Viti i Ri, si të shmangni helmimet dhe mbipeshën

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Nga Anilla Kalleshi – Festat e fundvitit janë të superngarkuara me kalori. Kjo ndodh pasi vetë trupi në dimër ka tendencën për t’u ushqyer me ushqime me pak më shumë kalori (për të ngrohur temperaturën e trupit), por dhe nga “tryeza bombë-kalorike” e Vitit të Ri, ku gjeli i detit, alkooli, byrekët, bakllavaja, bëjnë punën e tyre. Po kështu, riciklimi i ushqimeve pas festave është një tjetër problematikë që rëndon format trupore.

Në fakt, pasojat e kësaj mbiushqyerjeje në këto ditë, më shumë se kushdo i vuajnë diabetikët, personat që vuajnë nga hipertensioni, kolesteroli i lartë dhe gratë shtatzëna, apo fëmijët që janë pjesa më delikate e shoqërisë. Pjesa tjetër shoqërohet me 3-4 kg më shumë në kurriz. Pas darkës së madhe, ka mjaft persona që shfaqin probleme shëndetësore dhe përfundojnë në urgjencë. Po pse i “trembim” kaq shumë njerëzit për këtë tryezë me ushqime të bollshme?

Ndodh që menjëherë pas festave shfaqen njerëz me helmime nga pijet alkoolike të përdorura, si: rakia, vera, birra. Nuk bëhet fjalë vetëm për ata që abuzojnë gjithmonë me alkoolin, por edhe për ata që konsumojnë alkool vetëm atë natë. Ushqime të tjera që mund të shfaqin toksikime të ndryshme janë dhe produktet me origjinë shtazore, si: mishi me nënproduktet e tij, veza (majoneza që përdoret në sallatën ruse përftohet nga e verdha e vezës e gjallë), ku amvisat i gatuajnë disa orë para se të konsumohen. Kur mishi ftohet, ai është gjithmonë i ekspozuar ndaj baktereve dhe kur bashkohet me produktet e tjera që kanë të njëjtën gjë, situata bëhet më problematike dhe familjarët janë të predispozuar për t’u toksikuar. Situata përkeqësohet akoma më shumë kur ushqimet riciklohen në ditët pas festave. Mishi duhet të ruhet në ambient të përshtatshëm dhe në temperaturën e duhur.

Shumica e njerëzve e anashkalojnë këtë fakt, duke menduar se është dimër dhe temperaturat janë të ulëta. Mishi i ndenjur, i gatuar 2 ditë më parë dhe që nuk është i ruajtur në kushtet e duhura, shkakton rritjen e baktereve, që bëhen shkaktarë për toksikime. Problematikë tjetër është që, duke qëndruar me ditë të tëra para televizorit (ditë pushimi), mendja u rri të gjithëve vetëm tek ushqimi dhe krijohet një mbingopje. Kjo mund të shoqërohet me të vjella, lodhje apo këputje. Se sa duhet të konsumojmë në fakt, kjo është individuale për çdo njeri. Varet nga organizmi që ka njëri apo tjetri. Një person që punon gjatë dhe që ka një metabolizëm hiperaktiv, nuk e ka problem konsumimin e tepërt të ushqimit, ndërsa dikush që bën një jetë sedentare dhe është një person inaktiv, nuk e përballon dot konsumimin e tepërt të ushqimeve.

Ngrënia e mëngjesit

Personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, ata me hipertension apo ata që vuajnë nga kolesteroli i lartë apo diabeti duhet të jenë shumë të kujdesshëm, duke konsumuar më pak sasi dhe më pak yndyrna. Këta persona duhet të përdorin në masë të vogël produktet ushqimore të mishit. Edhe pse është festë, për këta persona rekomandohet konsumimi i kosit pa yndyrë, frutave, perimeve jeshile të gatuara në avull. Kujdes me alkoolin, sidomos personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Shmangni përzierjen e pijeve, nga pijet me gaz tek vera, rakia apo birra, gjë që çon në dehje më të shpejtë. Masa më e mirë e konsumit të alkoolit natën e Vitit të Ri do të ishte jo më shumë se 100 gramë. Kaloritë që përftohen nga konsumi i alkoolit vijnë menjëherë pas kalorive nga yndyrnat. Në qoftë se për 1 gram yndyrë nevojiten 9 kalori, për 1 gram alkool nevojiten 7 kalori. Pra 50 gr alkool kanë 350 kalori.

