Fundamenti

Thaçi i bie me ‘sëpatë’ Kosovës për të shpëtuar nga Specialja

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Analistët politikë po e shohin me sy kritik këmbënguljen e Hashim Thaçit që me çdo kusht t’i prijë procesit të bisedimeve me Serbinë, për fazën finale të arritjes së marrëveshjes historike, duke dyshuar shumë në qëllimin e tij personal dhe anashkalim të interesit nacional e shtetëror.

Analistët shprehin dyshimin e tyre se pas tentativës që kishte tentuar ta shfuqizojë Gjykatën Speciale, nga presidenti Hashim Thaçi natën e 22 dhjetorit të vitit të kaluar, përmes një plani të detajuar me agjentët e UDB-së serbe në Kosovë, për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, ai tani është duke e bërë të njëjtën gjë, duke i pranuar kompromiset dhe amnistitë Serbisë dhe qëllimi i vetëm, sipas analistëve, është që përmes kompromiseve ndaj Serbisë, prej fuqisë ekzekutive të Asociacionit të komunave serbe e deri tek ndarja e Kosovës, të fitojë garanci nga ndërkombëtarët se ai nuk do të ulet në bankën e të akuzuarve të Gjykatës Speciale. Kjo tentative, sipas analistëve, nuk duhet të lejohet, sepse Kosova nuk duhet dhe nuk mund të shkojë në dialog me njerëz të dyshuar e të shantazhuar, si puna e Thaçit, që është në gjendje të bëjë çdo gjë vetëm të ruajë lëkurën e vet nga përballja me drejtësinë.

KELMENDI: ME BEKIMIN E THAÇIT U AMNISTUAN KRIMINELËT E “ROJËS SË URËS”

Prof. Muhamet Kelmendi theksoi për “Kosova Sot” se z. Thaçi në këtë pozitë përballë Gjykatës Speciale e di këtë hiq më pak se tash e 10 vjet dhe prandaj është i fokusuar në mbrojtje ndaj saj. “Nuk është puna e tij vetëm tash në këtë drejtim të orientuar. Ka kohë që ka punuar për mbrojtjen e vet, e përsëris vetëm të veten nga kjo gjykatë. Z. Thaçit nuk i intereson mbrojtja e luftëtarëve të vërtetë të UÇK-së. Asnjë luftëtar nuk e ka mbrojtur, pavarësisht se ku është gjykuar deri më tani. Nuk e ka mbrojtur as grupin e Drenicës, as komandantin e SHP të UÇK-së, z. Sylejman Selimi. Nuk u interesua as si individ dhe as si qeveri, as për rastin e Haradinajt në Hagë. Kështu është dhe për shumë raste të tjera. I gjendur z. Thaçi para presionit të kësaj gjykate, shumë veprime dhe masa juridike ndërkombëtare i pranoi pa asnjë kusht e pa asnjë kundërshtim. Ë bëri këtë për të treguar se është personi i vetëm në Kosovë me të cilin mund të realizohen qëndrimet e BE-së dhe subjekteve tjera në Kosovë, fillimisht i futi thonjëzat në statusin e Republikës – fusnotën. Puna e z. Thaçi për personin kryesor dhe të vetëm për bashkëpunim vazhdoi me shumë marrëveshje që u nënshkruan në Bruksel”, është shprehur Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, me bekimin e Thaçit u amnistuan kriminelët e “Rojës së Urës”, duke shtuar se më pastaj krijoi dhe i forcoi shumë komuna, madje edhe jashtë Planit të Ahtisarit.

QARRI: HASHIM THAÇI, LIGJËRISHT DHE MORALISHT, KA HUMBUR TË DREJTËN PËR TË MBETUR EDHE MË TEJ NË POZITËN E TË PARIT TË SHTETIT!

KKVITI

Analisti Gani Qarri pohon për “Kosova Sot” se qysh në vitin 2005 Kosova hyri në bisedime me Serbinë për zgjidhjen e statusit të saj dhe nga atëherë Thaçi ishte pjesë e përhershme, pothuajse e të gjitha proceseve negociuese me këtë shtet hegjemonist ish-pushtues. “Ai ishte personi që edhe pas pavarësimit të Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, megjithëse leximin e Deklaratës së Pavarësisë e bëri vetë, përveç vënies së “Fusnotës” mbi statusin e saj, duke vënë edhe pavarësinë në pyetje, të shumtën e kohës si kryesues i këtyre negociatave, Hashim Thaçi pranoi me lehtësi të pakuptueshme, kompromise tjera të dhembshme, përfshirë ‘Zajednicën’ dhe decentralizimin në baza etnike vetëm për serbët, eksterritorialitetin me status të veçantë për kishat dhe manastiret ortodokse serbe, sigurimin e vendeve të rezervuara në Parlament dhe të drejtën e vetos për përfaqësuesit serbë. Ndaj, me kompromiset e lartcekura, Hashim Thaçi jo vetëm se legjitimoi strukturat e Serbisë në Veri dhe gjithandej vendit tonë, por krijoi kushtet edhe për ndarjen e Kosovës në baza etnike, si dhe i mundësoi shtetit serb kontroll të përhershëm në Kosovë. Për aq më keq, vetëm marrëveshja për formimin e ‘Zajednicës’ serbe ishte aq e dëmshme për vendin tonë, saqë Gjykata Kushtetuese jo vetëm se e hodhi poshtë si të papranueshme, por edhe konstatoi unanimisht se në rrafsh 23 pika ajo ishte në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Ndaj për këto dhe shumë veprime tjera të dëmshme, e sidomos pas tentativës kontroverse që ta shfuqizonte Gjykatën Speciale, natën e 22 dhjetorit të vitit të kaluar, përmes një plani të detajuar me agjentët e UDB-së serbe në Kosovë, për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi, ligjërisht dhe moralisht, e ka humbur të drejtën për të mbetur edhe më tej në pozitën e të parit të shtetit”, theksoi analisti Qarri për “Kosova Sot”. Sipas analistit Qarri, nga fillimi i të ashtuquajturit dialog teknik, në vitin 2011, i cili pa kaluar shumë kohë u shndërrua në dialog politik dhe ai përveç dhjetëra kompromiseve të deritanishme, në emër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, paralajmëron edhe kompromise të reja në dëm të Kosovës, tanimë në emër të finalizimit të marrëveshjes “historike” sipas tij, me këtë shtet ish-pushtues. Është e habitshme sipas Qarrit pse nuk po kërkohet përgjegjësi nga askush për këto lëshime.

