Mobi Casa

Thaçi do t`i bëjë kompromise Serbisë për të shpëtuar nga Specialja

/ 15 minuta lexim
RCCOLA

Teksa akoma nuk dihet saktësisht se kur do të rifillojnë bisedimet me Serbinë, të cilat po pritet të vazhdojnë tani në nivel presidentësh, të dy homologët nga distanca në fjalorin e tyre e kanë shprehje të përditshme fjalën kompromis. Nga ana tjetër, një strategji për vazhdimin e këtij dialogu, e miratuar në qeverinë e Kosovës, është proceduar në Kuvend, por legjislativi po heziton që ta nxjerr atë në diskutim në mënyrë që të testohet spektri politik parlamentar rreth deklarimit konsensual për këtë strategji, siç po thuhet të fazës finale të bisedimeve mes dy vendeve.

“Edhe zoti Thaçi, edhe presidenti i Serbisë, me sa duket, të dy janë marrë vesh për atë çfarë nënkuptojnë me kompromisin e dhimbshëm. Por, ndërsa Vuçiq e deklaron hapur se kompromisi është në këmbim të territoreve, zoti Thaçi flet në stilin e Edi Ramës, me qëllim që në fund t’u thotë shqiptarëve: ‘Pse a nuk ju thashë unë se do të ketë kompromis të dhimbshëm?! Ja ky është kompromisi: Në këmbim të pranimit në OKB Serbisë do t’ia japim veriun e Kosovës, përfshirë ‘Trepçën’ dhe Gazivodën”! Kjo sipërmarrje e presidentit të Kosovës bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës”, thotë për “Kosova Sot” analisti Enver Bytyçi

Teksa akoma nuk dihet saktësisht se kur do të rifillojnë bisedimet me Serbinë, të cilat po pritet të vazhdojnë tani në nivel presidentësh, të dy homologët nga distanca në fjalorin e tyre e kanë shprehje të përditshme fjalën kompromis. Nga ana tjetër, një strategji për vazhdimin e këtij dialogu, e miratuar në qeverinë e Kosovës, është proceduar në Kuvend, por legjislativi po heziton që ta nxjerr atë në diskutim në mënyrë që të testohet spektri politik parlamentar rreth deklarimit konsensual për këtë strategji, siç po thuhet të fazës finale të bisedimeve mes dy vendeve.

Analistët politikë, përfaqësues të partive parlamentare dhe qytetarët, dyshojnë shumë në figurën e presidentit Thaçi, në besimin që ai ta vazhdojë dhe ta përmbyllë këtë dialog, derisa janë të shumta deklarimet e tij se “do të punojmë për kompromis dhe do të arrijmë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë”. Ata shtrojnë pyetjen dhe dilemën e madhe se çfarë kompromisesh do të bëjë Hashim Thaçi për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale?! Madje shprehet dyshimi se Thaçi po përgatit edhe një skenar që ta anashkalojë farKuvendin për strategjinë e dialogut, që e vendos atë në krye të bisedimeve, prandaj edhe ky dokument akoma nuk është nxjerr për diskutim dhe aprovim në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Deputetët duan konsensus

Ahmet Isufi, shef i Grupit parlamentar të AAK-së, thotë se në bisedime duhet të shkohet vetëm me konsensus.”Ne kemi deklaruar se në bisedime duhet të shkohet në mënyrë të organizuar institucionale dhe që llogaria përfundimtare duhet të jepet në Kuvendin e Kosovës, me platformën e cila është e përgatitur e që normalisht mbi bazën e saj duhet të zhvillohen bisedimet”, tha Ahmet Isufi për Kosova Sot. Ai tha se sa i takon platformës dhe diskutimit të saj në Kuvend, paraprakisht ka një debat të brendshëm në mes të partive dhe grupeve parlamentare që po zhvillohet në kuadër të tryezave dhe në fund të këtij angazhimi të përbashkët do të finalizohet kjo platformë, e cila do ta obligojë edhe delegacionin e Kosovës për vazhdimin e këtyre bisedimeve, që sipastij duhet të rezultojë me kërkesën për njohjen reciproke. Isufi tha se kompromisi duhet të hiqet nga plani i këtyre bisedimeve edhe pse nuk ka ndonjë element që flet për këtë. Ndërsa deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, thotë se që tani dokumenti i Qeverisë për këto bisedime është i papranueshëm për shumicën e deputetëve dhe ai nuk e fsheh fare dyshimin që presidenti po mundohet të krijojë hapësirë të zbrazët që ta anashkalojë krejtësisht Kuvendin nga këto bisedime, për të bërë edhe kompromiset e dhimbshme, të cilat vetëm ai mund t’i dijë. “Nuk e di nëse është Hashimi duke punuar në këtë drejtim për të cilin pyesni ju, por një gjë e di që është një papërgjegjësi ekstreme e Kuvendit dhe e Qeverisë që Kosovën ta lejojnë të futet në bisedime me Serbinë pa një unitet politik e qytetar. Këto metoda tashmë të stërvjetërsuara të tejkalimit të institucioneve, në këtë rast institucionit të Kuvendit, për mendimin tim është demode dhe e zeza e gjithë kësaj është prapaskena që është duke e krijuar Hashimi me njerëzit, të cilët nuk janë të vetëdijshëm për përgjegjësitë që ka ndaj institucioneve”, u shpreh ai.”Kjo çështje, e strategjisë, është diskutuar në komisionin për politikë të jashtme dhe komisioni ia ka dërguar kryesisë për ta përcjellë në Kuvend dhe nuk e di pse Kryesia e Kuvendit e ka bllokuar”, vijoi më tej Berisha. “Dokumenti natyrisht që është i papranueshëm për Nismën për Kosovën dhe për mua si deputet e qytetar, sepse në mënyrë jo të drejtë tentohet të tejkalohet përgjegjësia kushtetuese e Kuvendit dhe përgjegjësia që ka Qeveria me një rezolutë të mëhershme, që tani krejt kjo t’i bartet Hashim Thaçit”, potencoi ai për “Kosova Sot”.

