RCCOLA

Te fëmijët i kanë të gjitha shpresat

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Si ka ndodhur që një familje kaq e rrënjosur në Zvicër ta braktiste atë? Dikush, e kishte kërcënuar për muaj të tërë familjen Shabani me telefonata dhe duke e terrorizuar me rënie të ziles, në çdo kohë të ditës dhe të natës.

Kush mer rrugë nga Beogradi për në Kosovë, duhet ta dijë vetë se ku ndodhet Kosova. Shenjat e komunikacionit nuk e tregojnë këtë. Serbia në këtë mënyrë sikur dëshiron ta heshtë këtë temë të pakëndshme për të. Mirëpo ne, falë hartës sonë jopolitike, mbërrijmë megjhithatë te kufiri kosovar.

Pas ca bisedave poshtë e lartë, kosovarët bien në përfundimin se emri Adrian i tim shoq është një emër i vjetër shqiptar (ilir) dhe e shpallin bashkëshortin tim për mik.

Ne megjithatë nuk kemi të drejtë të hyjmë në Kosovë me veturë (përveç me letrat të cilat mund t`i siguronim 6 kilometra më tutje nëse udhëtojmë me taksi, në rast se dikush është i disponuar të na i japë).

Mirëpo, të njohurit tanë që nga Mitrovica, që është dy orë larg, kishin mundësi të vinin për të na marrë nga kufiri. Ndërkohë automjeti ynë, i mbikëqyrur nga tetë videokamera dhe i vënë në mes të dy makinave të Eulex-it, duhet të presë këtu.

Rrugës për në Mitrovicë, Alberta, vajza 20 vjeçe e familjes Shabani, më rrëfen për jetën e saj. Jashtë parakalojnë livadhet dhe fushat me shtëpi të shpërndara, me tulla të kuqe.

Alberta është e lindur në Zvicër dhe atje edhe është rritur. Kur kishte dhjetë vjet, ajo dhe tre fëmijët tjerë më të rinj kishin ardhur me prindërit në Kosovë.

Nëna Shukrija, na pret e emocionuar dhe, ndonëse ne nuk ishim parë kurrë, ajo na përqafon, sikur ne të ishim fëmijët e humbur. Çfarë, në një mënyrë edhe jemi, sepse vjehrra ime ka qenë për vite të tëra pikë kontakti e familjes së saj në komunën Stäfa (Cyrih), vend për të cilin ajo edhe sot ndjen mall.

Ne jemi një copë atdheu i humbur për të.

Në shtëpi na gostisin me përzemërsi. Dhe kjo nuk është gjë e thjeshtë për një familje me gjashtë anëtarë që jeton me 450 euro në muaj, në një vend ku një shportë konsumi kushton rreth 100 euro.

Uji Dea

Edhe pse flasim për gjëra të pikëlluara, mbrëmja kalon mrekullisht e këndshme në shtëpinë e rehatshme, që Shabanët e shfrytëzojnë pa pagesë. Ajo i takon një familjeje që jeton jashtë vendt dhe pronarët janë të kënaqur kur shtëpia është e banuar. Kështu është edhe më e sigurt.

Shukrija na tregon shumëçka që ne na lë pa gojë. Për shembull, për përkujdesjen mjekësore në Kosovë. Teorikisht ajo është pa pagesë. Mirëpo në spitale nuk ka medikamente, pasi që ato janë dërguar në barnatoret private, ku pacientët duhet t`i paguajnë shtrenjtë nga xhepat e tyre. Nëse munden ta bëjnë këtë. Gjë që Shabanët të shumtën nuk munden… Thyerja e një krahu, që e kishte pësuar njëri djalë para pak muajsh u shndërrua për ta shumë shpejtë në një katastrofë financiare.

Ne flejmë në dhomën e vajzave. Behrami dhe djali më i madh flejnë në kanape. Shukrija na kërkon falje se kanë vetëm ujë të ftohtë. Në këtë shtëpi rrobat lahen me dorë pasi që lavatriçja ka dhënë shpirt pak kohë më parë.

Kur zgjohemi në mëngjes, mbi tavolinë na presin dy pjata me pjekurina me sesam. Një delikatesë e shtrenjtë. Sepse Shabanët shpeshherë e kalojnë gjysmën e muajit vetëm me bukë dhe me qumësht, në mënyrë që të mbeten pak para për të paguar autobusin që e çon Albertën në Prishtinë, dhe e kthen prej atje, dy orë në ditë. Atje ajo, falë një bamirësesje nga Zvicra studion në Universitetin Amerikan. Është i vetmi në Kosovë që të ofron shanse reale për punësim, sepse aty nuk mund t`i blesh as notat dhe as diplomën. Kur ajo ta ketë mbaruar fakultetin, dëshiron që t`ia financojë studimet motrës pak më të re. Deri atëherë, ajo mbetet në shtëpi.

Gjatë mëngjesit shtrohet pyetja që më ka preokupuar më së shumti: Si ka ndodhur që një familje kaq e rrënjosur në Zvicër, me fëmijë të lindur atje dhe me një vend pune të mirë, ta braktiste atë? Deri tash, të gjithëve u ka ardhur rëndë të flasin për këtë: Dikush, e kishte kërcënuar për muaj të tërë familjen Shabani me telefonata dhe terrorizuar me rënie të ziles, në çdo kohë të ditës dhe të natës.

Policia kishte bërë hetime por keqbërësi nuk ishte gjetur kurrë.

Shukrija nuk po mund të flinte nga frika për fëmijët dhe në një moment Shabanët, të dëshpëruar, të lodhur e të demoralizuar i marrin plaçkat në valixhe dhe kthehen në Kosovë. Atje, kishte kohë që nuk kishin familjarë dhe kurrfarë baze për ekzistencë. Ata mundën të mbijetonin deri më sot vetëm falë miqve të tyre në Zvicër. Punë këtu rrallë kush mund të gjejë. Te fëmijët i kanë të gjitha shpresat.

Kur Behrami na sjell mbrapa te kufiri, ne mezi flasim. E di se do të më vijë rëndë të shkruaj për të gjitha këto dhe mendoj për fëmijët e mi në shtëpi dhe për atë se sa e nënkuptueshme është për mua që të kem barëra për ta dhe ushqim me tepricë.

Përqafohemi për të fundit herë. Pastaj u telefonojmë fëmijëva tanë. (B.SH.)

Nga Tagesanzeiger.ch