UBT

VV: Gadishi , fshati më i harruar nga qeverisja lokale

/ 9 minuta lexim

Gjilan – Gadishi është një fshat me shumë familje dhe shtëpi që nuk do të donin kurrë të emigronin në zonat urbane dhe të braktisnin vendlindjen. Ndonëse po bëjnë jetesën e tyre në kushte të rënda socio-ekonomike, komuna e Gjilanit në vend se të investonte më shumë në infrastrukturën fizike, kanalizim, asfaltim të rrugicave kryesore, ndriçim publik në pjesën kryesore të fshatit, subvencione në bletari, blegtori, bujqësi dhe pemëtari, ajo e ka harruar në tërësi Gadishin dhe nuk po bënë asgjë që të inkurajonte banorët të vazhdonin të qëndrojnë në vendbanimin e tyre.

“Ju që po mundoheni të jetoni këtu, ndonëse me shumë pengesa për jetesë normale, komuna do të duhej të bënte shumë më shumë. Atje në zonat e qytetit, shumë familje që kanë lënë fshatin për të jetuar në qytet, kanë probleme me strehim dhe nevoja për asistencë sociale. Ju që po jetoni në fshat dhe nuk po e braktisni atë, do të kenë mbështetje të veçantë nën udhëheqjen tonë” – u ka thënë banorëve, kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit, Ismajl Kurteshi, gjatë vizitës disa orëshe që i bëri fshatit Gadish, bashkë me disa nga asamblesitët dhe aktivistët e Lëvizjes VV.

“Kurrë nuk na vizitojnë. Kurrë nuk dëgjojnë hallet tona. Shumë moti dikur kanë qenë për të na kërkuar votën. Besoj se këtë muaj sillen kësajde, por jemi shumë të zhgënjyer me ta. Për komunën e Gjilanit nuk ekzistojmë. Vetëm shihni se si asnjë pjesë e rrugës nuk është e asfaltuar përveç rrugës kryesore që lidh këtë malësi dhe që kemi dalje në Lypjan. Fshati Gadish ballafaqohet me kushtet elementare për jetesë normale, si: papunësia, varfëria, rastet e shumta me asistencë sociale, rinia krejt e papunë, vështirësitë financiare për pagesën e transportit për në Gjilan për çdo ditë, infrastruktura (kanalizimi brenda oborreve të shtëpisë dhe kundërmimet e rënda, rrugët e paasfaltuara, s’ka ndriçim publik askund, ka shtylla elektrike që kanë nevojë për ndërrimin e tyre dhe janë rrezik për banorët, elektrifikimi nuk është i kënaqshëm dhe stabil sa duhet), nevoja për rinovimin e shkollës, mungesa e investimeve në bujqësi, bagëti, etj.” – thotë Flamuri, një banor i ri, me një aftësi të jashtëzakonshme të ciceronit dhe me mirësjellje të veçantë teksa të rrëfen për sfidat e të jetuarit në Gadish.

“Në sezonin dimëror, këto rrugë të paasfaltuara ta shtojnë mllefin dhe të mbyllin edhe më shumë në shtëpi. Krejt fshati është i paasfaltuar” – vazhdon rrëfimin ai.
Flamuri pasi tregon për fshatin, ka për të thënë edhe diçka për veten e tij, që të shkakton drithërima të tragjikes sociale. Banorët e Gadishit nëse kanë vendosur për të mos braktisur fshatin dhe të vendosen në zonat urbane, nga gjendja e rëndë ekonomike janë detyruar të marrin rrugët e emigrimit. “Unë isha ai që më keni parë në kronikat e KTV-së. Ishim në kampet e burgut në Hungari. Shkuam për një jetë më të mirë dhe akoma po i vuajmë pasojat e ikjes dhe kthimit në shtëpi. Nuk ka shpresë për vende pune dhe jetë më të mirë. Por as ajo nuk ishte zgjidhja, por njeriu nga hallet, merr botën në sy dhe kërkon një fat më të mirë” – rrëfen Flamuri, i cili bashkë me një bashkëvendës të tij, ia kishin mësyer gurbetit.

Është shqetësuese teksa sheh se si në Gadish ka aq shumë të rinjë të papunë, ndërsa gjenerata më e moshuar është më e punësuar krahasuar me shumicën e të rinjve, qoftë për shkak të hyrjes në punë në rrethana të tjera, por edhe qoftë edhe për faktin se janë pakicë krahasuar me grupmoshat e reja që dominojnë.

Një vajzë rreth moshës 25-vjeçare, tregon për ëndrrat e saj të parealizuara dhe se si ka qenë nxënëse me sukses shembullor, por për shkak të kushteve të rënda sociale dhe ekonomike, nuk ka mundur të vazhdojë shkollimin e mesëm dhe ka mbetur vetëm me nivelin fillor. “Shumë e kam dashur shkollën. U detyrova ta lë, sepse nuk i kishim mundësitë për shkollim. Shkollimi po ka shpenzime, por një gjë e di se kjo do të më mbetet ndër dëshirat më të paharruarat” – thotë vajza, teksa emocionet në fytyrën e saj, veçmas atë të dhembjes, nuk i fsheh dot.

