UBT

Viti mësimor, që nuk duhet përsëritur!

/ 14 minuta lexim
Fundamenti

Nga Nuhi Ismajli – Viti i kaluar mësimor (2012-2013), ishte i rënduar keq, nga një varg problemesh me rrjedhoja shumë të rënda për arsimin, nga të cilat duhet liruar gjithsesi vitin pasues.

Problemet e vitit të kaluar mësimor brengosin me të drejtë qytetarin e këtushëm, veçmas botën e njerëzve të arsimit, sepse nuk janë probleme të mundshme të kushteve jetësore të shoqërisë sonë, po probleme të shkaktuara pikërisht nga ata që duhet të kujdesen për mbarëvajtjen e arsimit; probleme të cilat janë rrjedhojë e paaftësisë, injorancës, arrogancës dhe e mungesës së ndërgjegjes së një pushteti, i cili mendon se pushtetin e ka marrë veç për llogari të vet dhe se me të mund të bëjë çka të dojë!

Prandaj, në radhë të parë, mënjanimi i problemeve të arsimit të vitit të kaluar, ka të bëjë me nevojën e vetëdijesimit të pushtetit gjilanas që të mos shkaktojë probleme në arsimin gjilanas dhe që, edhe me ndihmën edhe të kritikave dhe të sugjerimeve të arsyeshme të qytetarëve, të angazhohet sinqerisht për një rrjedhë sa më normale dhe të suksesshme të vitit të ardhshëm shkollor.

I.

Puna e parë që duhet ta bëjë pushteti gjilanas, në raport me arsimin, është njohja dhe respektimi i ligjeve e rregullave ekzistuese, si dhe i mësimeve të pedagogjisë moderne, dhe jo dirigjimi i arsimit me “rregulla” e “vendime” injorantësh.

Pushteti gjilanas, pra duhet të kuptojë se nuk duhen “rregulla” e “vendime” të lloj-llojshme, si ato që vjet u iniciuan nga Komiteti për Arsim e DKA, kinse si rregulla e vendime të nevojshme, po të njohë ligjet dhe rregullat ekzistuese dhe të kërkojë zbatimin e tyre në praktikë. Pra, arsimi nuk ka nevojë për “rregulla” e “vendime”, kur kemi ligje e rregulla, të cilat veç duhet njohur e zbatuar nga ata që kanë zënë vendet për një detyrë të tillë.

Shembull: Komiteti për Arsim dhe DKA, vjet, kanë propozuar dhe është miratuar në Kuvendin Komunal “rregulla” për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë! Pse është e nevojshme një rregull e tillë? A nuk dihet se cila gjë është normale në një veprimtari të tillë, e cila jo? A nuk janë të afta shkollat të dinë sesi duhet bërë regjistrimi i nxënësve të klasës së parë, sipas normave ligjore dhe pedagogjike? A nuk e ka shkolla detyrë dhe obligim ligjor dhe pedagogjik të pengojë çdo deformim të këtij procesi?!

“Rregullat” dhe “vendimet” e propozuara të K. të Arsimit e të DKA-së dhe të miratuara nga K. Komunal (2012), lidhur me regjistrimin e nxënësve të klasës së parë, shtrojnë, gjithsesi, pyetjen: A duhet dhe a veprojmë në pajtim me ligjin dhe kërkesat pedagogjike, që e kemi obligim t’i respektojmë, nëse bëjmë “rregulla” e “vendime”, të cilat fëmijës nuk i lejojnë edhe zgjedhjen e mësuesit-es?!

Ligji lejon dhe garanton arsimimin e lirë të qytetarëve. Kërkesat e pedagogjisë vihen në shërbim të individit që kërkon arsimim, sipas asaj që i përshtatet më mirë. Pse u dashka të caktojmë “rregulla” të ngurta dhe në kundërshtim me të drejtat ligjore dhe me kërkesat pedagogjike?!

Në anën tjetër, ligji e rregulloret, si dhe porositë pedagogjike, nuk lejojnë dhe dënojnë rëndë sjelljen e pandërgjegjshme të punëtorit të arsimit, i cili vepron në kundërshtim me to. Kush njeh ligjin, rregulloret e tashme, si dhe porositë pedagogjike, nuk ka nevojë të bëjë “rregulla” sesi duhet bërë regjistrimi i fëmijëve në klasën e parë. Nevoja e vetme është që në krye të organeve udhëheqëse të arsimit të kemi njerëz të ditur e të ndërgjegjshëm, të cilët njohin ligjet e rregulloret, si dhe mësimet pedagogjike dhe të cilët veprojnë në pajtim me to.

