RCCOLA

Studim shumëdimensional e me vlera për poezinë e Jakup Cerajës

/ 12 minuta lexim
Fundamenti

Nga Remzije Zekolli – Mr. sc. Miftar Kurti: Poezia e Jakupt Cerajës (Autori-teksti-lexuesi) Faik Konica Prishtinë, 2013. Një personaliet i shquar i letërsisë, historisë, publicistikës, veprimtar i çështjes kombëtare, luftëtar i lirisë dhe i plagosur në luftë në rrugën për çlirim kombëtar, Miftar Kurti, as në Kosovën e lirë nuk mund të rrijë indiferent, pa iu kthyer prirjes së tij krijuese. Madje, duke pasur respekt për njerëzit e rebeluar e kryengritës, si Jakup Ceraja, e të cilët edhe krijimtarinë e kanë të tillë, Miftar Kurti iu rrek me përkushtim krijimtarisë së këtij krijuesi nga Mitrovica.

1. Studiuesi, poeti dhe vlerësuesit e tij

Deri më tani kam pasur fatin të vlerësoj krijimtarinë e pasur të Miftar Kurtit, poezi, novela, pra veprat e tij të botuara “Monolog shiu”(1998),“Dasma e Kreshtbardhës”(2006) dhe “USB e Ulpianës”(2016). Me monografinë e tij për poezinë e Jakup Cerajës, Kurti na bën të kuptojmë se kemi të bëjmë me një studiues serioz dhe këmbëngulës në materien që ai e shqyrton. Në këtë monografi ai paraqitet si njohës i mirë i poezisë moderne në përgjithësi, si dhe i krijuesit mitrovicas apo të Shalës së Bajgorës, në veçanti. Mendimi i profesor Agim Vincës për studiuesin Kurti e mbështes fuqishëm.

Ai, mes tjerash, thekson: “Autori në asnjë rast nuk e mohon karakterin specifik të veprës letrare si vepër gjuhësore artistike, por nuk i anashkalon as përbërësit tjerë të saj, autorin dhe lexuesin. Kurti i bën një lexim studimor poezisë së Cerajës, e strukturon materien në tre kapituj. Opusi krijues i poetit Ceraja, ndeshet me një studiues pasionant të letërsisë shqipe. Letërsia përmban një shprehje të veçantë të përvojës njerëzore.

Ajo ka një shprehje të veçantë gjuhësore, të dallueshme prej veprave tjera, me të cilin ushtron një ndikim harmonik mbi ndjenjat dhe intelektin njerëzor. Pra, ai bën një kritikë meritore që ngërthehet edhe me analiza të poezive, që studiuesi i ka cilësuar më përmbajtjesore për nga rrethanat e krijimit të tyre, mesazhit që përçon tek lexuesi dhe perceptimi që i ka bërë lexuesi i kohës atyre poezive.

Kurti vë në shënjestër këtë krijimtari të begatë të poetit disident, të anatemuar nga sistemi i kohës, por i dashur nga populli e tij. Me durimin prej një krijuesi serioz dhe origjinal, Kurti ia largon pluhurin e harresës krijimtarisë së Cerajës. Eleganca e tij krijuese vërehet në këtë studim monografik të cilin studiuesi i njohur i letërsisë shqiptare, Agim Vinca e quan monografi model.

Gjatë leximit të librit dhe vlerësimit mund të themi se studiuesi Vinca ka pasur plotësisht të drejtë me vlerësimin e tillë profesional, që ia bën punës shkencore e studiuese të Miftar Kurtit, studiues këmbëngulës në realizimin e veprës studimore, të cilën jemi duke e vlerësuar. Vetëmohimi dhe përkushtimi në punën studimore, analizuese, studiuesin e sollën në triumfin e tij krijues duke i dhuruar lexuesit këtë monografi, si kontribut i çmueshëm për studimet e letërsisë sonë.

Kurti ka përzgjedhur një krijues (poetin Jakup Ceraja), i cili është edhe mjeshtër i fjalës artistike. Mirënjohje publike për angazhimin e tij të palodhur në këtë fushë të letërsisë.

2. Këndvështrim me vlera studimore

Studim profesional e shumëdimensional do e quaj strukturimin e librit në tre kapituj të rëndësishëm për letërsinë dhe krijimtarinë e Cerajës. Së këndejmi, edhe ndarja e studimit në tri pjesë, Autori, Teksti, Lexuesi e shpie studiuesin në të tilla shtigje kërkimi teorik letrar, duke u përqendruar tek dijetarët bashkëkohorë dhe të traditës së mendimit evropian mbi letërsinë. Pa një seriozitet krijues, një punë lidhur me monografinë model nuk mund të arrihet.

Me këtë rast Kurtin e shohim si një studiues të palodhur, mbasi ai është i njohur me lëndën që trajton dhe me arsenalin krijues të Cerajës, kështu që arrin ta sistemojë në kapituj që kanë rolin, peshën dhe vlerën e veçantë studimore. Ata janë të lidhur mes veti.