Kuvendi jashtë loje

Analisti Shefik Shkodra thekson se këto ditë po flitet se deri kah fundi i qershorit duhet të organizohet dialogu i fundit në mes të Serbisë dhe Kosovës, por nuk po dihet korniza e këtij dialogu. “Në qoftë se kompromisi i fundit bëhet me dhënien e pjesës veriore të Kosovës Serbisë për një ulëse në OKB, mendoj që ky do të ishte kompromisi më i keq. Me këtë do të hyjmë në një krizë të re ekonomike e politike. Mendoj që partitë opozitare do të duhej të thirrin mbledhje të jashtëzakonshme”, u shpreh ai. “Ndarja e Kosovës nuk është çështje personale. Dhe, lirisht mund të thuhet se askujt nuk i jepet e drejta që të bëjë kompromis me këdo tjetër jashtë kufijve të këtij vendi, sidomos kur bëhet fjalë për integritetin territorial”, tha Shkodra për “Kosova Sot”. Ndërsa sipas Ragip Guraziut sjelljet dyfytyrëshe të presidentit flasin për shumë të panjohura në grupin e kompromiseve që mund të bëjë Hashim Thaçi, derisa Kuvendi i Kosovës ka rënë në gjumë.”Kuvendi i Kosovës nuk po merr seriozisht rrezikun që po i kanoset vendi nga opsioni serb që në fazën finale të dialogut të bëhen pazare deri në ndarjen e Kosovës. Tani vetëm mund të paragjykojmë, por nuk mund ta dimë se për çfarë kompromisi po flet Thaçi, kur thotë se ‘do të punojmë për kompromis dhe do të arrijmë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë'”, potencoi ai.”Nuk mundë ta dimë konkretisht çfarë kompromise do të bëjë Hashim Thaçi për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale! Sidoqoftë një gjë është e qartë, Hashim Thaçi do të mundohet ta anashkalojë Kuvendin për strategjinë e dialogut, që e vendos atë në krye të bisedimeve, derisa po shihet se si po e krijon Kuvendi edhe vakuumin, që po e nxit Thaçi, i cili do që të sigurohet se derisa të jetë kryenegociator Specialja të mos e prek fare”, u shpreh Guraziu për “Kosova Sot”. Sipas tij, këtu automatikisht Kosova e humb Gazivodën e ndoshta edhe “Trepçën”, me ulësen e Kosovës në OKB.

