Fundamenti

Në Luzern të Zvicrës me rastin e 80-vjetorit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që me ngulm mbrojti qenien shqiptare u mbajt Akademi solemne

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Dje pasdite në amfiteatrin e Misionit Katolik Shqiptar në Luzern të Zvicrës, janë tubuar veprimtarë dhe krijues fushash të ndryshme nga Zvicra dhe Gjermania.


Ata me këtë rast nëpërmjet një simpoziumi shkencor kanë përkujtuar 80- vjetorin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Në kuadër të këtij sesioni është bërë edhe promovimi i librit në dy vëllime i autorit Mr.sc. Nue Oroshi “Masakrat dhe Krimet Serbe, Malazeze dhe të Tjerëve në Trojet Shqiptare 1912- 1944 dhe 1945 -1999”.

Tubimi u hap me intonimin e himnit tonë kombëtar, nën tingujt e të cilit ata që ishin prezentë nderuan të gjithë të rënët në mbrojtje të tokave tona Arbërore, që nga periudha e Gjergj – Kastriotit Skënderbeut e deri në ditët e sotme.

Pastaj, përmbajtjen e programit me emrat e ligjërueseve e shpalosi poetja dhe solistja e mirënjohur Fatime Hoti Kalimashi, të cilës organizatorët ia besuan udhëheqjen e këtij simpoziumi historik dhe kulturor.

Me një kumtesë të përmbledhur në katër faqe mbi Lidhen e Dytë të Prizrenit, si organizatë Atdhetare që punoi për Shqipërinë Natyrale u prezantua Mr.sc. Nue Oroshi, publicist dhe kryetar i Shoqatës “Trojet e Arbërit”.

Ai këtë ngjarje e cilësoi si një ngjarje madhore dhe luftë përpjekjesh serioze për çlirim kombëtar nga sundimi i barbarëve serbo-sllavë.
z.Nue Oroshi të gjithë përfaqësuesit e kësaj Lidhjeje, vazhdimësi e të Parës, po ashtu të mbajtur në Prizren, i vlerëson si mbrojtës të vërtetë të ruajtjes së rrënjëve tona puro iliro-dardane.

Sipas, z.Oroshi, që kohë të gjatë ka hulumtuat në Arkiva për zbardhjen e kësaj ngjarje sheshazi shihet që historianë oborrtarë të sistemit komunist si në Jugosllavi, ashtu dhe në Shqipëri, janë munduar me çdo kusht që ndër shqiptarë ideologët dhe përfaqësuesit e kësaj Lidhjeje duke filluar nga Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Bedri Pejani, Rexhep Krasniqi, Kolë Margjini, Musa Shehzade, Tahir Zajmi, Qazim Bllaca, kolonel Qazim Komoni, Aqif Blyta, Ibrahim Lutfiu, kolonel Fuad Dibra, Bedri Gjinaj, Qerim Begolli, Jahja Fusha, Asllan Boletini, hoxhë Nuredin Haliti, Shaqir Curri, Esat Berisha, Faik Okllapi, Shemsi Ferri, Sali Rama, Halim Spahija, Adem Gllavica, Adem Voca, Sali Vala – Siçani, Is’han Taniku, Luan Gashi, Masar Sopoti nga Tirana me gazetën “Kosova“, Abdyl Henci, Shasivar Aliu, Fuat Muharremi e shumë e shumë të tjerë t’i nxjerrë si bashkëpunëtorë të fashizmit.

Në emër të këtij etiketimi të sajuar me shpifje nga më të ulëtat nga komunistët kosovarë dhe jugosllavë më 1944 në Taukbahçe të Prishtinës, u ekzekutuan mbi 300 (treqind) Atdhetarë të njohur shqiptarë, në mesin e tyre edhe Jahja Fusha, së bashku me bashkëshorten e tij shtatzënë Lucia Geo- Fusha, minoritare gjermane nga Vojvodina, me të cilën Fusha, ishte njohur në Shkup, në periudhën kur po studionte Filozofinë dhe Jurisprudencën.

Gjakpirësit serbo-sllavë të përkrahur edhe nga disa komunistë shqiptarë në Kosovë e Shqipëri ditën kur Jahja Fusha e kishte ditëlindjen e tij të 25 e pushkatojnë dhe trupin e tij e tretin pa lënë asnjë gjurmë.

z.Oroshi apelon që këto figura të ndritura të kombit tonë të ekzekutuara nga komunizmi dhe të anatemuara tash e 80-vite, të kthehen sa më parë popullit për të cilin u flijuan.

Këtë ngjarje të rëndësishme historike nëpërmjet një trajtese të bazuar në fakte e shtjelloi edhe z,Abas Fejzullahu, veteran i Arsimit në Kosovë dhe Diasporë, njëherit edhe kryetar i Bashkimit të Intelektualëve Shqiptar në Zvicër.

Fejzullahu kureshtar për të ardhur deri tek e vërteta e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, përveç studimeve të publikuara në gjuhën shqipe ka gjurmuar edhe shkrime të kronistëve të huaj sidomos të atyre kroatë e boshnjakë.

