RCCOLA

“Pleqtë” ndërmjetës me të fortin “kundër “të dobëtit !

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Shefik Sadiku – A është fajtorë Qeveria e Kosovës që i” vendosi” kryetarët e komunave të Veriut me polici në zyrat e tyre apo jo, unë nuk e di. Nuk do ta them se as a patën të drejtë ligjore kushtetuese katër kandidatët që garuan në zgjedhjet e 23 prillit 2023 për kryetarë komunash dhe i fituan ato zgjedhje duke marrë votat e atyre që votuan në një proces legal ?

Nuk do të deklaroj se sa është e pranueshme që 2-3 % e votuesve të udhëheqin me ato komuna!

Por, por kësaj here do t’u bëj disa pyetje faktorëve kyç ndërkombëtarë për sigurinë në Kosovë dhe ndërmjetësve në mes palëve Kosovë-Serbi.

UBT
  1. Sa është e drejtë dhe sa i kontribuon drejtësisë e dhëna se gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë adresimin për ruajtjen e qetësisë dhe stabilizimit e drejtojnë vetëm te njëra palë, te pala e dobët, te pala kosovare ?!
  2. Shtetet e Kuintit, KFOR-i, NATO, Ambasadat e shteteve perëndimore, OSBE-ja, Bashkimi Evropian, Raportuesja e BE-së etj etj. pa përjashtim vetëm nga Kosova kërkojnë përgjegjësi për situatën e krijuar në Veri! Kjo edhe nga fakti se situatën në Kosovë dhe Ballkan në përgjithësi e destabilizon Serbia, jo Kosova të nderuar zotrinj ndërkombëtarë. Këtë ju e dini më mirë por nuk e thoni, sepse Serbia është ajo që çelësat e paqes në Ballkan i ka në duart e veta, jo Kosova, prandaj është e ndershme dhe kërkohet nga ju që të paktën qytetarëve të zakonshëm të Evropës t’ua thuani të vërtetën se kush e minon paqen në këtë pjesë të Evropës. Nga ajo që ju e thoni publikisht, qytetari i zakonshëm evropian konkludon se shqiptarët e Kosovës qenkan ata që po destabilizuakan paqen në këtë pjesë.
  3. Serbia zotërinj ndërkombëtarë është e militarizuar skajshmërisht, këtë ju e dini shumë mirë, kurse shqiptarët momentalisht kanë një duzinë policësh që, mos e dhashtë Zoti, po të ketë trazira qytetare në dy apo tri vende eventualisht, nuk kanë mundësi operative të intervenojnë! Shqiptarët nuk kanë asnjë tanks, asnjë avion, asnjë gryke artilerie, asnjë raketë, asnjë helikopter, asnjë raketahedhës etj etj. atëherë me çka po e rrezikuaka paqen Kosova që sa herë policia e saj intervenon në pjesën Veriore për ta ndërprerë vijën e krimit të organizuar, Serbia ngre lart gatishmërinë ushtarake duke kërcënuar hapur se është e gatshme t’i “ mbrojë” serbët e Kosovës , kur ata ,serbët pra, i shajnë me fjalorin më banal policët kosovarë kurse këta bëhen se gjoja nuk po dëgjojnë asgjë, sepse po të kërkohej nga ta llogari për sharjet dhe pengesat që u bëhen, dihet se urgjentisht mblidhet Këshilli i Sigurimit i OKB-së për ta “ shqyrtuar” gjendjen e “rëndë” të Serbëve në Kosovë!

Shqiptarët e Kosovës nga ju ndërkombëtarë të nderuar kërkojnë që më e pakta që mund të bëni, është vetëm ta thuani të vërtetën publikisht dhe botërisht se e vërteta është ana tjetër e medaljes, jo kjo që thuhet publikisht.

  1. Nuk është e drejtë të nderuar ndërkombëtarë që për hirë të disa konjukturave politike, t’i privoni nga e drejta për t’u informuar drejt qytetarët e zakonshëm në Kosovë dhe sidomos në Evropë për gjendjen reale në këtë pjesë të Ballkanit.
  2. Nuk është e drejtë që tagrin e ambicieve ruso-serbe në Ballkan dhe Evropë, gjithmonë padrejtësisht ta paguajnë në kurrizin e tyre shqiptarët.
  3. Nëse asgjë s’mund të ndryshoni nga praktika e kaluar tradicionale duke i dënuar shqiptarët historikisht në momente vendimtare për ta, të paktën mos u bëni hisedarë të atij dënimi historik për ta, duke treguar haptas se qëllimi i Botës Perëndimore është shkëputja e Serbisë nga ndikimi i Rusisë, si aleate dhe mike e saj, qoftë edhe me ndonjë padrejtësi të mundshme ndaj të tjerëve, konkretisht ndaj shqiptarëve.

Ndërmjetësit duhet të tregojnë paanshmëri për palët, në të kundërtën paanshmëria kur mbështet njërën dhe gjykon tjetrën jo vetëm ndërron statusin e saj ndërmjetësues, por krijon padrejtësi të reja, që dekadat dhe shekujt e ardhshëm do të ballafaqohen me to.