se, do të angazhohemi të sigurojmë të ardhura të qëndrueshme për aktorët; pranimi i shërbyesve profesionalë në teatër përmes audicionit të hapur dhe gjithmonë përmes konkursit publik; rinovimi i hapësirës në hyrje të sallës së kuqe të teatrit (suvatimi, dizajni dhe përshtatshmëria ideo-estetike konform standardeve bashkëkohore të fuajeve të teatrove); inkurajimi i aktorëve për të shtuar shfaqjet për fëmijë, performancat, lojërat dhe cirqet, qoftë edhe në ambiente të hapura publike; ndërtimi i galerisë së arteve, funksionalizimi i kinos.
“Qyteti nuk mbulohet nga panot e shfaqjeve teatrore apo filmave, por nga pano vetëm të njoftimeve për mbrëmjet në disko apo posterë politikanësh në fushata. Me ne kjo do të ndryshojë, sepse duhet të ndjehet fryma kulturore e artit në krejt qytetin” – ka shtuar Kurteshi, duke ironizuar frymën antikulturore që ka krijuar kjo qeverisje në komunë.“Do ta mbështesim përfundimin sa më parë të ndërtimit të Bibliotekës Rajonale në Gjilan, do të bëjmë sa të jetë e mundur të pasurojmë bibliotekën me titujt e rinj, do të përzgjidhet drejtori me kritere profesionale dhe me konkurs të hapur publik, do të nxitet leximi përmes stimulimit financiar dhe fushatave të vetëdijesimit në bashkordinim me shkrimtarët dhe shkollat” – ka thënë Kurteshi.
Sa i përket muzeut, Kurteshi ka thënë se objekti ku vepron kryetari i komunës, do të shndërrohet në muze, por kjo do të bëhet jo bash në fillim të vitit të parë të mandatit.
“Rinovimi dhe mirëmbajtja e qendrave kulturore në fshatrat e Gjilanit (suvatimi i brendshëm dhe i jashtëm, riparimi i kulmit, etj.) dhe ngjallja me aktivitete të larmishme kulturore, duke mos mbetur fshatrat vetëm me ngjarje kulturore si “ditët e shkollës” njëherë në vit. Bartja e disa projekteve kulturore që bëhen në qendër të qytetit edhe në mini-qendrat kulturore në fshatra dhe periferi, do të jetë objektivi ynë që është në programin tonë qeverisës kulturor dhe nuk do të jetë diskriminimi për fshatrat, siç ka ndodhur deri më tani” – ka siguruar komunitetin e artistëve Kurteshi.
Ai ka folur për përkrahjen që do ta kenë ansamblet e vallëzimit tradicional dhe do të inkurajohen të rinjtë të merren me vallëzim tradicional dhe modern. “Nuk do të kenë më probleme ansamblet tona të vallëzimit, që të mos kenë hapësirë ku të ushtrojnë veprimtarinë e tyre të vallëzimit. Sot ato ushtrojnë në “Thimi Mitko” dhe po ashtu edhe aty paraqiten probleme herë pas herë, sepse nuk dihet se kush e posedon çelësin dhe mbesin pa ushtrime, siç na kanë thënë drejtuesit e ansambleve, gjatë takimit që kemi pasur me ta” – ka shtuar Kurteshi.
Kurteshi ka përmendur edhe mbajtjen e koncerteve klasike dhe mbështetjen e artistëve dhe të shkollës së muzikës, për të organizuar koncerte klasike. Ai ka përmendur edhe sjelljen e ndonjë këngëtari që kultivon muzikën xhaz, për të qenë i pranishëm në ambientet tona kulturore.
“Fuqizimi i “Flakës së janarit” dhe pasurimi ideo-artistik i festivalit duke e bërë festival të identifikimit kulturor me qytetin, krijimin e vullnetarëve për ndihmesën gjatë tërë kohës sa zhvillohet festivali dhe marrja e këshillave, sugjerimeve dhe propozimeve të takimit të gjithëmbarshëm me artistë të fushave të ndryshme, dy muaj para kohës; hartimi i rregullores mbi festivalin kombëtar “Flaka e Janarit”. Për shembull, kriteret e konkursit për organizimin e orës letrare, heqja e monopolit nga vetëm një OJQ; mbështetja e manifestimeve ekzistuese poetike; mbështetja e manifestimeve përkujtimore mbi martirët, dëshmorët dhe heronjtë e kombit, parashihet po ashtu në programin tonë qeverisës kulturor” – ka thënë Kurteshi.
Kandidati Kurteshi ka thënë se do të nxitet krijimtaria, botimet dhe do të ketë kontrolle rigoroze të subvencionimit të veprave me kritere objektive nga komisione profesionale. Ai ka folur edhe për përkrahjen praktike të personave me nevoja të veçante në përfshirjen në aktivitete kulturore.
Pas prezantimit ka pasur pyetje të shumta nga aktorët e qytetit, piktorët dhe pjesëmarrës të tjerë. Njëra ndër pyetjet më dominuese ka qenë problemi i pagave të aktorëve dhe Kurteshi ka thënë se aktorët do të kenë të ardhura të qëndrueshme dhe do të ketë konsultime shtesë për aspektin ligjor të rregullimit definitiv të kontratave të tyre, në mënyrë që asgjë të mos bëhet jashtë ligjit. Sipas Kurteshit, tani për tani, mbetet t’i sigurojmë aktorët se do të paguheni, ndërsa për variantin e kontratës, mbetet të shihet rregullimi ligjor se si parashihet kjo, në mënyrë që të jemi gjithmonë në pajtim me ligjet në fuqi thuhet në njoftimin e VV në Gjilan./rajonipress/