ALIU: THAÇI DO QË TË SIGUROHET SE DERISA TË JETË KRYENEGOCIATOR SPECIALJA TË MOS E PREK ATË FARE

Sipas analistit Bislim Aliu, deklarata e presidentit Thaçi se do të punojmë për kompromis dhe do të arrijmë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë” është deklaratë e rrezikshme dhe ka “një bisht të gjatë” pas veti. “Qëllimi i tij kryekëput është që Asociacionit të Bashkësisë së komunave serbe t’u japë kompetenca më të larta, pra kompetenca ekzekutive. Këtë, por edhe gjëra tjera, nëse i kërkon Serbia, ai është në gjendja ta bëjë, vetëm e vetëm që të shpëtojë nga Gjykata Speciale. Ai sigurisht do të përpiqet që ta anashkalojë Kuvendin për strategjinë e dialogut që e vendos në krye të bisedimeve. Me këtë edhe Kuvendi po e krijon vakuumin, që po e nxit Thaçi, i cili do që të sigurohet se derisa të jetë kryenegociator Specialja të mos e prek atë fare. Nëse Kuvendi, por edhe populli, nuk do të reagojnë, këto negociata nën udhëheqjen e tij mund të përfundojnë edhe në ndarjen e Kosovës, duke e bërë veriun me autonomi territoriale e ndoshta edhe me të drejtë vetëvendosje; Kosova e humb Gazivodën e ndoshta edhe ‘Trepçën’, me ulësen e Kosovës në OKB”, u shpreh ai.”Është interesant dhe tejet diskutabile që asnjë parti në Kuvendin e Kosovës nuk po e merr seriozisht rrezikun e madh që po i kanoset Kosovës, nga opsioni serb që në fazën finale të dialogut të bëhen pazare deri në ndarjen e Kosovës. Në këtë rast patjetër duhet që deputetët e Kuvendit të Kosovës sa më parë të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar lidhur me fazën e re të dialogut me Serbinë. Pra, të bashkohet i gjithë spektri politik në kundërshtim të kompromisit të dhimbshëm, për të cilin flasin vazhdimisht Thaçi e Vuçiq, epilogun e të cilit mund ta dinë vetëm ata të dy, që përbëjnë kërcënim tejet serioz për Republikën e Kosovës”, ka theksuar Aliu për “Kosova Sot”.

Mobi Casa

KELMENDI: THAÇI DO QË EDHE MBI 30% TË TERRITORIT TË KOSOVËS TË FUTË NËN SUNDIMIN SERB!

Sipas prof. Muhamet Kelmendit deklarimet e presidentit Thaçi janë shumë shqetësuese rreth paralajmërimit për kompromis, prandaj këtë nuk do të duhej lejuar në asnjë mënyrë që të vazhdojë procesin tutje, sepse kompromisi i Thaçit nënkupton krijimin e një minishteti serb në Kosovë përmes asociacionit. “Fjala është për ndërtimin e një subjekti serb me karakter shtetëror, me organe dhe pa kontroll të Prishtinës, por të lidhur me shtetin serb. Me kompromise nuk kuptohet diçka tjetër. Por, z. Thaçi gabon. Kosova ka dhënë shumë. Nga trungu i Kosovës është ndarë Lugina e Preshevës dhe shumë territore të tjera, që sot nuk janë në Republikë. Duket se me kompromise z. Thaçi do që edhe mbi 30% të territorit të Kosovës të futë nën sundimin serb. Tjetër nuk ka mbetur nga Kosova e cunguar dhe e dërmuar nga Thaçat e ndryshëm gjatë historisë”, vlerësoi Kelmendi për “Kosova Sot”.

BYTYÇI: OPOZITA DUHET TË INICIOJË SHKARKIMIN E PRESIDENTIT PËR SHKELJE TË KUSHTETUTËS

Analisti Enver Bytyçi thotë se të dyja palët po flasin për kompromis. “Edhe zoti Thaçi, edhe presidenti i Serbisë, me sa duket, të dy janë marrë vesh për atë çfarë nënkuptojnë me kompromisin e dhimbshëm. Por, ndërsa Vuçiq e deklaron hapur se kompromisi është në këmbim të territoreve, zoti Thaçi flet në stilin e Edi Ramës, me qëllim që në fund t’u thotë shqiptarëve: “Pse a nuk iu thashë unë se do të ketë kompromis të dhimbshëm?! Ja ky është kompromisi: Në këmbim të pranimit në OKB Serbisë do t’ia japim veriun e Kosovës, përfshirë ‘Trepçën’ dhe Gazivodën”! Kjo sipërmarrje e presidentit të Kosovës bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës”, sqaron më tej ai. Sipas tij, opozita duhet të iniciojë shkarkimin e presidentit për shkelje të Kushtetutës, ndërsa prokurori i përgjithshëm duhet të nisë hetimet për këtë shkelje dhe ta dërgojë lëndën në gjykatë për dënim. “Nëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pretendon se ka udhëhequr një luftë çlirimtare dhe ndërkohë u fal territor pushtuesve e dhunuesve të skajshëm, atëherë duhet thënë se lufta e tij ka shkuar më shumë në favor të Serbisë, sesa të Kosovës. Zoti Thaçi është aty dhe askush nuk ka guximin që ta linçojë, as ta gërvishtë! Kjo duket qartë. Dhe, arroganca e tij në lidhje sidomos me bisedimet me Serbinë dhe lëshimet e projektuara ndaj saj nuk lidhet vetëm me karakterin e tij. Arroganca e zotit Thaçi dhe sipërmarrja e tij prej sulltani në emër të Kosovës është përgjegjësi e gjithë politikanëve në Kosovë, edhe atyre të Partisë Demokratike të Kosovës”, vijoi më tej Bytyçi. Ai potencon se presidenti po e josh LDK-në.