Po ashtu ka botuar edhe një seri artikujsh në shtypin tonë mbi krimet serbe e malazeze që nga vitet 1877 e deri më 1999, të kryera ndaj shqiptarëve.
Fejzullahu gjatë diskutimit mbi këtë temë ka kritikuar edhe mosunitetin ndër shqiptarë, përballë armiqve duke ilustruar edhe me thëniet e popullit “Lisin e qanë vetëm pyka e vet “S’ është fajtore sëpata që e sakaton pyllin por pylli që i dha bishtin”.

Fejzullahu në prag të 80- tave, pjesëmarrës dhe përjetues i shumë ngjarjeve dramatike aludon në grupe dhe klane të ndryshme që për interesa personale prishën shumë marrëveshje dhe thyen unitetin e arritur në popull në fillim të viteve të 90-ta.

Fundamenti

Sipas, Fejzullahut po të mbretëronte harmonia dhe bashkëpunimi i pa hile në radhët e shqiptarëve, serbo-sllavët dhe aleatët e tyre as në të kaluarën e as sot nuk do të turreshin si bisha të egra ndaj tyre.

Ai si një plagë që ende dhemb kujton edhe Masakrën e Kabashit të Prizrenit, kur në pranverën e vitit 1913 në Manastirin e Shën Markut, u vranë dhe masakruan 90-shqiptarë. Dyshohet se në këtë krim të llahtarshëm morën pjesë edhe disa shqiptarë të serbizuar të fisit Bytyçi.

Fejzullahu në fund të diskutimit të tij e përgëzoi shoqatën “ Trojet e Arbrit” për punën e mirë.
Kjo shoqatë jofitimprurëse ka organizuar sesione të shumta dhe tryeza ku kanë marrë pjesë mbi 300 (treqind) studiues dhe janë botuar rreth 30 vepra me temë nga historia jonë e lavdishme.

Në skenë me vargjet e shkruara të Ernest Koliqit, kushtuar kapedan Mark Gjon Markut, sërish doli zonja, Fatime Hoti Kalimashi. Ajo me një leximi origjinal dhe të artikuluar bëri që këto vargje të përjetohen nga të gjithë të pranishmit.

Ndërkaq, z.Nue Zalli, kryetar, i shoqatës bamirëse “Nënë Tereza” në Zvicër në studimin e tij të shkurtër por përmbajtjesor konstaton që Ballkani përherë ka qenë vatër trazirash, sepse sllavët si ardhacak në këto vise kanë synuar nëpër shekuj asgjësimin e shqiptarëve.

Zalli një humanist i madh dhe adhurues i zjarrtë i veprës së Nënë Terezës, popullin shqiptar e vlerëson si një popull me vetëdije të lartë dhe shumë aktiv.

Ai thotë” përveç shqiptarëve stuhive të njëpasnjëshme të pushtuesve popujt tjerë s’do t’u kishin rezistuar. Ata do të ishin shkrirë dhe do ta kishin humbur njëherë e përgjithmonë përkatësinë e tyre”.

Pjesa tematike e kësaj Akademie u mbyll me fjalën e z. Saim Tahiraj, bashkëveprimtar i ngushtë i heroit Sali Çeku,dhe kryetar i shoqatës Atdhetare me të njëjtin emër.


Tahiraj mendon që kjo temë e një rëndësie të veçantë duhet të trajtohet edhe nga ekspertë të historisë që veprojnë brenda Akademive të Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë të Veriut.

Kurse, bashkëpunimin me shoqatën“ Trojet e Arbrit “ e quan si bashkëpunim në mes vëllezërish të mbarë.
Në mënyrë që të interesuarit mbi fatet e popullit tonë ta kenë një pasqyrë sa më reale mbi Lidhjen e Dytë të Prizrenit u shfaq edhe një dokumentar kushtuar kësaj ngjarje dhe bartëseve të saj.

Në këtë manifestim filloi edhe konkretizimi i nismës që në Shkodër të vendoset shtatorja e Kapedan, Mark Gjon Markut,i cili ra heroikisht në luftë me forcat pushtuese serbo- malazeze. Ideator i kësaj nisme është z.Nue Oroshi, dhe anëtarësia e shoqatës “Trojet e Arbrit”.

Nisma shpresohet se do të realizohet me sukses ngase brenda gjysmë ore nga njerëz humanistë e Atdhedashës u realizua shuma prej 2- 3 mijë CHF, të Zvicrës. Aksioni do të vazhdojë deri në plotësimin e kuotës së nevojshme.

Vullnetmirët dhe të interesuarit për të ndihmuar jetësimin e kësaj vepre me vlerë kombëtare mund ta kontaktojnë në çdo kohë z.Nue Oroshi, kryetar i shoqatës “ Trojet e Arbrit”.

Para përfundimit të kësaj Akademie për të gjitha ata që kanë ndihmuar në botim librash dhe promovim shtatoresh, si në atë të kryeheroit tonë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u ndanë mirënjohje të shoqëruara me fjalë miradije.

Tubimin me pjesëmarrjen e tij e nderoi edhe Dr.Nikë Gjeloshi, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil, gjatë viteve të ‘90-ta./arif ejupi/rajonipress/