Prandaj, që të ketë rregull, çfarë duhet të ketë në kuadër të veprimtarisë së arsimit, duhet hequr dorë nga “rregulla” injorantësh dhe duhet njohur ligjet e rregullat ekzistuese, si dhe njohuritë e kërkesat e pedagogjisë. Duke njohur e respektuar institucionalisht ligjin e rregulloret ekzistues, si dhe porositë pedagogjike, sot, do të mënjanonim nga shkollat tona, ndër të tjera, edhe defektet me rastin e regjistrimit të nxënësve në klasën e parë, presionet e ndonjë mësuesi-eje që ndonjë fëmijë ta nxjerrë nga klasa, detyrimin nga ana e mësuesit-es, që nxënësi të paguajë shuma të mëdha parash gjatë gjithë vitit shkollor etj., etj. Pra, e përsërisim: ka ligj, ka rregullore, ka dije pedagogjike, po ato duhet njohur dhe duhet zbatuar.

II.

Pushteti gjilanas duhet të vetëdijesohet e të sillet në mënyrë qytetare në raport me punëtorët e arsimit. Është tejet e paligjshme dhe johumane të shfrytëzohen institucionet e shtetit për qëllime personale dhe për t’i keqtrajtuar punëtorët e arsimit, siç ndodhi vitin e kaluar mësimor.

Mund të përmendet këtu rasti i trajtimit shumë të ulët dhe i torturimit brutal të konkurrentëve për punë në arsim, të cilëve iu zhvlerësua kualifikimi institucional e ligjor dhe detyrimi në një provim pranues, për punë, në Fakultetin e Edukimit, në Gjilan. Pushteti gjilanas duket nuk i njeh nivelet e arsimit, as autorizimet e kompetencat e tyre! Pushteti gjilanas nuk e di se nuk guxon të veprojë ashtu, si ka vepruar vitin e kaluar, sepse konkurrentët për punë në arsim, nuk kanë për detyrë t’i nënshtrohen provimit pranues në Fakultetin e Edukimit. Vitin e kaluar mungoi, ndërsa do të duhej të kishte një protestë shumë të madhe qytetare kundër DKA-së, e cila maltretoi konkurrentët për punë në arsim.

Vitin e kaluar mësimor, pushteti gjilanas, manipuloi dhe zuri në mënyrë të paligjshme vende të punës në arsim. Ndër të tjera, për interesa personale, bëri një “rregull”, kinse për raste transferimesh, kurse fjala është për punësime individësh pa konkurs.

Është e çuditshme ajo ç’kanë bërë institucionet gjilanase lidhur me vendet e punës në arsim. Por, një pamje super e çuditshme do të zbulohej po të kishim një inspeksion serioz, i cili do të zbulonte pamjen e vërtetë! (Atëherë, ndoshta, do të dalin edhe të tillë që paguhen nga arsimi pa pasur fare vend pune!).

Institucionet gjilanase, që të jenë në pajtim me ligjin dhe me kërkesat qytetare, duhet të korrigjojnë të gjitha rastet e punësimeve të paligjshme.

Se pushteti gjilanas nuk i do arsimtarët e për më tepër i ka zët dhe pa asnjë ngurrim do t’i maltretojë e përdhos ata, në mënyrën më të keqe, dëshmon rasti i prillit dhe majit të këtij viti, kur arsimtarët konsiderohen borxhlinjtë më të mëdhenj e më të pandërgjegjshëm dhe detyrohen që, nga një administratë tejet primitive, t’i nxjerrin vërtetimet (vërtetimi që nxirren nga një institucion, po për të njëjtin institucion!), për kryerjen e obligimeve tatimore, si kusht për realizimin e të ardhurave personale.

