Uji
Nga Alban Selimi – Para katër muajsh, aty patëm vënë skarën dhe me shokë e shijonim ‘plazhin e pestë’ të Liqenit të Batllavës. Uji i liqenit, ku gjatë tërë ditës bëmë edhe not, ishte alternativë për freski në plazhin më të afërt të Prishtinës, të ngritur artificialisht me paratë e Komunës së Podujevës.
Imagjinata për zgjerimin e plazhit dhe shfrytëzimin e Liqenit për turizëm nuk dukej si diçka e paarritshme, ndonëse miku im letrar që ngrihte birrën e ftohtë, fliste me fjalë romanesh për turizmin në Llap. Muzgu i asaj mbrëmjeje binte, buzë ujit të liqenit.
Skara ftohej mu pranë dallgëve që i lagte këmbët tona të zgjatura në drejtim të liqenit. Imagjinata për turizmin, zgjatej me kriposjen e liqenit dhe tretmanin me haloterapi. Por, gjithçka prishej, kur tjetri ngrihej në këmbë dhe me humor, do t’i hidhte këmbëve të zbathura të letrarit, kripën e mbetur të kuzhinës, që do të shpërlahej menjëherë nga dallgët që rriteshin. Askujt s’do t’i shkonte mendja se ai vend, ku ishim freskuar me not, pas katër muajsh, në mesin e një dimri që e prisnim si armikun e ftohtë, do të shpërfaqte ‘fytyrën’ e re të liqenit. Lymin e mbledhur me vite!
Në janar, zgjatja e këmbëve tek plazhi i pestë i Batllavës do të ishte një budallallëk. Jo se bënte ftohtë dhe s’kishe ku ulej. Por se këmbët do të përfundonin në baltë. Hedhja e kripës do t’i digjte këmbët e zbardhura, të nxjerra në rreze të dobëta dielli.
Refreni i hartimeve shkollore se vera shoqërohet me diell, vjeshta me shira e dimri me borë është në përmbysje. Ndonëse verërat vazhdojnë të jenë të nxehta e të thata, borës i janë harruar bardhësinë. Sajat janë shndërruar në relikte kurse liqenet janë tharë. Topat e borës janë harruar. Liqeni i Batllavës dhe ai i Badovcit, që furnizojnë kryeqytetin me ujë, kanë rënë në nivele shqetësuese, më shumë se dhjetë metra nën nivel.
Ndonëse zyrtarët e ujësjellësit nuk po shfaqin shqetësimet e tyre për ujin, liqeneve u duhen me vite të tëra reshje që ato të kenë nivelin maksimal me ujë. Këto lajme aspak të mira, kanë goditur opinionin e gjithë botës. Për problemin e ujit në Kosovë, së fundi raportuan më shumë se 130 media botërore. Zyrtarët e ujësjellësit thanë se ky nuk është një lajm i mirë. Por, thanë se nuk ka nevojë për shqetësim. E ajo që pritet, janë reduktimet e ashpra, tashmë të paralajmëruara.
Banorët e Podujevës kanë filluar ta blejnë ujin, pasi në krojet e tyre, turbullimet e para të ujit janë dukur. Ekspertët thonë se niveli aktual i liqeneve mund të jetë mashtrues, për shkak të lymit të mbledhur në liqene tash e sa vite dhe në liqene të mos ketë ujë aq sa duket. As udhëheqësit e rinj të kryeqytetit, nuk kanë shfaqur shqetësime. Ndërtimi i fabrikës së re të ujit në fshatin Shkabaj, ata besojnë se është zgjidhja që do të bëhet pas dy vjetësh.
Shpresat janë rritur edhe për dy vite, kur një projekt prej 32 milionë eurosh, do ta bënte kryeqytetin me ujë të pijes. 20 milionë euro pritet të merren si kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim, 5 milionë nga Komisioni Evropian, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve, pritet të shtohet nga Qeveria e Kosovës. Derisa të realizohet ky projekt, qytetarët do të shikojnë nëse do të pikë diçka nga qielli. Për dy vjet, mbase Shkabaj do ta bëjë Prishtinën me ujë. Por ëndrra e mikut tim letrar për haloterapi do të shuhet. Ai më s’do t’i shtrijë këmbët në bregun e Batllavës. As kripë s’do t’i hedhë askush këmbëve. Pa reshje s’do të ketë ujë, sikurse që pa ujë, s’do të ketë jetë!