Afër saj, flet një vajzë tjetër, e cila shpreh të njëjtin dert. “Unë mbarova shkollën e mesme për dizajn dhe modë, por nuk pata mundësinë për të vazhduar studimet universitare pë shkak të kushteve financiare” – shprehet ajo, e cila manifeston në mimikat e saj, po ashtu, dëshirën për shkuarjen në fakultet.

Uji Dea

Me këtë rast, kryetari Kurteshi u ka premtuar dyfishimin e bursave sipas programit qeverisës lokal dhe u ka thënë se për to do të bëhet çdo gjë që është e mundur. “Absolutisht pas 3 nëntorit paraqituni në komunë. Ju jeni raste të cilat do të bëjmë domosdoshmërisht diçka për ju. Nëse komuna ju ka harruar deri më tash, ne nuk mund të rrimë duarkryq, sepse arsimi është prioriteti më i rëndësishëm për komunën, shtetin dhe shoqërinë. Po ju them edhe njëherë, ju do të jeni të mbështetura nga komuna, e veçmas do t’i kushtojmë rëndësi arsimimit universitar të vajzave që nuk kanë mundësi materiale dhe t’i ofrojmë bursa studimore” – i ka siguruar Kurteshi.

Një banor tjetër nga Gadishi, shprehu shqetësimin tjetër të nevojës për ndërrimin e emërtimit të shkollës “Afërdita”, sepse sipas tij, kjo tingëllon si e imponuar ideologjikisht. “Emri Afërdita nuk duket me rëndësi dhe me domethënie të veçantë, prandaj ne do të donim që të emërtohej me emrin e dëshmorit të kombit nga fshati Gadish, Nijazi Osmanit” – thotë ai mezoburrë, teksa shpreh dëshirën që emri i shkollës të bëhet me njërin nga emrat emblematikë të Gadishit dhe luftës së fundit të UÇK-së.

Të tjerë banorë rrëfejnë shqetësimin e dhënies së tenderit për drunjtë për kompani të komunave tjera si ajo e Shtimes dhe kryekëput njerëzve të pasur të lidhur me politikën. “Kur fshatarët e varfër nuk kanë kah t’ia mbajnë dhe presin drunjtë për ngrohje, provohet të zbatohet ligji për ndëshkim, me përpikmëri. Mirëpo, sa dallavere ka me tendera për drunjtë e konfiskuara dhe abuzimi me drunjtë e tjerë, është e habitshme. Këta e ndëshkojnë më shumë ‘zinginin’, por jo edhe ata që kanë” – është shprehur një banor.

Përveç takimit me banorët e Gadishit në një lokal mjaft ekzotik, i rrethuar nga natyra dhe gjelbërimi shijues përreth, Ismajl Kurteshi bashkë me disa nga asambleistët dhe aktivistët e Lëvizjes VV!, kanë vizituar familjen e dëshmorit të kombit, Nijazi Osmanit, vllaun e dëshmorit. Ai falënderoi Kurteshin për vizitën dhe dytë kujtuan vuajtjet e popullatës së kësaj malësie dhe thirrën për kujtimin e përhershëm për dëshmorët e kombit dhe sakrificën për liri.

Më pas, Kurteshi me të tjerët dhe bashkëfshatarët e Gadishit, kanë shkuar për vizitë në disa familje të cilat kanë kushte shumë të rënda sociale dhe me vështirësi edhe në hapësirat banuese. Rasti më i rëndë social ishte i një familjeje e cila kishte në oborr për një kohë të gjatë bllokat e kuq dhe hekurin – si materiale ndërtimore të ndërtimit të shtëpisë – por që askush nuk e ndihmoi që të mund t’ia fillonte shtëpisë akoma edhe sot.

Në fshatin Gadish, ndonëse për nga ligjësitë e natyrës, mjaft i bereqetshëm me ujë dhe furnizimit vetëm me puse, i rrethuar me kodra të ngrohta, nuk ishte investuar asnjë cent nga asnjë qeverisje lokale e qendrore. Shumica absolute e banorëve janë shprehur se fshati i tyre është në tërësi i harruar dhe i pandihmuar nga komuna. “Është fshat i pashkelur nga komuna. Asnjë investim të mos bëhet për kaq shumë vite në fshatin Gadish, asgjë nuk mund ta arsyetojë këtë diskriminim. Kemi pasur edhe asambleistë tanë të fshatit, por ata asgjë nuk kanë bërë. Bash asgjë. Këtu ka shumë familje të varfëra dhe janë harruar të gjitha” – u shpreh njëri banor dhe shpërtheu në zemërim.

Përveç Gadishit, Ismajl Kurteshi bashkë me zyrtarë tjerë të Lëvizjes, janë ndalur për vizita dhe kontakte me banorët e fshatit Kishnapole, por edhe në fshatin Ponesh. Edhe këto dy fshatra, kanë shumë probleme me të cilat po ballafaqohen dhe banorët kanë shprehur shpresën se ndryshimet kësaj radhe do të jenë të sigurta, ngase këto ndryshime po vijnë nga vetë vullneti i qytetarëve, gjegjësisht zhgënjimi i thellë me këtë pushtet lokal thuhet në njoftimin e VV në Gjilan./rajonipress/