Fundamenti

Tkurret numri i nxënësve në shkollat e Kamenicës

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Nataliteti i ulët dhe shpërngulja mbyll shkollat në zonat malore. Pakësohet numri i nxënësve edhe në qytete.

Numri i nxënësve ka shënuar rënie drastike, ndërsa në klasën e parë regjistrohen pak nxënës. Nga një analizë e thjeshtë sociologjike shkaqet e rënies drastike të numrit të nxënësve në klasë të parë, janë nataliteti i ulët, shtyrja e martesave ose heqja dorë nga martesa e të rinjve si pasojë e krizës ekonomike, papunësia, streset psikike me burime sociale, ndryshimet në mentalitet, depërtimi i subkulturës dhe antikulturës, degradimi i vlerave tradicionale të familjes shqiptare në emër të “modernizimit”, përdorimi i substancave narkotike nga të rinjtë, rënia e cilësisë në edukim dhe arsim, ikja nga libri, humbja e kohës në internet në lojëra dhune, prishja e gjuhës së komunikimit, desocializimi dhe qëndrimi armiqësor dhe i ftohtë ndaj tjetrit, etj.

Kjo gjendje është një alarm për të gjithë, në radhë të parë për pushtetarët, ligjvënësit, që në asnjë seancë kuvendore nuk janë marr pak minuta me rënien drastike të natalitetit dhe mbylljen e shkollave për mungesë nxënësisht.

Numri i nxënësve pakësohet në zonat malore. Shkollat mbyllen për mungesë nxënësish. Nataliteti zero dhe shpërngulja e familjeve të mbetura ka shkaktuar mbetjen e shkollave me numër të vogël nxënësish. Shkolla Fillore “Nuhi Berisha” e Tygjecit, që mbulon një rajon të gjerë të zonës kufitare ka ardhur në prag të mbylljes. Nga pesë paralelet e ndara, tashmë funksionojnë vetëm paralele në Meshinë (3 nxënës), Feriçevë (1 nxënës) dhe Zajçec (1 nxënës), ndërsa prej vitesh janë mbyllur në Sfircë dhe Gmicë (për këtë është shkruar më herët).

Shkolla amë e Tygjecit po zbrazet çdo stinë dhe çdo fillimvit ka më pak nxënës. Familjet e mbetura ankohen se fëmijët e tyre nuk kanë perspektivë në fshat, se vajzat dhe djemtë nuk mund të martohen këtu. Vajzat nga qyteti nuk vijnë të martohen në fshat me djemtë, por edhe vajzat këtu nuk kanë si të martohen, pasi nuk ka djem ose numri i tyre llogaritet me gishtat e dorës. Familjet e mbetura nëpër lagje janë të një trungu apo lidhjeje farefisnore. Prandaj, këto familje kanë ndërtuar shtëpi në qytetin e Kamenicës e ndonjë sish edhe në periferi të Prishtinës.

Këto familje ndërtuan shtëpi me shitje bagëtish që patën si pasuri familjare si dhe me shitje të lëndës drusore.

Në shkollën e Tygjecit, në secilën klasë nga e para deri në të nëntën (I-IX), numri I nxënësve sillet nga 3-7 nxënës, e numri i përgjithshëm është nën 46 nxënës. Ky trend i shpërnguljes së familjeve nga Tygjeci me rrethinë, dhe sidomos mungesa e martesave dhe rrjedhimisht e natalitetit zero, do ta mbyll shkollën brenda 5-6 viteve të ardhshme.

Kjo gjendje është pothuaj në gjithë zonat malore të Anamoravës, siç u përmend edhe në disa shkolla të Vitisë. Mirëpo, kjo dukuri është e pranishme edhe në shkollat fillore në zonat e rrafshta, gati urbane, sin ë Kopernicë, Hogosht, Topanicë, qytetin e Kamenicës, pastaj në Viti e Gjilan, por edhe në shkolla të mesme.

Fundamenti

Në Gjimnazin e Kamenicës, në këtë vit shkollor (2013/2014) do të ketë katër paralele më pak. Sipas drejtorëve të shkollave, në pothuaj 99 për qind të shkollave do ketë numër më të vogël nxënësish, e janë mbyllur paralele të shkollave fillore pasi nuk ka pasur asnjë nxënës të paraqitur në klasën e parë.

Ky trend i rënies drastike të nxënësve brenda pak vitesh do të nxjerr jashtë përdorimit disa shkolla që u ndërtuan së fundmi.

Në të ardhmen gara do bëhet në mes të shkollave se kush do marr më shumë nxënës. E tërheqja e nxënësve do të bëhet nga ato shkolla që kanë kuadër profesionalisht të përgatitur mirë dhe zotërojnë dije e kulturë, dhe jo shkollat që mëtojnë ta kryejnë funksionin e shkollës me numra, duke pranuar kuadrin mësimor sikur të ishin shkollat ente punësimi për raste sociale.

T’i kthehemi problemit që spikatëm në nismë të shkrimit. Pushtetet komunale, pushteti qendror, Kuvendi i Kosovës duhet ta debatojë këtë problem të rënies drastike të natalitetit dhe rrjedhimisht rënies së nxënësve dhe mbylljes së shkollave. Askush nuk e vret mendjen për këtë çështje që është dhe duhet të kthehet kryeçështje institucionale, pasi Kosova e vogël nuk është Kinë që të heshtet e neglizhohet nataliteti, shpërngulja dhe mbyllja e shkollave.

Argumenti për alarm. Çdo vit nga zonat malor ka ikje drejt qytetit, kryesisht në Kamenicë dhe në periferi të Prishtinës. Lagja “Malësia” e Kamenicës është e tëra e populluar nga familjet e shpërngulura nga Tygjeci dhe fshatrat përreth, ndërsa disa familje po nga kjo zonë janë vendosur në Hajvali, Matiçan e Bardhosh të Prishtinës. Arsyeja, nuk po na rrihet. Kemi mbetur vetëm. Ikën të gjithë. Vajzat, djemtë, martesat, perspektiva…
Se rënia e numrit të nxënësve është alarmante e dëshmon edhe e dhëna nga DKA në Viti brenda periudhës 2008-2013, numri i nxënësve në këtë komunë ka rënë për 1000 sish, ose është shuar një shkollë me një mijë nxënës, e po aq janë shuar edhe në Gjilan e Kamenicë.

E, shkaqet mbeten ato që i paraqitëm në hyrje të shkrimit: nataliteti, papunësia e madhe, gjendja e vështirë sociale, mungesa e perspektivës, shpërnguljet apo migrimet fshat – qytet dhe emigrimet Kosovë – jashtë.

Ndoshta ata që marrin vendime do të kujtohen se ky trend alarmant do dhe kërkon përgjigje me masa të menjëhershme. Ndoshta mund të rishqyrtohet pushimi i lehonisë, stimulimi i nënave dhe familjeve që riprodhojnë tre e më shumë fëmijë, që nënat të marrin pagesë edhe për fëmijën e tretë, të katërt e tutje.

Ndërsa, familjet që jetojnë në fshatra të thella malorë dhe në zonën kufitare të stimulohen me mekanizëm për bujqësi, blegtori, pemtari, dhe secila familje kufitare të marr stimulim mujor në para që të mos e mendoj qytetin dhe ndihmën e Kryqit të Kuq, banim solidar social apo strehimin me qera në qytete, por të jetojë me dinjitet në tokën e tij dhe jo si lypsar në qytet./Nexhat Buzuku/rajonipress/