Vlora , shpalli pavarësinë në të gjithë territoret shqiptare
Nga Florim Brahimi- Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave shqiptare, të cilët dërguan përfaqësuesit e tyre në kuvend. Kuvendi e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë. Edhe qeveria shqiptare e Ismail Qemalit doli në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullsisë shqiptare dhe e të gjitha tokave shqiptare, edhe pse një pjesë e madhe e tyre ishte e pushtuar nga ushtritë e shteteve ballkanike.
Deklaratat e notat e protestës, që kjo qeveri u dërgoi shteteve ballkanike e komandave të tyre ushtarake, në të cilat kërkoi largimin e menjëhershëm të forcave të huaja ushtarake nga trojet e pushtuara shqiptare dhe kthimin e tyre Shqipërisë, u bënë në emër të Asamblesë Kombëtare që përfaqësonte të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët.
Me aktin e 28 Nëntorit 1912, sanksionohej e drejta e pamohueshme historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e veta, krahas popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Kjo ishte një e drejtë që buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin dhe me historinë e vet, e drejtë e fituar me mundime e sakrifica të panumërta në llogoret e luftës, e drejtë që i takonte për ndihmesën e vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë.
Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar.
Delegatet e Kuvendit të Vlorës 1912, shpallën Shqipërinë Etnike, jo Shqipërinë e sotme Londineze. Delegatët vinin nga të gjitha trevat shqiptare. Edhe pse ne rrethana te pushtimit të territoreve shqiptare, ku një pjesë e madhe e delegatëve të Kuvendit nuk kishin mundur të arrinin. Kuvendi megjithatë në mënyrë unanime shpalli mëvetësinë e saj me 28 nëntor ora 14:00 të vitit 1912.
Edhe pse në fillim ishin prezent vetëm 37 delegat, ky numër arriti gjatë ditëve në vijim në 63 delegatë.
Një ditë pas 28 nëntorit, arriti Isa Boletini me shumë trima, në sheshin e Vlorës, ku u prit nga Ismail Qemajli dhe e gjithë popullata e Vlorës. Ishte aq pritje madhështore, sa që Isa me trima u entuziazmua aq shumë. Pas një ndenjë të gjatë bisede e kënaqësie të Isës me Ismail Qemajlin, ky i fundit i shprehet:“Luftërat tuaja, ishin baza e përpjekjeve të mia, ju me dyfek e unë me pendë”, që dëshmon se shqiptarët ishin të bashkuar dhe kontribuuan për të formuar një shtet të përbashkët e të vetëm.
Pjesëmarrja në kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë,duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtria serbe, malazeze, greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare.
Nga Kosova përpos Isa Boletinit i cili erdhi një ditë pas, të tjerët si: Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj., ndodheshin në burgun e Beogradit, si dhe Bajram Curri, i cili,ndonëse u nis për në kuvend, u pengua përgjatë rrugës.
Kuvendi i Vlorës, hodhi themelet e shtetit të ri shqiptar. Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë, përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej: Rrafshit te Dukagjinit në veri e deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim e deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në territoret e Preshevës e të Kumanovës në Lindje.
Pra, Shqipërinë e sotme nuk e shpalli Vlora. Shqiptarët edhe pas 100 viteve nuk e quan në fund zotimin e delegatëve të Vlorës. Ky shtet shqiptarë, që ne kemi sot, Shqipëria, me kufijtë e tanishëm, janë pre e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, të cilët me 1913 vendosën të linin jashtë përbërjes së shtetit të ri shqiptar: Kosovën, Çamërinë, Shkupin, Tetovën, Ulqinin, Plavën, Gucinë, Ohrin, Strugën, Dibrën,etj. është Shqipëria Londineze, e copëtuar.
Kjo Shqipëri u njoft pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, përkatësisht pas Konferencës së Paqes në Paris. Shpallja e Pavarësisë së shtetit shqiptarë me të gjitha territoret e veta,nuk u njoft kurrë nga askush.
Kjo Konferencë ndau shqiptarët në 5 hise, si atë:shqiptare, serbe, malazeze, maqedone e greke.
I vetmi ndryshim nga viti 1913 është se u formua shteti i Kosovës. Por ky shtet prapë se prapë u formua jo me gjithë territoret që kishin mbetur në kuadër të Serbisë, si:Presheva, Medvegja, Bujanoci, e poashtu pjesë tjera që ishin marr që prej vendimeve të Konferencës së Shën Stefanit.
Megjithatë, formimi i shtetit të Kosovës është një e arritur e madhe dhe është një shembull se territoret nën sundim nuk mbahen gjithë. Por prapë se prapë shqiptarët jetojnë në dy shtete, jo në një siç kishte vendosur Vlora.
Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, janë ende në fuqi në një far forme edhe pse ndërkombëtarisht njihen si vendime që shkuan në dëm të popullit shqiptar.
Përse Ballkani, mbetët ende edhe sot një vatër e mundshme e trazirave dhe luftërave.
Jo më kot, Isa kishte thënë:“Pa zgjidhjen e Çështjes shqiptare, nuk ka paqe në Ballkan”.
Sot pas 100 vite, Çështja shqiptare ende nuk është zgjidhur. Por, megjithatë, Shqiptarët kudo që janë, kanë të drejtë të festojnë, sepse kanë një gjuhë, një komb, një flamur kombëtar dhe kemi një Vendim të Vlorës, i cili më 28 nëntor 1912, shpalli pavarësinë e Shqipërisë me të gjitha territoret shqiptare.
Përkundër që asnjëherë nuk u njoft e asnjëherë nuk u jetësua, ky akt, moralisht e shpirtnisht, ka mbajtur gjallë frymën e bashkimit, e të qenurit një e të pa ndarë, përgjatë një shekulli.
Urime të Gjithëve 100 Vjetori, Lavdi gjithë atyre që ranë në luftëra të ndryshme për 100 vite rresht, për ta jetësuar Vendimin e Vlorës.
Autori është kryetar i Degës së Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Viti.