UBT

Të bëjmë një ligj për lirinë e shtypit!

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Mero Baze – Ka një debat pa shumë përmbajtje rreth një propozimi të dy grave deputete kundër komenteve fyese në blogjet online ose portalet, sidomos ato me përmbajtje seksuale apo ofendime për shkaqe politike.Projektligji ka shkuar në Kuvend me një nxitim të panevojshëm, më shumë për t’u bërë qejfin deputeteve gra, sesa për të vendosur një standard lirie në shoqërinë shqiptare.

Po e them qysh në fillim, se komentet anonime online, janë një histori e re tronditëse për politikën dhe shoqërinë në përgjithësi, dhe një shpagim i egër i mospërfilljes që ka pasur politika ndaj opinionit publik. Por, ata padyshim që nuk janë të gjithë të drejtë, etikë dhe aq më tepër nuk mund të indentifikohen me të vërtetën. Kësisoj, ekziston një problem, i cili duhet zgjidhur.

Por, çështja duhet kapur në themel.

Shqipëria është një vend, i cili nuk ka ligj për lirinë e shtypit. Një ligj i miratuar nga Berisha në vitin 1993, u shfuqizua nga socialistët në vitin 1997 dhe më pas në vitin 1998 u vendos në Kushtetutë një nen për lirinë e shtypit, ku thuhet se në Shqipëri shtypi është i lirë. Më tej neni thotë se shtypi kufizohet vetëm nëpërmjet Kushtetutës dhe ndalohet marrja e çdo mase tjetër që prek lirinë e shtypit.

Për këtë shkak nga ana formale duhet të bëhet një ndryshim në Kushtetutë, ose duhet të bëjmë një ligj për lirinë e shtypit, ku padyshim të përfshihet dhe media online. Çdo iniciativë tjetër është anti-Kushtetuese dhe do të rrëzohet.

Ligji për lirinë e shtypit ka shumë rëndësi, pasi ai duhet të mbart brenda vetes një status për gazetarin dhe lirinë e tij për të shkuar drejt të vërtetave përmes publikimit. Çdo pasaktësi në botime duhet të reflektohet tek detyrimi i medias për përgënjeshtrim dhe nëse ajo nuk ndodh, atëherë kemi të bëjme me veprimtari të qëllimshme dëmtuese ndaj një personi.

Pasaktësitë që predominojnë nga nevoja për të informuar në kohë publikun, nuk mund të indentifikohen me shpifje, nëse nuk provohet qëllimi i tyre dhe nëse shtypi nuk refuzon të sqarojë pozicionin e palëve.

Duke mbetur me një nen në Kushtetutë që shtypi është i lirë, në fakt të lirë kanë mbetur vetëm ata që duan të dhunojnë lirinë e shtypit.

Qëllimi i komenteve online është të merret një përshtypje e publikut për atë që shkruhet. Gazetat dhe portalet nuk duhet të persekutojnë askënd qëllimisht që vihet nën agresion të publikut, por nuk duhet të persekutojnë as publikun, duke ndërhyrë që të ndryshojë trendin e opinioneve përmes censurës.

Mobi Casa

Detyrimi që stafi të jetë i zgjeruar dhe të lexojë komentet një për një është një detyrim që mund të pranohet, por është shumë e vështirë të ndahet se çfarë e fyen dikë në një koment e çfarë jo. Natyrisht, akuzat seksuale dhe personale duhen fshirë dhe kur shpëtojnë, duhen hequr pas çdo sinjalizimi siç veprohet, por ajo çfarë e fyen një politikan është shumë e diskutueshme. Në shumicën e rasteve ata i fyen dhe e vërteta e thënë në mënyrë anonime dhe kjo është një përgjegjësi e diskutueshme për portalet.

Njerëzit publik janë të dënuar të gjykohen nga publiku dhe sa më shumë komplekse të kenë, aq më shumë do të gjykohen. Është e vërtetë se ka plot komentues manjak, perversë, llapaqenë dhe shpifës, por ka dhe shumë prej tyre që janë racionalë. Shpeshherë ata janë të irrituar dhe përdorin blogjet për të shfryrë mëritë e tyre.

Kjo dëmton më shumë gazetat sesa ata që sulmohen. Unë vet refuzoj t’i lexoj, edhe kur më sulmojnë vet mua, që e kam në dorë t’i publikoj ose jo. Por, e kuptoj se jo të gjithë e kanë këtë distancë emocionale. Ka plot njerëz që kur botojnë diçka në gazetë, luten të mos ketë komente, të frustruar nga llumi anonim. I mirëkuptoj të gjithë, përveç politikanëve.

Iniciativa e politikës për të shmangur ballafaqimin me opinionin publik nuk është shenjë fuqie, por një dorëzim pa kushte përballë publikut. Komentet online kanë ndryshuar historinë, pasi ato kanë rritur peshën e opinionit publik përballë politikanëve dhe ndërmarrja e një akti censure të politikës ndaj tyre është burracakëri. Është mizori të përdorësh pushtetin politik për të ruajtur politikën nga populli.

Së fundmi, dua të theksoj se gazeta TemA, e cila është paksa më liberale në komente, nuk është e shqetësuar në audiencën e saj prej gati 570 mijë vizitorëve në ditë nga kufizimi i komenteve. Por, kjo nuk është një zgjidhje, sidomos nga një politikë, e cila vet nuk ka lënë gjë pa thënë publikisht, shumë më keq se disa komentues pervers online.

Ky është një ndryshim i madh historik i raporteve të politikës me opinionin publik, ndryshim që ka zënë fill me rrjetet sociale dhe ka vazhduar me mediat online. Askush nuk e shmang dot më këtë ballafaqim. Mund të bllokohen gazetat, por nuk mund të bllokohet Facebooku, Twitteri, Youtube etj. Njerëzit janë të lirë të flasin kudo dhe gjesti provincial i Shqipërisë për të shpëtuar nga disa komentues online do të duket qesharak, shumë shpejt.

Personalisht nuk jam i shqetësuar, madje mund të kem përfitime nga ky aksion censure, por askush nuk do t’i shpëtojë dot ballafaqimit me publikun. Vizitorët e gazetës do harxhojnë më shumë kohë të lexojnë shkrimet sesa komnetet dhe do të kemi ndoshta më shumë bashkëpunëtorë nga ata që druhen prej komenteve.

Pra, ky nuk është një hall i gazetave të suksesshme, por një hall i politikanëve. Halli i tyre zgjidhet duke ndryshuar ata dhe jo publiku. Çdo iniciativë ligjore në këtë drejtim, duhet të respektojë perspektivën e këtij zhvillimi rrënjësor, që po përmbys botën.