Lobuesi i dikurshëm midis harresës institucionale dhe dashurisë për vendlindjen
Nga Emin Azemi – (Skicë për portret) – Mamer Seferi – Maxi përfaqëson një histori unike suksesi që thyen harresën. Ai nuk ka nevojë për mirënjohje zyrtare prej letre nga ata që ia kthyen shpinën, sepse suksesi i tij mbin nga toka çdo ditë. Ai ka mbjellë të ardhmen e brezave të ardhshëm në vendlindje, duke dëshmuar se pavarësisht indiferencës institucionale, ia vlen gjithmonë të kthehesh dhe të investosh në tokën tënde.
Nëse ka një imazh që përmbledh më së miri fatin, sakrificën dhe triumfin e mërgimtarit shqiptar, ai është portreti i Mamer Seferit. I njohur midis miqsh dhe bashkëveprimtarësh si Maxii, ai është njeriu që mbart mbi supe mbi katër dekada ekzil – një jetë e ndarë fillimisht në horizontin e largët të Australisë dhe më pas në Kopenhagën e Danimarkës. Sot, ky prespan nga fshati Llacë ka vendosur definitivisht të kthehet bashkë me familjen në vendlindje. Ai zgjodhi të investojë në tokën stërgjyshore për të çuar në vend atë thënien e moçme: “Guri i rëndë peshon në vendin e vet”.
Mamer Seferi nuk është thjesht një emigrant që kthehet për të shijuar pleqërinë. Ai përfaqëson atë krah të fuqishëm dhe të heshtur të mërgatës që në vitet e nëntëdhjeta, deri në çlirimin e Kosovës, ishte shtylla kurrizore e rezistencës politike dhe ushtarake. Si një lobues i palodhur i çështjes së shenjtë kombëtare, ai dhe bashkëkombësit e tij ndanë kafshatën e gojës për të mbështetur proceset politike. Ata financuan themelet e Universitetit të Tetovës dhe rezistencën në Kosovë, në kohën kur arsimi dhe identiteti shqip ndiqeshin me egërsi dhe konsideroheshin akte heretike.
Mameri nuk është thjesht një njeri i punës së tokës, ai mban me vete një bagazh të jashtëzakonshëm kulturor dhe intelektual. Në moshën 74-vjeçare, ky burrë që flet rrjedhshëm shtatë gjuhë të huaja, përfaqëson atë elitë të rrallë të kurbetit që përdori dijen, kulturën dhe kontaktet ndërkombëtare për të hapur dyer e për të lobuar për lirinë atëherë kur zëri i shqiptarëve mbytej nga propaganda. Sot, këtë urë të fuqishme komunikimi me botën ai e ka kthyer në funksion të vendlindjes. Pasi ka promovuar ndërmarrësinë individuale që nga biznesi i ndërmjetësimit të patundshmërive në Australi, sot ai drejton kompaninë e tij AL UNITED me seli në Strugë, duke u bërë pionier i një kulture të re bujqësore. Kthimi nuk ishte i lehtë, fëmijët e tij kishin mbaruar universitete prestigjioze në Kopenhagë dhe në Londër. Përshtatja e tyre me realitetin ballkanik ishte një përvojë me shumë të papritura. Për rrjedhojë, vendimi familjar ishte i prerë: e ardhmja do të ndërtohej këtu.
Megjithatë, pas suksesit dhe qetësisë që reflekton ky burrë i urtë, fshihet një hije e rëndë zhgënjimi kombëtar. Mameri është një njeri i heshtur, por heshtja e tij është një aktakuzë e gjallë ndaj indiferencës dhe mosmirënjohjes së institucioneve tona shtetërore – sidomos atyre në Kosovë, për lirinë e së cilës ai shkriu vitet më të bukura të jetës.
Atje ku dikur kërkohej ndihma e mërgatës si mushkëri financiare dhe morale e kombit, sot ngrihen mure burokratike. Zyrat komode shtetërore vuajnë harresa se liria dhe rehatia e tyre e sotme u ujitën nga djersa dhe sakrifica e njerëzve si Mameri.
Kjo kritikë godet me të njëjtën forcë edhe mediat tona. Në një hapësirë publike të mbytur nga skandale të çastit dhe banalitete që kërkojnë vetëm klikime, heronjtë e vërtetë dhe të heshtur të viteve të nëntëdhjeta janë lënë në harresë të plotë. Është një paradoks i dhimbshëm që njerëzit që ndërtuan krahun më të fuqishëm të historisë sonë mbeten jashtë saj, ndërsa kronikat mbushen me personazhe të krijuar brenda natës.
Pavarësisht këtij realiteti fyes, Mamer Seferi vazhdon përpara. Përmes vizionit të tij në kompaninë AL UNITED, ai po ndërton një qendër moderne grumbullimi në Strugë, duke sjellë standardet më të larta perëndimore direkt në hapësirën shqiptare. Ai po përballet edhe me plagën e madhe të kohës: mungesën e fuqisë punëtore për shkak të ikjes masive të rinisë, duke dëshmuar se të investosh këtu kërkon më shumë se thjesht kapital – kërkon vullnet dhe dashuri kokëfortë për këtë tokë.
Mamer Seferi – Maxi nuk ka nevojë për medalje prej letre apo dekorata formale nga zyrtarët e shtetit. Suksesi dhe kontributi i tij mbijnë nga toka çdo ditë dhe trashëgohen te fëmijët e nipërit. Ai ka mbjellë të ardhmen në vendlindje, duke u kthyer në një model frymëzimi dhe duke vërtetuar se, pavarësisht harresës dhe mosmirënjohjes së sistemit, ia vlen gjithmonë t’i kthehesh tokës tënde dhe të investosh te rrënjët./rajonipress/


