RCCOLA

“Trepçës” po i përgatitet funerali

/ 9 minuta lexim
Eco Higjiena

Falimentimi i qëllimshëm, për hir të interesave të oligarkëve

“Ka interesa personale të dikujt, që ka synim primar për ta shkatërruar kombinatin, që dikur ishte krenaria e kombit. Dhe, e tëra kjo po bëhet për interesa politike, edhe interesa ekonomike të njerëzve që thuajse i kanë falimentuar të gjitha ndërmarrjet publike dhe mision e kanë edhe ‘Trepçën’ për ta falimentuar”, thotë Lulzim Beqiri për “Kosova Sot””

Bazuar në vlerësimet e analistëve dhe përfaqësuesve sindikalë, rezulton se kombinati “Trepça” u përdor për 20 vjet rresht vetëm për pasurim të pushtetarëve, ku kryesisht u dërguan njerëzit e SHIK-ut për ta kullotur në mënyre kriminale sa më shumë e sa më mirë këtë gjigand dhe ai sot është buzë falimentimit. Lideri i Sindikatës së kombinatit “Trepça”, Shyqyri Sadiku, për gazetën ” Kosova Sot’, thotë se nëse puna vazhdon kështu ka frikën se kombinati “Trepça” me këtë trend prodhimi e menaxhimi dhe nga trajtimi që po ia bën edhe Qeveria “Haradinaj”, kombinati që jo moti ishte një krenari kombëtare, po shkon drejt falimentimit. “Nuk hamendem fare kur them se faktorët që e sollën në këtë gjendje këtë kombinat kanë qenë menaxhimi i gabuar dhe në veçanti ishin zhvatja, keqpërdorimet dhe nepotizmi në menaxhim e punësim, ndër indikatorët kryesorë që e kanë sjellë në këtë situatë kombinatin ‘Trepça’. Kjo, ngase ka dyshime të mëdha, se kombinati ‘Trepça’ që nga paslufta e deri më sot u keqpërdor vetëm e vetëm për pasurim të pushtetarëve, që e zhvatën dhe kullotën në mënyrë kriminale gjigandin që sot është buzë falimentimit”, vlerësoi ai.

Shkatërrimi i resurseve kombëtare
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se të gjitha qeveritë e pasluftës Ndërmarrjet Publike i kanë shkatërruar qëllimisht, duke i sjellë ato buzë falimentimit, dhe këtë e bënë fillimisht duke i shfrytëzuar ato maksimalisht dhe duke i sjellë ato në një pozitë që në fund mund të shiten më lehtë, sikurse që janë PTK-ja, Telekomi, “Vala” dhe “Trepça”. “Kjo, ngase të gjitha qeveritë e pasluftës i kanë angazhuar njerëzit e vet të shërbimeve të caktuara që të punojnë atje, në mënyrë që të eksploatohen ato pa u vërejtur, pasi kanë pasuri të jashtëzakonshëm minerare”, u shpreh ai. “Për shkak të problemeve të mëdha politike që i ka Kosova, sidomos me Serbinë, askush nuk është marrë me ‘Trepçën’ dhe këtë e kanë shfrytëzuar të gjitha qeveritë tona dhe në këtë kuptim ajo është eksploatuar në mënyrë të paskrupullt dhe tashmë ‘Trepça’ gjendet buzë falimentimit dhe thjesht sigurisht se do të bëjnë përpjekje për ta shitur”, vijoi më tej Salihu. “Resurset tona janë shkatërruar dhe thuajse tanimë po privatizohen dhe ato po i marrin njerëzit që i kanë sjell’ në këtë gjendje dhe përmes mashtrimeve kinse janë blerësit e huaj dhe këta pushtetarë duke u fshehur pas njerëzve të huaj thjesht po bëhen pjesë apo pronarë të Ndërmarrjeve tona Publike, të cilat kanë qenë pronë e çdo qytetari të Kosovës, ngase çdo fëmijë që lind në Kosovë i takon një grusht prone të Kosovës”, potencoi ai.

Goditja e industrisë së rëndë Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën ” Kosova Sot”, tha se Kosova është shquar në ishJugosllavi për industrinë e rëndë dhe rëndësinë e kësaj industrie në mirëqenien e qytetarëve të saj. Është evidentë se gjiganti “Trepça” ka kontribuar gjeneratë mbas gjenerate në zhvillimin ekonomik jo vetëm të Kosovës, por edhe të Serbisë dhe ish-Republikave të tjera të Jugosllavisë. “Ka interesa personale të dikujt, që ka synim primar për ta shkatërruar kombinatin që dikur ishte krenaria e kombit. Dhe, e tëra kjo po bëhet për interesa politike, edhe interesa ekonomike, të njerëzve që thuajse i kanë falimentuar të gjitha ndërmarrjet publike dhe mision e kanë edhe ‘Trepçën’ për ta falimentuar. Mendoj se politika e pasluftës e ka shkatërruar sistemin ekonomik të vendit dhe po vazhdon ta shkatërrojë çdo ditë e më shumë”, u shpreh ai.