Një gabim tjetër është që në natën e Vitit të Ri lihen të gjitha vaktet pa u konsumuar me idenë që t’i lihet vendi darkës. Gjëja më e mirë që duhet të bëjmë do të ishte konsiderimi i kësaj nate si një natë paksa mbi të zakonshmen, me një ndryshim, që miqtë, alegoria, situatat gazmore, janë më prezente, dhe të harrojmë bombardimin me kalori nga ushqimet. Nga një ditë e zakonshme trupi ynë duhet të përftojë 35% të kalorive ditore të nevojshme nga konsumimi i mëngjesit, 40 – 50% të kalorive nga dreka dhe jo më shumë se 25% nga darka. Dhe në këtë natë të ndërrimit të viteve kemi një disbalancim të tmerrshëm të kësaj përqindjeje.

Mëngjesi rekomandohet të jetë sa më i balancuar me karbohidrate dhe proteina. Drithërat dhe buka integrale na ndihmojnë t’i japim energjinë e duhur trurit dhe ndihmojnë trupin të zgjohet dhe të aktivizohet. Karbohidratet do të përdoren të gjitha për energjinë që i nevojitet trupit tonë për aktivitetet tona gjatë ditës dhe nuk na depozitohen në dhjamë.

Gjeli i detit

Gjeli i detit është ai që zbukuron tryezën e madhe të natës së Vitit të Ri dhe i jep asaj mjaft vlera të shkëlqyera ushqimore. Gjeli i detit përmban një aminoacid esencial për trupin e njeriut: triptofanin. Ky aminoacid nuk mund të sintetizohet nga vetë organizmi. Ai vepron si një bllok ndërtues në sintetizimin e proteinave. Po kështu përmban mineralin e seleniumit, i cili jep një kontribut të çmuar në parandalimin e kancerit. Seleniumi është një përbërës i rëndësishëm i shumë reaksioneve metabolike, duke përfshirë metabolizmin e hormoneve tiroide, sistemet antioksidante të mbrojtjes dhe sistemin imunitar. Seleniumi ndihmon në riparimin dhe sintezën e ADN-së në qelizat e dëmtuara, të ndalojë zhvillimin e qelizave kancerogjene dhe të ndihmojë në veteliminimin e tyre, një mekanizëm mbrojtës që përdor organizmi për t’u ruajtur nga zhvillime tumorale dhe anormale. 100 gramë gjel deti ofron një sasi seleniumi, që përbën 39% të nevojave ditore për një person. Gjeli i detit është gjithashtu burim i pasur i vitaminës B-niacin.

Fundamenti

Përbërës të ADN-së kërkojnë këtë element, një mangësi e të cilit lidhet me dëmtime gjenetike. Niacina është shumë e rëndësishme edhe për përdorimin e proteinave, yndyrnave dhe karbohidrateve për energji. Ajo ndihmon në normalizimin e nivelit të sheqerit në gjak. Mangësi të vitaminës B6 ndikojnë në dëmtim të enëve të gjakut nga një molekulë e quajtur omokisteinë. Vitamina B6 ndihmon kthimin e kësaj molekule në të padëmshme. Një sasi prej 100 gr mishi të gjelit të detit, jep rreth 22.5% të nevojave ditore në niacin. Përmban hekur, i cili është një mineral i domosdoshëm sidomos për anemikët apo personat që kanë humbje të flokëve. Po kështu përmban dhe zink, proteina, kolagjen dhe pak kolesterol. Por kujdes!