Në kapitullin e parë, Autori, studiuesi na sjell biografinë e pasur jetësore dhe krijuese të poetit. Analizon dhe studion krijimtarinë e tij letrare në rrafshin e teorisë së letërsisë. Studiuesi Kurti, lexuesit i ofron krijimtarinë e begatë të vlerësuar të Cerajës, e cila përbëhet nga nëntëmbëdhjetë vepra me poezi, dy romane dhe tregime e novela.

E vështron këtë krijimtari që nga poezitë e para e deri te vëllimi i fundit. Recensenti i veprës, profesor Isak Shema, lidhur me strukturën e saj në fjalë dhe punën studimore të autorit, mes tjerash, thekson: “Ai në tekstin studimor përfshin diturinë për letërsinë, teorinë e letërsisë, kritikën letrare dhe historinë e letërsisë”. Në këtë studim kemi vlera shumëdimensionale studimore e krahasimtare për bagazhin e pasur të poetit Ceraja. Ishte një kohë e vështirë e krijimit të poezisë, së cilës i bëri ballë poeti e në këtë kontekst edhe poezia e tij; ishte koha e ndalimit të shprehjes së mendimit, shpirtëror apo pasionit të krijuesve për artin e tyre fisnik. Disa krijues patën fatin të burgosen, si: Adem Demaçi, Jakup Ceraja, Rexhep Elmazi, Zeqir Gërvalla etj., por ata nuk e ndalën luftën me penë kundër pushtuesit dhe pushtimit. Ata e larguan mjegullën shoviniste serbe dhe çdoherë gjenin shtegun për ta plasuar poezinë tek lexuesi. Ideali i barazisë së tyre dhe i çlirimit të tyre nga frika, paraqet një nga idealet më të larta të shoqërisë njerëzore me vlerë tejkohore.

Mobi Casa

3. Lidhshmëri mes tekstit dhe lexuesit

Një hapësirë të konsiderueshme në studimin e tij për veprën e Cerajës, e zë teksti, të cilin studiuesi e shtjellon nga aspekti i mendimit teorik bashkëkohor. Strukturalistët dhe semiologët, në vend të sintagmave tradicionale, krijimin letrar dhe veprën letrare, përdorin nocionin tekst letrar, të shoqëruar me temat: poetikë, strukturë, kod etj. Pra, Kurti me plot të drejtë strukturës studimore të këtij studimi i kushton kujdes, vëmendje dhe në hollësi, stilin e të shkruarit, figurat stilistike, rimat, strofat, tematikën (si dashuria për atdheun, dashuria, kurbeti), shkruan për kohën në shumë rrafshe, kur është shkruar poezia, si ngjarje, si proces, si stinë viti, moti një stine, shi, mjegull, të cilat gjinden në opusin krijues të Jakup Cerajës.

Lidhur me këtë çështje studiuesi i palodhur profesor Fazli Hajrizi, mes tjerash, thekson: Në përmbyllje të këtij kapitulli (teksti-R. Z), Miftar Kurti bën objekt të veçantë trajtimi veçorinë e formës, të gjuhës e të stilit.

Studiuesi M. Kurti merret gjerësisht me formën e poezisë së Jakup Cerajës, me llojet e strofave, vargjeve, të rimave etj. Teksti i vëllimit poetik “Fund me diell”, pra struktura përmbajtjesore e poezive brenda këtij vëllimi më ka bërë përshtypje dhe lënë mbresa të konsiderueshme në këtë vepër studimore, i cili mes tjerash thekson: Titulli ta imponon mendimin (lexuesit R. Z), të detyron ta quash këtë libër paralajmërim, parashikim për një fund të lumtur për subjektin, për poetin, për etninë, për shoqërinë. Si luftëtari lirisë, adrenalina e tij e pastër dhe fisnike atdhetare nuk e ka lejuar pa e përmendur dëshirën dhe ëndrrën e kolektivitetit për formimin e UÇK në vazhdimësinë e mendimit të tij të thekson: Një parashikim (gati profetik) do ta shohim pas nëntë vjetësh (lufta e UÇK-së dhe fitorja kundër robërisë R.Z).

Krijuesit në disa rrethana bëhen zë frymëzues për ndryshimin e gjendjes së etnisë, siç ishte Hygo tek francezët, Adem Demaçi tek kombi ynë, Shandor Petefi tek hungarezët, F. Lorka tek spanjollët etj. Shkrimet e Adem Demaçit, vlerësimet e tij për situatën e shqiptarëve në Jugosllavi, pas Luftës së Dytë Botërore, mospranimi që ai të bëhej anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë që i ishte ofruar dhe veprime të ngjashme, ai ishte bërë shumë i bezdisshëm për partinë komuniste dhe UDB-në.

Liria kolektive (kombëtare) dhe individuale i preokupon poetët gjatë tërë jetës së tyre, në gjithë opusin e tyre krijues. Në këto rrethana autorët bëhen frymëzim për proceset, u prijnë atyre dhe janë çdoherë me popujt që luftojnë mjerimin dhe shtypjen, pra çelin shtegun drejt fitores për liri.

