Hidromorava

Tri detyrat kyç të Kosovës

/ 6 minuta lexim

Nga Blerim Shala – Veriu, integrimi i tij i plotë në rendin kushtetues të Kosovës, sundimi i ligjit dhe forcimi i demokracisë dhe i institucioneve të vendit, janë tri detyrat kryesore për politikën kosovare në periudhën pas 10 shtatorit.

Koincidoi që Kuvendi i Kosovës të mblidhet po të njëjtën datë, me 7 shtator, në sesionin e vendimeve për amandamentimin e Kushtetutës, dhe të miratimit të Ligjit për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, e cila në mbamendjen politike dhe historike të kosovarëve shënohet me ngjarjen e vitit 1990, që njihet si Kushtetuta e Kaçanikut.

Ky fakt u shfrytëzua që në një anë, të tërhiqen paralele midis dy shtatë shtatorëve, të ofrohen interpretimet e qëndrueshme dhe fare të huqura politike, e në anën tjetër, pati edhe përpjekje që çfarë po ndodhte në këtë 7 shtator, të vlerësohet dhe analizohet nga pikëshikimi i shtatorit të vitit 1990.

Në politikë, nëse njëmend dëshirohet të bëhen vlerësimet dhe analizat objektive, vazhdimësia e ngjarjeve politike dhe historike gjithsesi është çelës për kuptimin e tyre, por pos saj, kemi një tjetër çelës të pashmangshëm: Kontekstin.

E drejta politike, vullneti politik i një kombi, nuk çojnë automatikisht në ndryshimin, për të mirë, të historisë së atij kombi, nëse nuk kuptohen rëniet dhe ngritjet e tij në të kaluarën (vazhdimësia), dhe nëse nuk zihet ai momenti i ri historik që ofrohet rrallë, shumë rrallë, një herë apo dy herë në një shekull (konteksti).

Vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës ka qenë prore i njohur për të gjithë. Fuqia dhe organizimi politik i shqiptarëve të Kosovës kanë pasur rëniet dhe ngritjet e ditura. Por vetëm pas thyerjes së madhe të viteve 1989/1990, në Evropë dhe në ish-Jugosllavi, u bë e mundur që të bashkohet ky vullnet politik, me një fuqi dhe organizimin politik më cilësor, dhe mbi të gjitha, me drejtimin që kishte marrë Perëndimi në përfshirjen e Ballkanit në Evropë.

Mbase, këto janë formulime krejtësisht të kujdesshme që kanë të bëjnë me brutalitetin historik dhe politik që na përfshiu si komb në ato vite.

Çfarë është e përbashkët për Kushtetutën e Kaçanikut të vitit 1990 dhe Kushtetutën e vitit 2008, me të gjitha amandamentet e miratuara këtë të premte, ishte mendimi absolutisht mbizotërues politik ndër shqiptarët e Kosovës që Republika e Kosovës është dhe duhet të jetë rezultat i përbashkët i vullnetit të shqiptarëve të Kosovës dhe i drejtimit që kishte marrë historia e re në Evropë. Kishim të bëjmë me një kompatibilitet që mundësoi çlirimin e Kosovës dhe bërjen e shtetit të Kosovës.

Një tjetër krahasim që përkon shumë më tepër me detajet se sa me këtë tablon e përgjithshme politike dhe historike, është ai që provon të marrë vesh se sa kemi ecë para në harkun kohor që lidh pranverën e vitit 2008 me verën e vitit 2012, në sendërtimin e obligimeve që lidheshin me Kushtetutën e Kosovës dhe me Pakon e Presidentit Ahtisaari.

Këtu të bie menjëherë në mend ai rrëfimi i gjithënjohur për gotën gjysmë të mbushur apo gjysmë të zbrazur. Qeveritarët na thonë që gota është e plotë në fakt, dhe që tash e tutje, Kosova do të jetë shtet me pavarësi të njëmendtë, gjë që nuk është e vërtetë. Ka edhe të tillë që thonë që kjo gotë nuk vlenë gjë fare, se duhet të thehet e tëra për ta ndryshuar drejtimin që ka marrë Kosova. Si në shumë raste të tjera, të vërtetës i pëlqen mesi, ajo nuk i do shumë skajet, zhurmën e madhe dhe llomotitjet e kota .

Fundamenti

Periudha e kaluar gati pesëvjeçare e shtetit të Kosovës, shumë më tepër karakterizohet me nisma, me përpjekje, me fillime, se sa me punët që duhej të kryheshin.

Ta zëmë pakkush në shkurtin, marsin e vitit 2008, si këndejpari ashtu edhe në Perëndim, do të besonte që në shtatorin e vitit 2012, Veriu i Kosovës do të ishte poaq larg Prishtinës (në mos edhe më shumë), se sa që ishte atëbotë.

Nga pikëshikimi i asaj kohe, është llogaritur që së bashku me EULEX-in, do të bëjmë shumë më tepër në segmentin kyç të sundimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës. Puna konkrete e bërë këtu është larg, shumë larg zotimeve dhe fjalëve që i kemi pasë atëherë.

Në një segment madje, në forcimin e demokracisë, objektivisht, Kosova i ka sot punët më keq se sa që i ka pasë edhe në vitet e fundit kur UNMIK-u ishte adresa finale e Kosovës. Mbase askush nuk ka mundur të paramendojë, në vitin 2008, që do të kemi aq zgjedhje të këqija, tërësisht të manipuluara, çfarë ishin ato të dhjetorit të vitit 2010, që kualiteti i përgjithshëm i politikës kosovare do të ketë devalvim aq të madh, dhe që mosdurimi midis politikanëve dhe partive do të mbërrijë shkallën që mund të kualifikohet edhe si urrejtje politike.

Veriu, integrimi i tij i plotë në rendin kushtetues të Kosovës, sundimi i ligjit dhe forcimi i demokracisë dhe i institucioneve të vendit, janë tri detyrat kryesore për politikën kosovare në periudhën pas 10 shtatorit, kur do të përmbyllet kaptina e mbikëqyrjes së pavarësisë. Thënë troç, këto kanë qenë edhe tri obligimet kryesore të Zyres Civile Ndërkombëtare dhe të autoriteteve kosovare në periudhën e kaluar. Mungesa e rezultateve, e cila lirisht të çon në konkludime dëshpëruese që shfaqen në trajtë të dështimeve, është trashëgimi i ICO-së dhe e instituioneve të Kosovës.

Pa pasë sukses në adresimin e këtre try detyrave, as në ëndërr nuk mund të presim një ngitje ekonomike a një zhvillim të asisojt ekonomik, i cili pastaj do të ofronte një jetë më të mirë qytetarëve të Kosovës.

Puna veç ka nisur pra, dhe nuk është rendi të thuhet që është kryer.

Justifikimet, të cilat realisht nuk kanë qenë kredibile as në vitet e kaluara, tash e tutje nuk do të mirren parasysh. Përgjegjësia, mbi të gjitha, na takon neve.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)