Analisti i ekonomisë Mustafë Kadriaj, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se zhvatja e pasurive dhe e ndërmarrjeve shoqërore është filluar që nga pas lufta nga politika dhe njerëzit e afërt në vend pa dallim partiak dhe organizatë dhe duhet të gjykohet si dukuri e keqe, që i ka shkaktuar dëm pasurive më vitale të Kosovës, siç është “Trepça” dhe shumë ndërmarrje të tjera dhe, për fat të keq, nuk ka të ndalur. “Partitë politike në vend më shumë akuzojnë njëra – tjetrën pse tjetri krah po e zhvat më shumë, por jo që të ndalin keqpërdorimin përmes zërit parlamentar, dhe në momentin që vijnë në pushtet vetëm që e rrisin dozën e keqpërdorimit”, u shpreh ai. “Po këta njerëz, si kryeministri dhe zëvendëskryeministri Pacolli, që kritikonin Qeverinë e kaluar ‘Mustafa’ për dështime me ‘Trepçën’ pikërisht sot ‘Trepça’ po kalon ditët më të këqija si biznes, kështu që dukuria e zhvatjes dhe e dëmtimit të pasurive ekonomike nuk ka të ndalur as në këtë Qeveri”, vlerësoi Kadriaj.

MINIERAT E LËNA PAS DORE
“Kosova, edhe pse kanë kaluar mbi 18 vjet nga përfundimi i luftës, ende nuk ka arritur t’i aktivizojë shumë fabrika dhe miniera, që do të sillnin të ardhura të bollshme, duke nxjerrë vendin nga kjo katrahurë që s’ka të ndalur. Qeveria e vendit duhet të ketë parasysh se ka kaluar koha e lavdeve dhe fushatave zgjedhore. Duhet punë për të rritur mirëqenien e qytetarëve, zaten edhe për ata paguhen nga buxheti i varfër i taksapaguesve kosovarë”, u shpreh Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”.

Mobi Casa

NDËRMARRJA NË RREZIK
“Nëse Qeveria ‘Haradinaj’ nuk merr masa imediate për mbrojtjen e kësaj Ndërmarrjeje Publike, punëtorët jo vetëm që po rrezikohen të mbesin pa paga, por mund të ndodhë që këta punëtorë do të detyrohen ta mbyllin komplet këtë kombinat, që dikur jo moti ishte krenaria e Kosovës”, tha Dardan Grapci për “Kosova Sot”.

EMËRIMET FATALE
“Edhe emërimi i drejtorëve dhe mospuna e menaxhmenteve të deritashme e kanë sjellë këtë situatë, ndaj të gjitha këto janë pasojat që ishin fatale dhe e kanë sjellë në këtë situatë ‘Trepçën’. Një gjë është e sigurt, se Ligji për ‘Trepçën’ e ka pasur vetëm një të mirë, sepse Ligji në fjalë e shpëtoi kombinatin nga falimentimi, ndërsa asgjë të mirë tjetër nuk ka pasur ky ligj, ndonëse ne si Sindikatë kemi qenë kundër miratimit të këtij ligji”, u shpreh Shyqyri Sadiku për “Kosova Sot”.

PUSHTETARËT E PASKRUPULLT
“Pushtetarët tanë të pasluftës po lozin me këtë pasuri të Kosovës dhe me qytetarët e saj, duke e shkatërruar pasurinë e saj dhe duke e shitur. Pra, kjo nuk është një rastësi dhe e tëra kjo është një plan 20-vjeçar”, u shpreh Salih Salihu për “Kosova Sot”.

Kombinati, në shërbim të grupeve të interesit
Ndërsa, analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se kombinati “Trepça” duhet që të privatizohet. “Mendoj që kjo do të ishte e vetmja mënyre që një ndërmarrje, siç është ‘ Trepça’ do t’i hapte sytë dhe do të përmirësohej dukshëm si në punë, ashtu edhe në shitjen e xehes së saj dhe prodhimeve të tjera që mund të dalin”, u shpreh ai. “Fajtori kryesor për falimentim e ‘Trepçës’ është Qeveria e Kosovës dhe krerët e pasluftës të Komunës së Mitrovicës. Prandaj, falimentimi i eventual i ‘Trepçës’ është me fajin e shtetit, ngase pasurinë me xehe që e ka ‘Trepça’ asnjë kompani në Ballkan nuk e ka, për shkak se Kosova është një tokë me plot minerale dhe ari”, vijoi më tej Grapci. “Kombinati ‘Trepça’ si ndërmarrje publike është dashur të ndihmohet nga Qeveria e Kosovës, e jo të lihet anash. Kjo edhe e ka sjellë këtë kompani në këtë pozitë, ku kjo ndërmarrje po rrezikohet nga mbyllja e përhershme”, potencoi ai.

Ndërsa, afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot” tha se është për keqardhje pozita e rëndë afariste në të cilën ka ardhur kombinati “Trepça”, që deri para luftës dhe dikur jo moti ishte krenaria e ekonomisë së Kosovës me më shumë se 20 mijë të punësuar. “Ka dyshime të mëdha se kombinati ‘Trepça’ për 20 vjet rresht ka shërbyer vetëm për pasurim të pushtetarëve, duke e bërë këtë në mënyrë tinëzare dhe në mënyrë kriminale përmes drejtuesve të këtij kombinati që punuan për grupe të interesit”, u shpreh ai. Sipas Malokut, në saje të këtyre politikave shkurtpamëse të të gjitha qeverive tona të pasluftës dhe keqmenaxhimit të dobët me këtë gjigand, “Trepça” sot është buzë falimentimit.

(Kosova Sot)