Kurti kapitullin e dytë e ndan në tre nënkapituj: Teksti, teksti e nënteksti dhe struktura e zhvillimit të tekstit. Teksti i poezisë “Therrja e qengjave për Shëngjergj” në aspektin e mesazhit, porosisë e përmbajtjes së tij, ripërsëritet me poezinë “Gjëma e Gllogocit“, ku vriten e priten fëmijë të pafajshëm, vetëm pse e donin lirinë. Strukturën e zhvillimit të tekstit të Cerajës, studiuesi e ndan në tri faza. Faza e parë krijuese e autorit J. Ceraja, vlerëson Kurti, është e begatë, por rrethanat politike, ndikojnë që gjatë një periudhe shtatëvjeçare, ai t’i ofrojë lexuesit katër vëllime poetike: “Përshkrime” (1966), “Djersa dhe Gjaku” (1968), “Pranvera po bëhet verë”, (1971), “Ngjarje që s’duan shpjegim” (1973). Faza e dytë e krijimtarisë së Cerajës është një periudhë kohore thuajse nëntëmbëdhjetëvjeçare, e që është krijimtaria e tij gjatë viteve tetëdhjetë. Të kësaj faze janë vëllimet me poezi: “As nuk duket as nuk humbet” (1980), ”Udhëton me erëra” (1985).

Në vitet e nëntëdhjeta autori ka botuar këto vëllime: “Fund me diell” (1990), “Çka s’ka në botë”, (1991), “Guri në qafë” (1993), “Gjeografia e dhembjes” (1996), “Emjeta” (1996), “Ngjyrat e Kosovës” (1997), “Kosova i shkruan letra Amerikës” (1997), “Dimër në Tiranë” (1998), “Drenica” 1998, “Balada e pritjes”. Të kësaj kohe janë edhe romani “Lida”, i cili është shkruar vite më parë, dhe “Ditari i rrethimit”. Faza e tretë krijuese e Jakup Cerajës, thekson studiuesi, i takon periudhës së pasluftës së UÇK-së: ”Baladë lufte” (2000), poema “Ucë Mala” (2001). Në këtë kapitull, studiuesi ka analizuar e vlerësuar shumë poezi, strukturën formuese të tyre, strofën, vargjet, rimat, etj., si dhe përfaqësimi i krijimtarisë së Cerajës në disa revista, gazeta e antologji letrare është një pjesë e begatë e studimit, pastaj çmimet dhe shpërblimet e shumta me të cilat është vlerësuar krijimtaria e tij. Krijimtaria e tij u prezantua në disa manifestime të rëndësishme kombëtare.

4. Lexuesi pjesë përbërëse e studimit model

Kapitullin e fundit të veprës së tij studimore, Kurti e titullon Lexuesi, dhe jep disa mendime të studiuesve botërorë lidhur me lexuesin. Më i zëshmi është Roland Barthes (Roland Barti) i njohur me mendimin e tij: Lindja e lexuesit duhet të paguhet me vdekjen e autorit. Athua vetëm autori vdes, edhe lexuesi vdes, por teksti kurrë nuk vdes, e atë e krijon autori pa të cilin nuk ka tekst; dhe lexuesi vallë çfarë do lexonte, a do të ekzistonte ai, – mendoj se ato janë një hallkë e rëndësishme e letërsisë dhe assesi nuk mund të ekzistojnë njëra pa tjetrën, janë të ndërlidhura njëra me tjetrën.

Receptimi dhe perceptimi i materies: studiuesi thekson se kur flitet për poezinë e Jakup Cerajës në raport me lexuesin, ekzistojnë dy lloje lexuesish: lexuesit model, profesionistë, kompetentë e të informuar, dhe lexuesi që nuk ka shumë afinitet, nuk është sa duhet i përgatitur për të gjykuar (vlerësuar poezinë), lexuesi tendencioz është i pranishëm në këtë studim, dhe studiuesi me argumente shkencore rrëfen edhe qëllimin e këtyre tendencave vlerësuese për poezinë e Jakup Cerajës. Ai ishte poet revolucionar, i padëgjueshëm për sistemin e kohës, njeri që e donte lirinë e etnisë, dhe kritika e kohës e anatemonte poezinë e tij, duke e ndaluar dhe poetin duke e persekutuar.

5. Përfundim

Miftar Kurti është studiues i zellshëm. Ai me studimin e tij për poezinë e Jakup Cerajës, në mënyrë meritore e lartëson këtë krijimtari. Studimin e tij e strukturoi me hyrje, përmbajtjen e materies dhe me përfundimin e saj. Ky studim shkoqit strukturën zhvillimore të krijimtarisë së Cerajës, duke filluar nga vëllimi i tij i parë 1966 deri tek i fundit e vitit 2001. Rrugëtimi, shtegtimi i krijimtarisë së tij poetike, sfidat, rëniet dhe ngritjet e poetit, janë elementi themelor i këtij studimi. Miftar Kurti mbetet në rrugëtimin e tij studiues për ta finalizuar edhe më tej artin e kritikës letrare edhe me studime të veçanta shkencore./rajonipress/