Vjeshta e rëndë politike
Nga Blerim Shala – Pas 3 nëntorit, do të ndryshojë, për të mirë ose për të keq, gjendja e pezullt që është trashëguar në Veri që nga viti 2008, dhe një tjetër situatë e njejtë (e pezullt), e cila është kryetipari i politikës kosovare që nga dhjetori i vitit 2010.
Do të jetë kjo vjeshta më e rëndë politike e Kosovës prej se është shpallë Republika e Kosovës, në shkurtin e vitit 2008.
Shumëçka të përkujton, sa i përket kësaj stine politike, në këtë vit, vjeshtën e vitit 2010 kur për fare pak javë u bë hi e pluhur stabiliteti i një koalicioni Qeverisës (PDK, LDK), dhe më pas, kur u godit tepër rëndë besimi që ne jemi në gjendje të organizojmë zgjedhje si duhet, pas dështimit të madh të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të dhjetorit të vitit 2010.
Sa për përkujtim: Ne sot e kësaj dite jemi duke paguar, si shoqëri, si politikë, ‘borxhin’ e vjeshtës së vitit 2010.
Zhbërja e kësaj trashëgimie të keqe nuk mund të ndodhë dot me një të rame (si thuhet), por me një proces politik i cili si pikënisje të vetin duhet të ketë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike me 3 nëntor të këtij viti. Javën e kaluar Komisioni Qendror Zgjedhor ka nisë përmbylljen e certifikimit të partive politike dhe të nismave qytetare që do të garojnë në këto zgjedhje. Për shkaqe të njohura tashmë, në organizimin e votimeve në Veriun e Kosovës, KQZ do të ndihmohet nga OSBE-ja.
Por duhet thënë me të parën: Pakçka, sa i përket fatit dhe cilësisë së zgjedhjeve të 3 nëntorit është në duartë e KQZ-së dhe të OSBE-së. Edhe një KQZ dhe OSBE e përsosur (e ato janë larg kualifikimit të kësisojt), nuk do t’i dalin të organizojnë zgjedhje të mira në gjithë Kosovën, poqëse nuk do të ketë vullnet të sinqertë politik të atyre që garojnë për ta marrë mandatin prej qytetarëve të Kosovës për të qeverisur me komunat e vendit.
Aktualisht, thuaja i gjithë përqëndrimi i politikës kosovare, i faktorit ndërkombëtarë dhe i opinionit kosovar është tek procedurat që do të ndiqen për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Veri të Kosovës, si dhe tek mënyra se si do të duhej të ndodhte integrimi politik i qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës. Rëndësia e votës së lirë, në Veri të Kosovës, për autoritetet lokale në katër komunat e kësaj pjese të vendit, të cilat duhet të jenë lojale ndaj autoriteteve qendrore të Kosovës, ndaj kornizës ligjore të Kosovës, është e jashtëzakonshme. Këtu, mbase, çdo diskutim a debat është i tepërt.
Caku është fare i qartë dhe ai nuk guxon që të kontestohet e lëre më të komprometohet në rrugëtim e sipër.
Provokimet e njëpasnjëshme që ndodhin në Veri të Kosovës, kërcënimet me bojkot të zgjedhjeve, përpjekjet që përmes këtyre zgjedhjeve të ndodhë shkëputja finale e Veriut të Kosovës (me fitimin e një legjitimiteti të votës së lirë, i cili asnjëherë nuk ka ekzistuar në këto anë të Kosovës, duke kundërshtuar njëkohësisht legalitetin e këtyre zgjedhjeve andejpari), do të jenë sprova të vazhdueshme, të çdoditshme në fakt, për autoritetet e Kosovës.
Kjo temë si e tillë, do të duhej të bashkonte politikën kosovare edhe para zgjedhjeve, edhe gjatë fushatës zgjdhore, sepse është interes shtetëror aftagjatë. Interesat e tillë nuk janë dhe nuk do të duej të ishin pjesë e garës politike. Por, në rrethanat mbizotëruese politike në vend, do të ishte befasi e dorës së parë poqëse do të ndodhte një për bashkim rreth këtij interesi shtetëror të Kosovës. Nuk duhet llogaritë pra që diç e tillë do të bëhet në politikën kosovare, apo që uniteti politik vendor do të ndihmojë në fuqizimin e ndërmarrjes së integrimit të Veriut të Kosovës përmes zgjdhjeve lokale të 3 nëntorit.
Një tjetër unitet që paraqitet si kusht pa të cilin nuk bën, nëse duam ta përballojmë si duhet sfidën e vjeshtës së rëndë politike të këtij viti, është ai për organizimin e këtyre zgjedhjeve sipas standardeve të demokracisë së mirëfilltë. Mbase nuk do të mungojë as kësaj here, në prag të fushatës parazgjedhore, e cila edhe kësaj here do të jetë tridhjetë ditëshe, ceremonia e nënshkrimit të Kodit i cili ka fuqinë e një detyrimi moral të të gjithë pjesëmarrësve në këto zgjedhje, për një garë fer dhe të lirë, për pranimin e rezultatit të këtyre zgjedhjeve, etj.etj. Dihet fare mirë se sa është respektuar në të kaluar ky Kod. Nëse në rastin e organizmit të zgjedhjeve lokale në Veri të Kosovës, kemi të bëjmë, objektivisht, me fatin politik të një pjese të vendit, në këto anët tjera zgjedhore, 3 nëntori, sipas të gjitha gjasave do të jetë një verdikt kapital për të ardhmen e liderëve politikë, të partive të tyre, për drejtimin që do të merr skena politike e Kosovës. Thënë troç, pas 3 nëntorit, do të duhej të ndryshonte, ose për të mirë ose për të keq, një gjendje e pezullt që është trashëguar në Veri, nga Republika e Kosovës, që nga shkurti i vitit 2008, dhe një tjetër situatë e njejtë (e pezullt), e cila është kryetipari i politikës kosovare që prej dhjetorit të vitit 2010.
Asnjanësi më nuk do të ketë. Mbase, as që mund të mbijetojë më asnjanësia e këtillë. Por ky lajm aktualisht nuk ka si të mbërrijë në kryet e zhvillimeve politike në vend, dhe as në atë Listën e prioriteteve të kryeprotagonistëve të kësaj politike. Shenjat që shihen aktualisht ndër ne, këtupari, na paralajmërojnë një qasje të llojit turr-e-vrap, pa gatishmëri për të krijuar relacione të mirëfillta të bashkëpunimit midis politikanëv dhe partive politike për asnjërën prej temave kyç të 3 nëntorit.
Do të rrokullisemi kështu përditë e më shumë, pa orë në dorë dhe pa busollë para vetes, me llomotitjet e rëndomta parazgjedhore, me premtimet që nuk kanë të ndalur, dhe do ta gjejmë veten të hutuar, të habitur, të frustruar dhe të lodhur pas 3 nëntorit.


