Stuhia dhe breshëri shkaktojnë dëme të mëdha në bujqësi në disa fshatra të Vitisë

Viti – Një stuhi e fuqishme e shoqëruar me breshër, ka goditur sot pasdite disa lokalitete në komunën e Vitisë dhe përreth, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi. Sipas raportimeve nga terreni, zonat më të prekura janë fshati Radivojc si dhe pjesë të fshatrave Remnik, Skifteraj, Budrikë dhe Pozheran.
Breshëri, ka dëmtuar rëndë kulturat bujqësore si grurin, shalqirin, perimet dhe pemët, duke shkaktuar shqetësim të madh te fermerët lokal. Disa fermerë thanë se, dëme të tilla do të ndikojnë dukshëm edhe në të ardhurat e tyre sezonale.
“E kemi mbjellë me mund, kemi investuar shumë, dhe për disa minuta gjithçka u shkatërrua. Dëmet janë të mëdha,” tha një fermer nga fshati Skifteraj./rajonipress/