Hidromorava

E vetmja mënyrë që Kurti ta “destabilizojë” Shqipërinë, është të hedhë në erë Kosovën

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Mero Baze – Në Kosovë, mbështetës publik të Albin Kurtit po bëjnë thirrje publike kundër Shqipërisë. Është një kompleks thirrjesh dhe aksionesh që nënkuptojnë destabilizimin e Shqipërisë, si hakmarrje ndaj mos mbështetjes për Albin Kurtin. Janë në forma të ndryshe.

Disa më ordinerë bëjnë thirrje të mos pushojnë në bregdetin shqiptar, pasi mendojnë se kështu turizmi si degë themelore e ekonomisë shqiptare do dështojë dhe Shqipëria do rrënohet.

Disa më intelektualë, bëjnë thirrje të mos përzihet kryeministri i Shqipërisë në punët e Kosovës, se Kosova i zgjidh vet hallet e veta, meqë ai nuk është dakord me Albin Kurtin për mënyrën se si po sillet me krizën me Perëndimin.

Të tjerë shpengojnë se Kosova ka arritur deri këtu ku është nga evolucioni legjislativ prej kohës që ka qenë në ish- Jugosllavi e deri tek Marrëveshja e Ohrit, e jo nga bombat e NATO, dhe me këtë rast theksojnë parëndësinë e Perëndimit dhe raporteve me të në këto momente.

Emëruesi i përbashkët është distanca nga Shqipëria, mes të tjerash dhe si aleate e Perëndimit.

Në Tiranë ndërkohë kanë njoftuar një protestë anonime përballë Kryeministrisë në orët e mbasdites, për të protestuar për qëndrimin e Shqipërisë ndaj Kosovës. Njoftimet i shpërndan Sali Berisha, por pa emër, ndërsa slogani imiton sloganin e mbledhjes së dështuar të dy qeverive në Gjakovë.

Nuk e di si mund të evoluojë më tej kjo ofensiva e Albinit kundër Shqipërisë, por me siguri që do të ketë ide të tjera kreative, si fjala vjen bojkoti i patateve të Shishtavecit, domateve të Lushnjës, karotave të Rrogozhinës dhe shalqinjve të Sarandës etj, me shpresë që të falimentojnë dhe bujqësinë shqiptare.

Të gjithë këto ide vijnë nga një parti që ka lindur me qëllim kryesor bashkimin kombëtar të shqiptareve dhe që vitin e tretë në pushtet ka përfunduar si urrejtësja më e madhe e Shqipërisë, atij që quhet shteti amë, në terminologjinë e “përbashkuesve” të kombit.

Thelbi i gjithë kësaj fushate që udhëhiqet drejtëpërdrejtë nga Albin Kurti, siç kuptohet lehtë, edhe pse është tërësisht naive, ka të bëjë me një përpjekje zyrtare për ta destabilizuar Shqipërinë nga pikëpamja ekonomike dhe politike, si armike e qeverisë Kurti.

Fundamenti

Kur them është fushatë naïve, kam parasysh se turizmi i Shqipërisë nuk mbahet nga turistët që vijnë nga Kosova, pasi vitin e fundit kanë ardhur 7 milionë turistë dhe sivjet mund të shkojë në 10 milionë me këto ritme që ka nisur. Natyrisht mendohet që 1 milion turistë janë pjesë e botës shqiptare në Ballkan, por jo të Albin Kurtit.

Ata që vijnë turistë në Shqipëri nuk vijnë se u pëlqen Edi Rama si atraksion turistik, por se është lirë dhe është destinacion i ri që po zhvillohet me ritme të larta, falë dhe Edi Ramës. Miti i turizmit patriotik është i rremë dhe nuk e mban dot në këmbë turizmin shqiptar. Po të mos ishte aeroporti i Rinasit që ka dhjetëra-fishuar ata që sjell në Shqipëri, ne nuk do flisnim ende për turizëm.

As bujqësia shqiptare nuk ka fatkeqësisht treg kryesor Kosovën, edhe pse mund ta kishte. Kosova ka burim kryesor për furnizimin me ushqime Serbinë, dhe kjo jo për faj të Shqipërisë, por për shkak të traditës së tyre në tregun e brendshëm dhe lidhjeve natyrale më të kollajshme që kanë me Serbinë.

Nga pikëpamja politike përpjekjet për të rrëzuar Edi Ramën nga Albin Kurti nuk janë të reja. Ai ka marrë pjesë drejtëpërdrejtë në protesta anti-qeveritare në Tiranë, siç ka qenë dhjetori i vitit 2018, ka marrë pjesë në zgjedhje në Shqipëri kundër qeverisë së Edi Ramës, siç ishin ato të vitit 2021, por nuk është se ka marrë mbështetje as sa ndonjë shoqatë blegtorësh që protestojnë për kompesime financiare.

Protestat e sajuara në emër të Kosovës, qoftë dhe të drejtuara nga Berisha, përfundojnë në protesta fyese për Kosovën, pasi mblidhen më pak njerëz se sa kur del shëtitje Luizi me Kiarën në pazar të Shkodrës.

Problemi është më i rëndë se kaq. Kosova nuk e dëmton dot Shqipërinë me mendtë e Albin Kurtit, përmes metodave të diversionit, të bojkotit apo qoftë dhe destabilizimit si këto fushatat që udhëheq vet Albin Kurti.

Por Albin Kurti e dëmton Shqipërinë duke dëmtuar Kosovën. Duke u qeverisur nga Albin Kurti, duke u futur në një spirale izolimi ndërkombëtar, duke qenë vatër tensioni në rajon, duke mbajtur një krizë të përhershme gjallë, si një mënyrë për të mbijetuar politikisht, Albin Kurti e varfëron Kosovën, zhduk investimet e huaja andej, krijon perceptime negative për vendin dhe rajonin.

Duke qenë një shtet i anëtarësuar në NATO dhe kandidat për anëtar në BE, Shqipëria më së paku ndjehet e turpëruar dhe më së shumti e dëmtuar nga e gjithë kjo, por jo nga diversioni i brendshëm i Albin Kurtit. Shqipëria destabilizohet vetëm nga hedhja në erë e Kosovës prej Albin Kurtit. Ajo është pasojë serioze.

Një vend që ka një bum të rritjes turistike si Shqipëria dhe një ritëm të lartë zhvillimi, sipas raportit të sotëm të FMN, natyrisht që dëmtohet dhe nga fqinjë të dështuar. Nuk po shkoj deri tek lufta, pasi atë nuk e ka në dorë vetëm Albin Kurti. Për fat NATO dhe KFOR do të dinë të na mbajnë larg luftës dhe ky është fat për Kosovën, ndryshe këto çupëlinat e Albinit që bëjnë thirrje të mos vijnë në Shqipëri si pushuese, do të na duhet t’i presim prapë si refugjate lufte./Gazeta Tema/