Ajo që e bën të rrezikshëm konsumimin e gjelit të detit është lëkura e tij, e cila ka të përqendruara mjaft yndyra të ngopura, mjaft kalori dhe kolesterol. Në 50 gramë lëkurë gjenden 83 mg kolesterol dhe rreth 270 kalori. Kujdes i madh duhet bërë dhe në mënyrën se si e gatuajmë. Që të shmangim yndyrat e tepërta do të ishte e mirë t’i jepnim një valë dhe lëngun e përftuar ta linim jashtë të ftohej, në mënyrë që të hiqnim yndyrën që ngel sipër. Po kështu mënyra e gatimit ka shumë rëndësi: e pjekur, e mbështjellë në letër alumini në një temperaturë jo shumë të lartë (pasi çlirohen lëndë kancerogjene), ose me vaj ulliri sipër (jo me gjalpë).

Pijet e sallatat

Kujdes në konsumimin e pijeve me gaz dhe të lëngjeve të konservuara! 10 minuta pasi kemi pirë një kanaçe trupit i kemi dhuruar 10 lugë sheqer. Sasia ditore e sheqerit që i duhet trupit tonë është vetëm 10% e kësaj ose 1 lugë. Arsyeja pse nuk na vjen për të vjellë nga sasia e madhe e sheqerit është acidi fosforik, i cili pret shijen e sheqerit. Pas 20 minutash, sheqeri provokon një shpërthim të insulinës. Mëlçia përgjigjet dhe shndërron në yndyrë sa më shumë sheqer që të mundet. Pas 40 minutash, absorbimi i kafeinës është i plotë. Arteriet zgjerohen, rritet tensioni i gjakut dhe mëlçia vazhdon të hedhë sheqer në gjak. Përçuesit e adenozinës në tru janë bllokuar. Pas 45 minutave, trupi rrit prodhimin e dopaminës, duke ngacmuar kënaqësinë në tru. Pas 60 minutash, acidi fosforik lidh kalciumin, magnezin dhe zinkun në zorrën e hollë, duke siguruar një nxitje të mëtejshme të metabolizmit.

Kjo shkaktohet nga sasia e madhe e sheqerit dhe ëmbëlsuesve artificialë që gjithashtu rrisin nxjerrjen urinare të kalciumit. Kafeina, duke qenë diuretik, ju bën të urinoni shpesh. Kjo siguron largimin nga trupi juaj të magnezit, kalciumit dhe zinkut, që duhej të shkonte te kockat e trupit tuaj. Po kështu lëngjet në kuti përmbajnë pafund sheqer artificial, aromatizues dhe ngjyrosës dhe janë mjaft të varfra me vitamina minerale. Këshillohet të konsumoni sa më shumë lëngje natyrale frutash dhe sidomos portokalle e agrume, të cilat ndihmojnë mjaft në metabolizmin e yndyrnave. Jepuni përparësi sallatave! Nga ato përftojmë pak kalori, shumë vitamina dhe na mbushin stomakun.

Ushqimet që sjellin mbarësi

Keni vënë re që përpara Vitit të Ri në treg vërshojnë arrat. Arrat janë simboli i pjellorisë, begatisë dhe forcës. Përmbajnë vitaminë, kripëra minerale, fosfat kaliumi, kalcium, hekur dhe magnez. Gjithashtu përmbajnë argininë dhe acidin alfa-linolenik, që bëjnë mjaft mirë për zemrën. Rrushi është personifikim i dëshirave që realizohen. Mandarina, simbol i përjetësisë, një ogur i mirë për një jetë të gjatë. Peshku simbolizon bollëk, dëshira të realizuara. Thjerrëzat simbolizojnë bollëkun, paratë. Dhe në fund ëmbëlsira: bakllavaja e famshme, ajo që të gjithë e preferojnë.

Bakllavaja është një ëmbëlsirë që nuk mungon gjatë festimit të festës. 1 racion bakllava ka rreth 500-700 kalori (kjo varion në varësi të asaj se si amvisa e gatuan), që do të thotë se nga 1 racion bakllava në ditë ne marrim 25-30% të kalorive ditore.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)