Uji Dea

Vit i dhjerë!

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Lavdim Hamidi – Vetëm kishte munguar aktivizimi i dymbëdhjetë kilogramëve eksploziv nga Slobodan Gavriqi për t’ia dhënë “shkelmin” e fundit shtetit më të ri në Evropë, pas goditjeve të njëpasnjëshme politike e ekonomike që pësoi gjatë gjithë vitit 2014.

Dhe kështu do të betonohej pretendimi disavjeçar i politikanëve serbë se Pavarësia e Kosovës prodhon destabilitet jo vetëm për rajonin, por edhe për Evropën, përderisa fatkeqësisht kjo gjë u pa në prag të shënimit të shtatëvjetorit të mëvetësisë së këtij shteti të dështuar, do të thoshin ata.

Po të mos ishte zbuluar nga Policia e Kosovës pak ditë para përfundimit të këtij viti se serbi Gavriq po bartte një sasi kaq të madhe eksplozivi gjithandej territorit të vendit, duke rrezikuar kështu jetën e shumë qytetarëve, vështirë se do të mundë të veçohej ndonjë sukses tjetër i institucioneve të Kosovës gjatë këtij viti, përveç dështimeve të shumta.

Kjo për faktin se Kosova gjatë gjithë vitit 2014 nuk kishte institucione funksionale, fillimisht për shkak të fushatës parazgjedhore, e cila nisi që nga janari, disa muaj para zgjedhjeve të 8 qershorit dhe pas kësaj liderët e partive politike parlamentare për më shumë se 6 muaj nuk arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët për formimin e institucioneve të reja qendrore.

Periudha gjysmëvjeçare e ngërçit politik ishte kryekëput rezultat i papjekurisë së lidershipit politik në vend, të cilët humbjen e pushtetit e konsiderojnë si fundin e botës.

PDK-ja e Hashim Thaçit shfrytëzonte “privilegjin” që ia jepte Gjykata Kushtetuese, duke e njohur si partinë më të madhe parlamentare, pavarësisht se i mungonin numrat e nevojshëm në Kuvend, derisa planet e Bllokut VLAN u rrënuan për shkak të ambicieve politike të Ramush Haradinajt dhe Isa Mustafës.

Fundamenti

E nga mungesa e formimit të institucioneve të reja, buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm rrezikonte të mos miratohej e me këtë rast edhe dhjetëra-mijëra shërbyes civilë prej shkurtit rrezikonin të mbesnin pa paga.

Duke i parë pasojat e ngërçit, diplomatja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, humbi durimin me liderët politikë, të cilëve në një moment u tha shkurt e shqip: “Mos e dhini punën”.

Dhe fill pas kësaj deklarate, më në fund, pas 6 muajve, Thaçi e Mustafa, duke “sakrifikuar” për interesesa të shtetit, arritën marrëveshjen për bashkëqeverisje, pavarësisht deklaratave në të kaluarën për “vijë të kuqe” të koalicionit me njëratjetrën.

E puna “nuk ishte dhjerë” në fund të nëntorit, kur edhe reagoi diplomatja amerikane, por gjatë gjithë vitit 2014, pasi që ky ishte vit më i keqi për Kosovën që nga Shpallja e Pavarësisë, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.

Gjatë këtij viti janë siguruar vetëm katër njohje ndërkombëtare për vendin, ndonëse edhe shumë të tjera i duhen, ndërsa Investimet e Huaja Direkte kanë “rënë për toke”, nga 141 milionë euro sa ishin në gjysmën e parë të vitit 2013 në vetëm 37.5 milionë euro në periudhën e njëjtë të këtij viti.

As rritja ekonomike e vendit prej 3 për qind nuk ishte e mjaftueshme për hapje të mijëra vendeve të reja të punës, ndërsa shpresa për punësim për shumë kosovarë nis posa ta kalojnë kufirin në Suboticë, aty ku era, që të zë frymën në “stallat” e azilkërkuesve, është kundërmim i shtetit “të dhjerë” të Kosovës.