UBT

Të deklarohet pasuria si në Evropë

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Formularët që përmbajnë të dhënat për zyrtarët publikë mund të fshihen nga ueb-faqja e Agjencisë Kundër Korrupsionit, por ato duhet të jenë vazhdimisht nën “llupën” e organeve të drejtësisë, të Prokurorisë dhe gjyqësorit.

Kështu mendon kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili gjatë një bisede të shkurtë për “Zëri” ka theksuar se nëse publikimi i të ardhurave është standard evropian, atëherë ai duhet të mbetet i tillë edhe në Kosovë, dhe assesi të mos ndryshohet, edhe nëse publikimi do t’i rrezikojë zyrtarët e caktuar shtetëror.

“Nëse këto organe (Prokuroria e gjyqësori) nuk e ushtrojnë përgjegjësinë e tyre sipas ligjit, kot edhe publikohen të dhënat për pasurinë e zyrtarëve të lartë të shtetit”, thotë ai.

I pari i Kuvendit ka komentuar edhe mbështetjen që dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kanë dhënë Projektligjit, i cili parasheh fshehjen e formularëve. “Për çështje të interesit të përbashkët, kurrë nuk ka vështirësi për të ardhur të emëruesi i përbashkët”, shprehet ai.

Kryeparlamentari Krasniqi nuk e përjashton mundësinë që Projektligji për Deklarimin e Pasurisë, që është sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë nuk ka edhe synim që t’ua mundësojë personave të caktuar që pasurinë e fituar në formë të paligjshme ta mbajnë të fshehur dhe të mos e publikojnë atë.

Zëri: Z. Krasniqi a pajtoheni që të fshihen formularët e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë nga ueb-faqja e Agjencisë, ashtu siç po përgatitet me Projektligjin për Deklarimin e Pasurisë?

Krasniqi: Nuk e kam të lehtë të përgjigjem, pasi ka mendime pro publikimit edhe kundër publikimit që sigurisht secila nga këto mendime i kanë anët e veta të mira e të dobëta. Nëse publikimi është standard evropian nuk ka asnjë arsye të mos e bëjmë edhe ne standard publikimin. Për mua nuk ka rëndësi a do të jenë apo jo publike, e rëndësishme është që organet përgjegjëse për të përcjellë pasurinë e personave publikë që janë të obliguar ta përcjellin rritjen e pasurisë, të jenë efikase në punën e tyre. Nëse këto organe nuk e ushtrojnë përgjegjësinë e tyre sipas ligjit, kot edhe publikohen të dhënat për pasurinë e zyrtarëve të lartë të shtetit.

Zëri: Si e komentoni faktin, që përpos PDK-së, pra Ministrisë së Drejtësisë edhe dy partitë opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja e përkrahin këtë iniciativë?

Eco Higjiena

Krasniqi: Unë mendoj që këto parti, kanë një koordinim në veprime edhe për çështje më kruciale për vendin. Për çështje të interesit të përbashkët, kurrë nuk ka vështirësi për të ardhur të emëruesi i përbashkët.

Zëri: Arsyetimi është se duhet të hiqen formularët për shkak të ruajtjes së zyrtarëve publikë, përkatësisht ruajtjes së të dhënave zyrtare. A ju duket arsyetim adekuat ky?

Krasniqi: Pa qenë zyrtar publik, vështirë është t’i kuptosh vështirësitë që u dalin atyre
zyrtarëve në jetën e përditshme dhe jo vetëm me krimin (e mundshëm) të organizuar, por edhe në raport me të afërmit e tjerë të zyrtarëve.

Zëri: Në rajon dhe në Evropë këta formularë janë publikë. Pse ne duhet ta bëjmë këtë ndryshe?

Krasniqi: Po e përsëris, nëse publikimi është standard evropian, pa marrë parasysh shkallën e rrezikshmërisë, ato duhet të publikohen. Pasi ushtrimi i detyrave publike e kanë edhe koston e tyre, që shpesh nuk është e lehtë.

Zëri: A është kjo tendencë që keqpërdoruesit e parasë publike t’i fshehin të dhënat për pasurinë e tyre?

Krasniqi: Unë nuk e shoh vetëm tendencën për t’u fshehur, por edhe të drejtën që të mos shkelen të drejtat e individuale të personave zyrtarë. Unë mendoj që i gjithë angazhimi ynë si shoqëri duhet të jetë në ngritjen e Sistemit të Drejtësisë (Prokuroria e shtetit dhe Gjyqësori me të gjithë trupat mbështetës), që të jenë në krye të përgjegjësive të tyre kushtetuese e ligjore.