VETTING-u, shpëtimi i vetëm për drejtësinë kosovare
Sipas njohësve të fushës së sundimit të ligjit, ndërtimi i një drejtësie të pavarur, të pastër dhe efikase në Kosovë, nuk do të mund të bëhet asnjëherë pa u miratuar një ligj VETTING-u, model që po zbatohet në Shqipëri, mirëpo politika kosovare edhe pse e ka plot gojën sundim ligji, nuk po e bën një ligj të tillë nga frika se të parët që do të goditen nga VETTING-u do të jenë njerëzit e politikës në drejtësi, së bashku me politikanët e inkriminuar në krim e korrupsion.
Ahmeti: Derisa në kulmin e hierarkisë politike të institucioneve kemi njerëz të inkriminuar, nuk ka shpresë për VETTING të shpejtë në drejtësi
“Politika e Kosovës dhe drejtësia do të bëjnë atë rezistencë kundër VETTING-ut dhe do të veprojë ashtu sikurse u soll edhe politika e Tiranës, e cila bëri gjithçka që mundi kundër miratimit të VETTING-ut. Falë vetëm ndërhyrjes, këmbënguljes dhe detyrimit të SHBA-së, sot në Shqipëri po vepron VETTING-u, i cili po e pastron gjyqësorin shqiptar prej individëve te korruptuar, te kriminalizuar, prej abuzuesve dhe prej hajdutërisë juridike të fshehjes së pasurive të fituara me korrupsion, ryshfet e krim. Dhe kjo, pra ndërhyrja vetëm e ndërkombëtarëve, do ta detyronte politikën kosovare të miratonte edhe ajo VETTING-un , pasi vetë është e pamundur që ajo ta bëjë vetë hetimin dhe vetë pastrimin dhe as vetë ndëshkimin e vetes së saj”, thotë analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”
Sipas njohësve të fushës së sundimit të ligjit, ndërtimi i një drejtësie të pavarur, të pastër dhe efikase në Kosovë, nuk do të mund të bëhet asnjëherë pa u miratuar një ligj VETTING-u, model që po zbatohet në Shqipëri, mirëpo politika kosovare edhe pse e ka plot gojën sundim ligji, nuk po e bën një ligj të tillë nga frika se të parët që do të goditen nga VETTING-u do të jenë njerëzit e politikës në drejtësi, së bashku me politikanët e inkriminuar në krim e korrupsion.
Kështu mendon ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni. Mirëpo ai beson që do të jetë presioni ndërkombëtar që do të thyejë këtë rezistencë. “Vetting-un nuk e do askush, ashtu si nuk i dëshirojnë edhe shumë reforma. Nuk e duan të inkriminuarit në krim as institucionet e pavarura, as personat e pavarur dhe me dinjitet dhe nuk e duan asnjë (presion) nga jashtë. Fati është se sponsoruesit e pavarësisë po vazhdojnë të na mbështesin edhe në rrugëtimin drejt shtetbërjes”, vlerësoi ai. Sipas tij, të gjitha të arriturat e Kosovës (edhe pse të pakta) janë si rezultat i kërkesave të ndryshme ndërkombëtare edhe atë që nga viti 1999. “Po na ndihmojnë të bëjmë shtet, të kemi polici dhe ushtri, të kemi mekanizma të pavarur dhe shumë të arritura tjera. Edhe VETTING-u do të vjen prej atyre, nëse aplikohet ashtu si në Tiranë është shumë dimensional dhe gjithëpërfshirës. I ka tri faza: faza e parë rezultatet e punës, faza e dyte biografia jetësore dhe nën 3 lidhjet farefisnore dhe miqësore”, shpjegoi Preteni për “Kosova Sot”.
AHMETI: HIERARKIA E KRIMIT, KORRUPSIONIT, ËSHTË NDËRTUAR BRENDA LOGJIKËS SË NJËJTË TË TË GJITHA INSTITUCIONEVE PUBLIKE
Edhe njohësi tjetër i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti, thotë se derisa në kulmin e hierarkisë politike të institucioneve kemi njerëz të inkriminuar, nuk ka shpresë për VETTING të shpejtë në drejtësi. “Hierarkia e krimit, korrupsionit, është ndërtuar brenda logjikës së njëjtë të të gjitha institucioneve publike. Fryma e instalimit të tillë ka prodhuar aktualitetin ekonomik, politik e social dhe vazhdimi i së njëjtës ka efektet e njëjta në shoqërinë kosovare. Dora e hekurt e politikës duhet të bëhet brenda kornizës së nevojës qytetare e në harmoni me legjislacionin primar dhe sekondar, e cila përveç implementimit të këtyre politikave publike prodhon një realitet të jetueshëm”, u shpreh ai. “Deficiti i vullnetit politik, kuadrit profesional dhe instalimi i ligjeve të BE-së në disharmoni me vetëdijen qytetare, aspektin historik e kulturor, prodhon defektet në implementim të tyre. Procesi i Vetting-ut është domosdoshmëri e institucioneve të drejtësisë, por duhet të bëhet jo vetëm formalisht por substancialisht”, tha Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”.
