Hidromorava

Vetëdije krijuese që gërvisht mbi sinkopën e plagëve

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Zejnepe (Alili) Rexhepi – Rreth vëllimit poetik “Sheshi i fjalëve” të Bilall Maliqit, edituar nga Shtëpia Botuese Beqir Musliu, 2014. Në vëllimin poetik “Sheshi i fjalëve”, dukshëm ndihet prania e unit autorial, përmes të cilit e identifikojmë jetën, frymëzimin… dhe si të thuash, atë sinkopën e fjetur që me një gërvishtje të lehtë e zgjon nga tispluhuri i ngjarjeve…., përjetues e dëshmitar i të cilave është dhe vetë autori, Bilall Maliqi. Madje, s’ka si të jetë ndryshe!

Krijimtaria poetike e Maliqit, nuk e ka vetëm tharmin e vendlindjes së tij, meqenëse ajo është e një linje me ngjarjet e Kosovës, asaj pjese të kombit që pati fatin e trishtë për dekada të tëra. Mendoj se poezinë e tij, e përshkon fryma biografike, e ngërthyer në ngjarje e përshkrime vendore, ku autori del edhe bartës i tyre.

Një vëzhgim thellësisht perceptues nga e kaluara drejt së ardhmes, na shpie në atë që njihet si mezokoha autoriale, kur poeti më fuqishëm, jo vetëm si përsiatës, por edhe si analist e udhërrëfyes…, kundron mbi plagët kombëtare, për t’i kthyer ato në mesazhe jetike! Mjaft bukur, me një kompozim të lakmueshëm artistik vijnë një sërë distikësh e tercinash, të ngritura mbi simbolin e hyjneshës Nikta (hyjneshë që personifikon errësisën), teksa poeti shkruan:
“Edhe legjendat me thonj
I gërvishte
Si i (e) çmendur
Nga Nëna e Vatrës
Asnjëherë
Nuk mësove urti” (49).

Jo vetëm për kah struktura, por dhe kompozicioni, poezia e Maliqit, bart vlera të poezisë bashkëkohore, megjithëse në mungesë transparence, merret për bazë dykuptimësia e shprehjeve metaforike. Nganjëherë, të duket se në shpërprishjet e shekujve, ndihen vetëm dihatjet e djallit, teksa emri i shqiptarit mbulohet me errësirë dhe rrugëve të fatit shumëherë mbetet udhëkryqeve pa emër, që përcillen nga hije dragojsh, të cilët mbijetojnë vetëm mbi luzma gjaku…

Poezia e tij sajohet nga figuracioni i ngjeshur dhe shumëllojshmëria metrike e ritmike. Një fakt më shumë ky se, poeti i njeh vlerat e poezisë së antikitetit dhe ato i ka parime bartëse gjatë formësimit të vargut. Kjo përkapje tematike dhe ky stil e shpie autorin drejt shpalosjes së vetëdijes krijuese.

Disa kryq(ëzim)e mendimesh

Krijimi i së vërtetës dhe plasimi i saj, edhe në saje të shpirtit të krijuesit, është teorema kryesore e jetës. Ashtu sikurse në vëllimin poetik “Sheshi i fjalës” ku ndihet ironia e absurdit – metaforat e mëdha , si identifikuese të ngjarjeve të epokës së fundit të shekullit të kaluar. Në poezitë e tilla, gjithçka mund t’u atribohet disa kryqe mendimesh.

Në libër të bën përshtypje, gjithsesi edhe përdorimi i fjalës, në formën e saj të dykuptimësisë, të cilat në format krahasuese vijnë si një plotëni formash gramatikore: frym(a)zimi, mot(ë)motit, (sh)lyejnë, (pa)drejtësitë, ndalu(a)r, zgjedh(j)e, (për)zgjedhje, (o)xhakut, (sh)prishe, (sh)prish, u (sh)prish, (sh)prishet, sht(r)atin, sht(r)irje, shk(t)rirë, (për)flakur, r(z)i, (z)emërime… Janë të shumta sajesat e tilla, të cilat sikur sjellin një frymë narrative për ngjarjet e ndodhura dhe mallin e përhershëm për kombin.

FIDANISHTJA

“Në cakun tonë të emëruar
Ngelet shigjetë e helmuar
Paloi gjithçka përreth
Edhe atë pikë gëzimi
Të fshehur në palët e kohës
Nëpër kahet e gjetheve
Pikojnë lotët…” (88).

Me përdorime të këtilla fjalësh, vargjet bëhen akoma më diskrete në mesazhdhënien e tyre: v(r)ara, i(e)çmendur, (i)e rehatuar, d(r)ite, emër(t)ime, (gj)ethe, (p)lot, s(t)inori, gur(i)zi, t(m)erri, pa(shkelura), e (pa)kuptimtë, (ri)takim, te(k)st, (g)uri, (p)ikë, fr(i)kën, v(l)erë, be(k)itm. Ky dyzim fjalësh, sjell thellësi më të mëdha mendimesh, e bën lexuesin më të vëmendshëm, natyrisht se është risi, një vargëzim i tillë.

Kuptimet filozofike të vargut

Edhe krijuesi, si individ vrojtues dhe përjetues, përqëndrohet në në ato copëza ngjarjesh, që në një farë mënyre e bëjnë historinë e vendit të tij, në atë që është lidhje e pashkëputshme me fisin, me dheun e të parëve…, veçmas në atë që është vëmendje e domosdoshme e individit liridashës, për ta përçuar më tej këtë ndjesi, jo vetëm në krijimtari.

Bilall Maliqi i takon asaj gjenerate poetësh, kur pothuajse domosdoshmërisht i duhej të jetë ndërmjetës i copëzave shenjuese të fatit të individit, përballë trysnive e vuajtjeve kolektive. Rrugë e vështirë kjo, të përshkohet nga secili poet…, vetëm nëse nuk e ke dhuntinë e vargut të A. Shkrelit: “Mos u bën poet, nëse nuk vdes për secilin varg,/nuk vdes për secilën fjalë”. Ndonëse, vargu i poetit Maliqi përshkohet nga simbolika perëndish e muzash, ai rrah në një tjetër hulli.

Imazhet poetike, te ky poet, ngrihen si gravura palimpsestesh, sepse ajo që është dhembje, lashtësi, komb, gjuhë…, nuk rinis sot! Është e moçme ajo dhimbje, sa vetë jeta e secilit nga ne…, madje e të gjithëve tok, aty gjurmët na shpiejnë, sa për të fjetur shpirtin, në trungun Ilir, siç edhe e përvijon në një varg “Rreth rrethit të ngushtë/sillet një shligë”. Përkalimet historike janë si një gërvishtje plagësh, për atë që është e jona dhe që poeti e rikujton përmes hyjnive ilire, sepse këto plagë janë rrugëtimi i historisë shqiptare.

Në këto përkalime, edhe lexuesi i gjenë gjurmët e veta, sigurisht kur në të, ka bulëza gjaku shqiptar, ai e ndien këtë varg po me krenarinë e madhështinë e fisit. Vepra e Maliqit e ka këtë erëmim, për t’u ndjerë, qoftë edhe me leximin e parë!/rajonipress/