Aliu: I vetmi qëllim i Hashim Thaçit është që të mos përfundojë në bankën e të akuzuarve të Gjykatës Speciale

Një dyshim të tillë e shpreh hapur analisti politik Bislim Aliu. “Dihet mirëfilli se Hashim Thaçi përherë angazhohet të bëjë çdo gjë, vetëm e vetëm për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale. Andaj, ai bëri tentativë edhe më 22 dhjetor të vitit të kaluar, që të shfuqizojë atë, përmes një plani të detajuar me agjentët e UDB-së serbe në Kosovë. Ai edhe tani është duke e bërë të njëjtë, gjë që përmes kompromiseve t’i bëjë amnistitë Serbisë. Dhe, mu për këtë, është i vetmi qëllim i Hashim Thaçit, që përmes kompromiseve ndaj Serbisë, prej fuqisë ekzekutive të Asociacionit të komunave serbe e deri tek ndarja e Kosovës, të fitojë garanci nga ndërkombëtarët, se ai nuk do të ulet në bankën e të akuzuarave të Gjykatës Speciale. Andaj, rrjedhimisht, Kosova asnjëherë nuk mund të shkojë në dialog me njerëz të dyshuar e të shantazhuar, mu si puna e Thaçit, i cili është në gjendje të bëjë çdo gjë vetëm e vetëm të ruajë lëkurën e vet nga përfillja e drejtësisë”, theksoi Aliu për “Kosova Sot”. Analisti politik Shefik Shkodra vlerëson se po kërkon që me çdo kusht edhe nëse do të ndahet Kosova ta bëjë këtë për të shpëtuar nga Speciale. “Njëherë vetë e ka pranuar, pastaj kur e pa se edhe ai duhet të përgjigjet po tek ajo gjykatë, ka kërkuar të mos pranohet gjykata. Ka menduar që qytetarët shqiptarë të Kosovës të ngrihen në këmbë kundër krejt botës. Mendoj që njerëzit në krye të shtetit janë të parët që duhet të japin përgjegjësi, nëse thirren për këtë para Gjykatës Ndërkombëtare, po edhe para asaj vendore, tek pastaj qytetarët do të ishin prapa atij lideri”, theksoi Shkodra për “Kosova Sot”.

Qytetarët, kundër çdo tentative të kompromiseve me Serbinë në dëm të shtetësisë dhe territorit të Kosovës

Qytetarët e anketuar nga gazeta ndajnë mendime të ndryshme rreth këtij procesi. Sipas qytetarit Bashkim Kamberi, nëse vërtet Hashim Thaçi e ka këtë qëllim, atij duhet t’i ndalohet përfaqësimi i Kosovës në këto bisedime, sepse sado që mund të bëjë pazare me Serbinë as që mund të bëhet fjalë për t’u amnistuar dhe shpëtuar nga Specialja, vetëm mund të dëmtohet interesi i Kosovës në këto bisedime.”Është shumë e dyshimtë se i vetmi qëllim i Hashim Thaçit është që në këto bisedime, në krye të së cilave po insiston të jetë ai, të bëhen kompromise të mëdha në dëm të Kosovës, kompromise ndaj Serbisë, duke i dhënë edhe fuqi ekzekutive asociacionit të komunave me shumicë serbe, e kjo mund të rrezikojë vendin deri në ndarje të shtetit të Kosovës. Krejt këto kalkulime e pazare kanë të vetmin qëllim, që përmes këtyre lëshimeve ai të fitojë qoftë edhe garanci ndërkombëtare se nuk do të jetë nga ata që do të ulen në bankën e të akuzuarve nga Gjykata Speciale. Mirëpo, ky është kalkulim i gabuar dhe unë mendoj që nuk duhet të lejohet që ai t’i prijë këtij procesi. Nëse vërtet e ka këtë qëllim, mendoj që edhe vetë ne qytetarët nuk duhet ta lejojmë, duhet ndaluar së vepruari në këto qëllime të gabuara”, theksoi Bashkim Kamberi për “Kosova Sot”. Qytetari tjetër, Sherif Gosalci, kërkon që në bisedime të shkohet si spektër politik me gjithë përfshirje dhe të ketë transparencë të plotë dhe çfarëdo formule e kompromisit që mund të imponohet nga ndërkombëtarët si zgjidhje historike, të nxirret për votim në referendum.”Derisa nuk ka diçka që u është ofruar qytetarëve për ta parë se cila është ajo marrëveshje, ai draftdokument, është hipotetike dhe mund të jetë vetëm paragjykim për ta ditur se çka është duke ndodhur”, theksoi Sherif Gosalci për “Kosova Sot”.