Keqtrajtimi dhe përdhosja e tillë e arsimtarëve, nga pushteti gjilanas, nuk duhet të kalojë në heshtje dhe pa u gjykuar, sepse nuk duhet lejuar keqtrajtimi dhe përdhosja e pjesës më fisnike e shoqërisë njerëzore, shtylla e njerëzimit, kombit e shtetit, e cila gjithmonë ka flijuar e dhënë për njerëzimin, pavarësisht shpërblimit. T’i shpallësh arsimtarët borxhlinjtë më të mëdhenj e më të pandërgjegjshëm të shtetit dhe t’i detyrosh ata të parët të paguajnë tatimet, më parë se gjithë të punësuarit tjerë (shih: “Tatimi në pronë shënon rritje pozitive”, rajonipress, 28 qershor 2013), është përtej asaj që mund të quhet marrëzi!

RCCOLA

III.

Vitin e kaluar mësimor patëm mjaft skandale e fushata kompromituese të arsimit edhe përmes rasteve të emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve të shkollave. Pushteti gjilanas, duke mos qenë fare serioz dhe duke i lejuar vetes të jetë shkaktar i skandaleve në arsim, disi ka qenë i prirur të emërojë drejtorë shkollash, të cilët, që në fillim, është ditur se mund të jenë veç për skandal. Është pushteti gjilanas ai që, pa asnjë ngurrim, pozitën e drejtorit të shkollës ia jep gjithkujt, që emëron drejtor shkollash veç sa për të thënë, veç sa për dukje, të tillë që nuk plotësojnë qoftë edhe një kriter të vetëm për drejtorë shkollash. Është pushteti gjilanas që, për të përmbushur egoizmat e partizanëve të partisë në pushtet, emëron drejtorë shkollash edhe pa kualifikimin e nevojshëm.

Pushteti gjilanas bëri skandale dhe kompromitoi arsimin edhe përmes tenderëve. Kështu, në vend se të vendosë rregull, ai tenderët i bëri shkak të skandaleve dhe krijimit të imazhit të keq të shkollave. Për këtë mjafton të përmendim skandalin lidhur me një tender të gjimnazit “Z. Hajdini”, lidhur me ekskursionin e nxënësve. Etj.

IV.

Pushteti gjilanas duhet ta braktisë veprimin e tij të vitit të kaluar të lojës me regjistrimin e nxënësve në gjimnaz. Vjet, ky pushtet shkeli në mënyrë tejet të pandërgjegjshme konkursin dhe planifikimin e regjistrimit të nxënësve në gjimnaz, duke shkaktuar një kaos me shumë pasoja për gjimnazin, për shkolla të tjera të mesme, si dhe për nevojat e zhvillimit të arsimit gjilanas.

Kërkesa për të ndërhyrë dhe për të prishur politikën e regjistrimit të nxënësve në gjimnaz, e cila, si e tillë, reflektohet keq në gjithë politikën e regjistrimit të nxënësve në arsimin e mesëm dhe në politikën e zhvillimit të arsimit të komunës së Gjilanit, sipas mjeteve të informimit, është iniciuar së pari në Komitetin për Arsim, për t’u vendosur përfundimisht në zyrën e kryetarit të komunës e ku, sipas mjeteve të informimit, ka marrë pjesë edhe drejtori i DKA-së.

Sipas këtij vendimi, numrit të nxënësve të regjistruar në gjimnaz, sipas konkursit, në mënyrë tejet të paarsyeshme, iu shtuan edhe shumë nxënës të tjerë (madje kryesisht nxënës të dobët), të cilët e rënduan shumë punën edukativo-arsimore dhe penguan shumë arritjet e nevojshme të nxënësve të regjistruar ligjërisht. Si pasojë e kësaj nxënësit nuk patën as vend ku të uleshin normalisht, po nga tre-katër vetë në një bankë dhe qenë me shqetësime të vazhdueshme se a do të gjejnë kund ndonjë karrige.

Vështirësitë dhe pasojat e klasave të dhjeta të gjimnazit, nga stërngarkimi me nxënës, nuk ishin shkaku i punëtorëve të gjimnazit, po i lojës së pandërgjegjshme të kryetarit të komunës dhe të drejtorit të DKA-së. Ata, vitin e kaluar, dhunuan gjimnazin!

V.

