Si të kemi zgjedhje të lira?

Nga Blerim Shala – Besimi i qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e lira, sot graviton kah zeroja. Mbase, ky do të jetë rasti i fundit kur do të mund të mëkëmbej besimi i tyre që njëmend me votën e tyre ata do të përzgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Nuk është pyetja kryesore, tani, kur kemi hyrë në fazën finale të përgatitjes për legjislacioni e ri për zgjedhjet e ardhshme parlamentare: Sa do të kemi demokraci në zgjedhjet e radhës, por a do të kemi fare demokraci?
Po qe se nisemi prej kësaj pyetje, nuk do të jetë vështirë të mbërrihet në konkludimet e duhura se çfarë duhet bërë që të sigurohet që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe demokratike.
Të përkujtomë: Zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2010 nuk kanë qenë as të lira, as demokratike. Nuk kanë qenë, në fakt, zgjedhje fare. Vullneti i mirëfilltë politik i qytetarëve të Kosovës është falsifikuar skajshmërisht në të gjitha drejtimet, si në raportet midisi partive politike, ashtu, madje edhe më shumë, brenda vetë Listave partiake të kandidatëve për deputetë. Manipulimi i këtij vullneti ka qenë parim, ka qenë organizim i mirëfilltë në të gjitha nivelet, nuk ka pasur gatishmëri që diçka e tillë të pamundësohet. Zaten, që diçka e tillë do të ndodhë, kjo është ditë qysh në momentin kur janë shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Këto të gjitha dihen në Kosovë. Nuk ka gjë të panjohur. Por ia vlen që ky ri-kthim i shkurtër në dimrin e vitit 2010 të bëhet edhe një herë, për t’i dhënë, mundësisht, kahjen e duhur debatit që si rëndom tek ne, pa këmbë e krye, ka plasur ditëve të fundit për sistemin zgjedhor që duhet ta kemi në Kosovë.
Cili do të duhej të ishte synimi i përbashkët i partive politike, i shoqërisë civile, i të gjithë atyre që në një mënyrë apo tjetrën preokupohen me këtë çështja madhore, që është themeli i një demokracie të mirëfilltë?
Ky synim përbëhet prej disa caqeve fare konkrete, lehtë të matshme, të arritshme, gjithsesi, nëse do të ketë pak vullnet politik dhe pak më shumë gatishmëri për ta tëfilluar lëmshin e parregullsive zgjedhore, të cilat, në trajtën çfarë na u paraqitën herës së kaluar, jo vetëm që zhbëjnë mundësinë për të krijuar institucione legjitime, por instalojnë pasiguri të vazhdueshme në politikën e një shteti.
Së pari pra, duhet të kthehet në skenë integriteti i procesit zgjedhor. Besimi i qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e lira, sot graviton kah zeroja. Mbase, ky do të jetë rasti i fundit kur do të mund të mëkëmbej besimi i tyre që njëmend, ashtu si e thotë Kushtetuta, ashtu si e di demokracia, me votën e tyre ata do të përzgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Ky gjithsesi pra duhet të jetë caku kryesor i gjithë ndërmarrjes së sotme politike për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Në këtë kontekst, përfundimisht duhet të pastrohen Listat e votuesve, të cilat, kështu si janë, shërbejnë si një burim i mirë i mashtrimeve dhe manipulimeve masive. Ky është kusht pa të cilin nuk bën nëse njëmend duam që herës së ardhshme, të votojnë vetëm ata që paraqiten në qendrat e votimit.
Identifikimi i votuesve duhet të jetë i saktë, i qëndrueshëm, duke evituar skandalet e kaluara me llambat e ndriçimit, për të cilat askush nuk pagoi çmimin në KQZ.
Së dyti, rezultati i votimit duhet të dihet brenda një afati të shkurtër kohor, jo më shumë se tre ditë pas përfundimit të tyre, ndërsa rezultatet preliminare do të mund të shpalleshin 24 orë pas mbylljes së vendvotimeve.
Janë dashtë plotë 52 ditë radhës së kaluar për të kuptuar rezultatin final të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. E dimë që ka pasur edhe votime të përsëritura në disa komuna, në janarin e vitit 2011, që ka pasur përpjekje që disi të përmirësohen, ose së paku, të zvogëlohen gabimet e mëdha në mënyrën se si janë organizuar këto zgjedhje – për ç’gjë janë duhur javë të tëra. Por është krejtësisht e pakuptimtë që të pritet aq gjatë për rezultatet finale të zgjedhjeve, dhe që kjo pritje, e kësisojt, të bëhet pastaj burim i tensioneve të reja politike, të cilat ri-shfaqen me konkludimin që zgjedhjet nuk po i zgjidhin problemet politike, as nuk po shtensionojnë politikën, por anasjelltas, ato po bëhen burimi kryesor i tyre.
Këtë situatë Kosova thjeshtë më nuk mund ta përballojë.
Po qe se përmbushen dy caqet e mëparme, me një automatizëm do të sendërtohet edhe ai i treti, për të cilin edhe mbahen votimet e përgjithshme: Do të kemi një qeveri qendrore, dhe në përgjithësi, institucione qendrore që gëzojnë besimin e plotë të qytetarëve, që njohin përmbushjen e plotë të kriterit të legjitimitetit.
Duket që një tjetër arritje e demokracisë kosovare është kriteri gjinor, që bën të mundur një përkrahje parimore të përfaqësimit sa më adekuat të gjinisë femërore në Kuvendin e Kosovës.
Arritja e këtyre katër synimeve për të cilat vështirë që mund të gjendet kush në këtë politikën kosovare që do t’i kontestonte ato, të kthen prapa, në fillim, tek respektimi i disa Primeve udhërrëfyese që do të duhej të respektoheshin.
Zgjedhjet duhet të jenë transparente. Llogaridhënia për organizimin e tyre duhet të jetë e qartë. Prania e vëzhguesve ndërkombëtarë që do të ofronin legjitimimin ndërkombëtarë të tyre është e domosdoshme. I tëri procesi zgjedhor duhet të jetë i shpejtë, dhe të merr fund për disa ditë. Për këtë shkak, ashtu edhe siç është rekomanduar prej instancave më relevante ndërkombëtare në Kosovës, thjeshtësia si parim duhet të karakterizojë gjithë këtë proces zgjedhor.
E gjithë kjo ndërmarrje shumë e rëndësishme politike vendore, përndryshe, duhet të kryhet brenda pak javëve, nëse njëmend duam që ligjësisht të jemi të gatshëm për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike (pra), në vjeshtën e këtij viti, apo edhe në pranverën e vitit 2014.
Ka shumë për tu bërë. E vullneti dhe aftësia organizative e jona nuk i ri afër kësaj detyre të madhe.
Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)