BADALLAJ: KOMPROMISET QË MUND TË BËJË THAÇI RREZIKOJNË SERIOZISHT THEMELET E SHTETIT TË KOSOVËS

Analisti Reshat Badallaj thekson se kompromiset që mund të bëjë Thaçi rrezikojnë seriozisht themelet e shtetit të Kosovës.”Mos harroni se Hashimi është shpirt shitur qëmoti vetëm e vetëm për t´i shpëtuar Gjykatës Speciale. Shikuar historikisht, në shumë vende të botës këto marioneta kur janë harxhuar dhe kur janë shtrydhur si limon, pastaj janë përgjigjur, gjë që më thotë mendja Hashimi aty e ka vendin, por populli duhet pasur shumë kujdes se dredhia e tij mund të na kushtojë shumë shtrenjtë, që do t’i lëmë sherrin e madh brezave që vijnë, prandaj sa më parë duhet ndërprerë rrugën e tij në dëm të Kosovës”, theksoi Badallaj për “Kosova Sot

Qytetarët nuk i besojnë presidentit mashtrues

Qytetar të anketuar nga gazeta po ashtu nuk e shohin të duhur dhe të qëlluar figurën e Hashim Thaçit për të vazhduar dhe finalizuar këtë proces, për shkak të dyshimeve që kanë në të kaluarën, por edhe në të tashmen e tij. Halit Muharremi, ish- këshilltar i presidentit historik Ibrahim Rugova thotë se nuk është aspak e drejtë dhe as e qëlluar që vazhdimi i bisedimeve tani të bartet nga përgjegjësia e Qeverisë në Presidencë, e aq më tepër të anashkalohet roli i Kuvendit. “Së pari, se kush do ta përfaqësojë Kosovën atje mendoj se duhetedhe do ta përfaqësojnë institucionet e Republikës që janë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve pozitive të Kosovës, së dyti duhet të krijohet një platformë për këto biseda dhe në bisedimet e mëtutjeshme duhet të shkohet me një platformë shumë të qartë dhe së treti, me sa di unë, ekziston një rezolutë e Kuvendit që thotë se bisedimet duhet të zhvillohen nëpërmes Qeverisë, ndërkaq që Qeveria duhet t’i raportojë Kuvendit për bisedimet eventuale që do të zhvillohen, prandaj kjo duhet të ndodhë dhe Kuvendi në asnjë mënyrë nuk mund të anashkalohet”, tha Muharremi për “Kosova Sot”. Sipas tij qeveria nuk ka pasur dhe nuk ka të drejtë kushtuese e juridike që ta delegojë procesin e bisedimeve në autoritetin e presidentit dhe te asnjë institucion tjetër, sepse që në fillim të këtyre bisedimeve Kuvendi e ka autorizuar Qeverinë dhe kryeministrin që të drejtojë këto bisedime me Serbinë. Muharremi tha madje se kompromiset po ashtu duhet të hiqen fare nga fjalori i aktorëve të këtyre bisedimeve. Edhe qytetari Riza Krasniqi thotë se nuk duhet të ketë bisedime pa platformë të qartë e transparente për qytetarët, që do të dalë me votë konsensuale nga Kuvendi dhe po ashtu të mos i lejohet presidentit Thaçi që t’i prijë këtij procesi, nëse nuk bëhet një ekip gjithëpërfshirës, i cili do ta kontrollonte atë dhe të mos e lejojë të rrëshqasë në kompromise dhe dhimbshme për Kosovën. “Unë mendoj që Hashimi është një njeri i dyshimtë dhe nuk besoj se është një njeri i cili po i shërben me ndërgjegje të plotë interesit të Republikës së Kosovës. Po e them këtë sepse jeta e tij në skenën politike është një dalje në skenën politike si dalje mafioze, jo dalje duke i përfituar masat e qytetarëve në mënyrë të ndershme, por me mashtrime. Edhe zgjedhja e tij si kryetar i Kosovës e dimë të gjithë që ka qenë një zgjedhje shumë e dhunshme, me plot arrestime dhe me dhunë, kështu që nuk mendoj që ky është njeri adekuat dhe nuk kishte qenë mirë që ta udhëheq këtë proces të raporteve të Kosovës me Serbinë”, theksoi Krasniqi. Sipas tij, duhet të ketë unitet politik, para nisjes së kësaj faze të dialogut.

(Kosova Sot)