KAPITI: POLITIKA E INKRIMINUAR REFUZON TA MIRATOJË LIGJIN E VETTING-UT PËR FAKTIN E THJESHTË SE POLITIKA VETË ËSHTË E INKRIMINUAR
I sigurt në vlerësimin se politika po e bllokon VETTING-un në Kosovë është analisti dhe eksperti i kësaj fushe, Skënder Kapiti. “Politika e inkriminuar refuzon ta miratojë Ligjin e VETTING-ut për faktin e thjeshtë se politika vetë është e inkriminuar, e mbushur me plot individë me rekorde kriminale në të gjitha partitë politike, me deputetë, qeveritarë e pushtetarë politikë qendrorë e lokalë, në administratë, polici, gjykatë e prokurori. Dhe, nuk ka se si politika e tillë të ndërmarrë një nismë ligjore për pastrimin e ndëshkimin e vetes së saj, por përkundrazi ajo do të bëjë maksimumin e përpjekjeve për ta penguar dhe sabotuar çdo nismë edhe civile e jashtëinstitucionale publike të shoqërisë civile për miratimin e VETTING-ut”, u shpreh ai. “Politika e Kosovës dhe drejtësia do të bëjnë atë rezistencë kundër VETTING-ut dhe do të veprojë ashtu sikurse u soll edhe politika e Tiranës, e cila bëri gjithçka që mundi kundër miratimit të VETTING-ut. Falë vetëm ndërhyrjes, këmbënguljes dhe detyrimit të SHBA-së, sot në Shqipëri po vepron VETTING-u, i cili po e pastron gjyqësorin shqiptar prej individëve te korruptuar, te kriminalizuar, prej abuzuesve dhe prej hajdutërisë juridike të fshehjes së pasurive të fituara me korrupsion, ryshfet e krim. Dhe kjo, pra ndërhyrja vetëm e ndërkombëtarëve, do ta detyronte politikën kosovare të miratonte edhe ajo VETTING-un , pasi vetë është e pamundur që ajo ta bëjë vetë hetimin dhe vetë pastrimin dhe as vetë ndëshkimin e vetes së saj”, vlerësoi Kapiti për “Kosova Sot”.
PRETENI: ZYRTARËT TË KENË TË KALUAR TË PASTËR
“Nëse politika mendon të angazhojë prokurorë dhe gjyqtarë të rinj, atëherë është mirë, ata kushtimisht mund të ikin nga një fazë, por jo nga dy fazat e tjera. Biografia është bazë për angazhimin e të gjithë zyrtarëve, ashtu siç do të jetë shumë e rëndësishme edhe lidhja e zyrtarit me njerëzit e krimit, familja dhe rrethi duhet të jenë garant se zyrtari e ka të kaluarën e pastër dhe rrethin e mirë dhe të shëndetshëm, në aspektin ligjor dhe moral”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.
Edhe Policia e AKI-ja të pastrohen
Njerëzit me dosje kriminale, si në politikë edhe në drejtësi, janë bllokuesit numër një të Ligjit VETTING, edhe sipas prof. Muhamet Kelmendit. “VETTING-u ndikon dhe e krijon një sistem të pastër, me njerëz profesional dhe të edukuar, si dhe me moral shtetëror të pathyer nga asnjë veprim, pavarësisht pozitës dhe rreziqeve që mund të vijnë dhe nga çdokush. Kosovës i duhet domosdo ky mekanizëm juridiko-politik. Natyrisht se është i rëndë dhe i vështirë, por me vullnet politik, sidomos të Qeverisë dhe ministrit të Drejtësisë, ka mundësi të aplikohet. Masat e përcaktuara nga ministri janë tipike, joreprezentative dhe të pasuksesshme në krijimin e një sistemi ligjor dhe profesional”, theksoi ai. “Me ligje, pa njerëz dhe pa masa përgjegjëse për punën, sistemi nuk sigurohet. Sistemi është i mbushur me kuadro të dyshimtë. Ata duhet larguar nga ai sistem për të mundur me ecë përpara. Shpresoj se kjo veç po kuptohet. Por, ka ende punë për të kuptuar dhe bërë real VETTING-un. Ka kohë që dihet, të tërë e dinë, sidomos politika dhe njerëzit e ndryshëm nga jeta ekonomike dhe shoqërore, se sistemi i drejtësisë është i mbushur me subjekte që në një formë a mënyrë tjetër, ka rënë në kundërshtim me ligjet në fuqi”, vijoi më tej Kelmendi. Sipas tij, ky sistem nuk arrihet të përmirësohet kurrë pa një spastrim total, përkatësisht pa pastrim të prokurorisë dhe të gjyqësorit. “Por, për këtë lypset edhe spastrimi i organeve të ndjekjes, siç është Policia e Kosovës dhe AKI-ja e Kosovës. Tëra këta mekanizma janë të kapur ose janë nën ndikimin e politikës së grupeve të krijuara nga ana e politikës dhe mafisë ekonomike të Kosovës”, tha Muhamet Kelmendi. Ndërsa analisti politik Bislim Aliu është tepër i sigurt se politika e inkriminuar po refuzon dhe sa të mundet do të refuzojnë ta bëjnë VETTING-un në sistemin e drejtësisë në Kosovë, sepse viktima e parë që do të bie para ligjit do të jetë vetë struktura e inkriminuar në politikë. “Për këtë është arsyeja e politikës së inkriminuar që po e bllokon VETTING-un, sepse ata që para VETTINGut nuk do të shpëtonin nga prokurorët, gjyqtarët dhe zyrtarët e instaluar aty, me duar të pastra e të pakorruptuar nga politika”, tha Aliu për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