Një marrëzi të panjohur në historinë e arsimit dhe veprimin më të vrazhdë pushteti gjilanas e bëri ndaj nxënësve të klasës së parë të fillores, veçmas ndaj atyre të shkollës fillore “Th. Mitko”, në Gjilan. Kështu, viti shkollor 2012-2013, do të mbahet mend për ndërhyrjen brutale të pushtetit gjilanas në shkollë dhe për keqtrajtimin fizik e psikik të fëmijëve të klasës së parë nga ana e tij.

Keqtrajtimi i nxënësve të klasës së parë ka filluar me të ashtuquajturin Vendim të Kuvendit Komunal, të gushtit të vitit 2012 (iniciuar nga Komiteti për Arsim dhe DKA), sipas të cilit fëmijës i mohohet e drejta e zgjedhjes së mësuesit-es, një e drejtë kjo e pranuar në botën bashkëkohore dhe një nevojë e respektimit të së drejtës së fëmijës, sipas mësimeve e rekomandimeve të pedagogjisë moderne.

Më pas, keqtrajtimi fizik dhe psikik tejet brutal i nxënësve të klasës së parë, veçmas të atyre të shkollës fillore “Th. Mitko”, nga institucionet e Gjilanit, ndodhi gjatë shtatorit dhe sidomos në fillim të tetorit (2012), kur fëmijët e klasës së parë, të shkollës fillore “Th. Mitko”, u nxorën me dhunë nga shkolla dhe iu ndalua hyrja nga policia shtetërore dhe private. (Policia private, një kohë, qe dërguar edhe në gjimnaz!).

Me torturën e këtyre fëmijëve gjer më sot nuk dimë se është marrë dikush. Në një vend tjetër, ku ka vetëdije qytetare dhe ku funksionon shteti, për një trajtim, si ai i nxënësve të kl. së parë të shk. fill. “Th. Mitko”, do të kishim një reagim të ashpër qytetar, kurse krytetari i komunës dhe drejtori i DKA-së, jo vetëm do të detyroheshin të jipnin dorëheqje, po edhe do të përfundonin në burg. Pra, ata bënë atë që askush nuk e ka bërë në historinë njerëzore dhe shpëtuan në saje të mungesës së vetëdijes qytetare dhe mungesës së funksionimit të organeve përkatëse të shtetit.

Përveç rastit të sipërpërmendur, kemi edhe raste të tjera të keqtrajtimit institucional të fëmijëve të klasës së parë të shkollës fillore dhe mungesë përgjegjësie totale institucionale. Po e veçojmë në këtë rast fatkeqësinë e një nxënësi të klasës së parë të shkollës fillore, i cili u dënua në mënyrën më të rëndë, vetëm pse ishte ndjerë i uritur dhe pse nuk pati kush ta ndjente fatkeqësinë e tij dhe t’i ndihmonte, në vend se ta dënonte. Fëmija kishte bërë një “gabim”, pasi, sigurisht, duke u ndjerë i uritur, kishte kafshuar simiten e njërit prej nxënësve të klasës. Mësuesja e kishte gjykuar rëndë sjelljen e fëmijës dhe i kishte caktuar dënimin. E dënimi ishte: bojkotimi i fëmijës nga e gjithë klasa! Fëmija, më tej, e shtyn ashtu ndonjë ditë, dikur e braktis mësimin…

Fëmija mësohet se ishte pa njërin prind (babanë). Kushte jetësore të tij ishin të vështira. Institucionet përgjegjëse kanë heshtur, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

VI.

Interesi i nxënësve, si rezultat i ndërhyrjes së paarsyeshme të pushtetit gjilanas, u cenua keq edhe te klasat e dhjeta te gjimnazit, pasi me shtimin e paarsyeshëm të numrit të nxënësve, u krijuan rrethana të vështira për mësim. Nga kjo, në gjimnaz, nxënësit e regjistruar, sipas konkursit, nuk patën mundësi të mësojnë në kushte normale. Atyre (në rrethanat e një ambienti të rëndë për mësimit, shkaku i regjistrimi të nxënësve përtej planit), iu munguan edhe bankat e karriget, si dhe mundësia e aktivizimit në orë të mësimit dhe e përparimit dituror në masë të kënaqshme.
Etj. Etj.

Pushteti gjilanas, përkundër problemeve të mëdha në sferën e arsimit, ndjehet i kënaqur dhe nuk vëren asnjë të metë! Kjo është edhe e keqja jonë më e madhe!