Arrestohet një polic në Kllokot, dyshohet se sulmoi dhe kanosi një qytetar në Podgorcë
Gjilan – Një zyrtar policor i Stacionit Policor në Kllokot është arrestuar nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të lëndimit të lehtë trupor dhe kanosjes.
Sipas njoftimit zyrtar të IPK-së, incidenti dyshohet të ketë ndodhur gjatë orëve të paradites së sotme, në fshatin Podgorcë të Komunës së Vitisë, ku zyrtari policor, i cili shërben në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, dyshohet se është përfshirë në një përleshje me një qytetar.
Bazuar në informacionet e mbledhura gjatë veprimeve fillestare hetimore, ekziston dyshimi se polici e ka kanosur dhe sulmuar qytetarin me një mjet të fortë, duke i shkaktuar këtij të fundit lëndime të lehta trupore.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe arrestimit të tij, me vendim të prokurorit të shtetit, zyrtarit policor i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tij nga detyra, si pjesë e masave administrative dhe në funksion të zhvillimit të papenguar të procedurës hetimore.
Rasti po trajtohet nga organet kompetente, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë rrethanat e plota të incidentit dhe përgjegjësinë eventuale të zyrtarit policor.
Duhet theksuar se personi i arrestuar prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./rajonipress/

