Fundamenti

Në Autoritet të Konkurrencës, të gjithë zyrtarët janë në presion të vazhdueshëm

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Nga Valentina Bunjaku Rexhepi – Si deputete e Republikës së Kosovës e konsideroj të nevojshme, që të reagoj lidhur me veprimet abuzuese të vazhdueshme të Kryetares së Autoritetit te Konkurrencës znj. Neime Binaku Isufi dhe Drejtorit të Përgjithshëm z.Selajdin Beqa.

“Respekti është çështje e dinjitetit personal të njeriut, të cilin askush nuk ka të drejtë dhe askush nuk duhet të lejohet të na nëpërkëmb”.

Në Autoritet të Konkurrencës, të gjithë zyrtarët janë në presion të vazhdueshëm çdo ditë nga sjelljet e Kryetares znj. Binaku Isufi dhe Drejtorit Selajdin Beqa.

Vetëm brenda një viti ajo tri here e ka ftuar policinë kundër zyrtareve të Autoritetit të Konkurrencës, ku një rast ka bëre kallëzim të rrejshëm kinse është sulmuar dhe në një rast tjetër e ka ftuar policinë vetëm pse zyrtarët kanë qenë duke diskutuar në zyre për punë zyrtare me zë të lartë.

Drejtori i Përgjithshëm Selajdin Beqa, i cili ka aktakuzë të ngritur që nga muaji mars 2024, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë sepse ka sulmuar fizikisht vartësin e tij brenda zyreve të Autoritetit të Konkurrencës duke i shkaktuar lëndim trupor dhe ai ende vazhdon të mbajë pozitën e drejtorit pasi që Kryetarja znj.Neime Binaku Isufi nuk lejon assesi pezullimin e tij siç kërkohet në Ligjin për Zyrtar Publik.

UBT

Këtë çështje e kam ngritur edhe në Komision Parlamentar, pjesë e të cilit jam, por situata nuk ka ndryshuar në Autoritet të Konkurrencës.
Keqpërdorimet e Kryetares dhe Drejtorit të Përgjithshëm janë të dëshmuara edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023 ku janë keqpërdorur fonde publike për udhëtime zyrtare, ku pjesëmarrës në këto udhëtime kanë qenë individ, të cilët përfaqësojnë bizneset.

Për më tepër, tendenca abuzuese e znj. Binaku Isufi në bashkëpunim me z. Beqa vazhdon edhe me rastin e punësimeve, duke avancuar asistenten e saj ( e cila çuditërisht është bashkëshortja e individit pjesëmarrës në udhëtime zyrtare) ne inspektore hetuese vetëm me një vendim, duke anashkaluar procedurat e rekrutimit.

Znj. Binaku Isufi si Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës, e cila është emëruar në këtë pozitë që të merret me konkurrencën, ajo në mënyrë të vazhdueshme bën kërkesa të ndryshme në Komisionin Parlamentar, një nga ato edhe për kufizimin e moshës për funksionaret e emëruar nga Kuvendi i Republikës se Kosovës.

Gjithashtu znj. Binaku Isufi përmes veprimeve arbitrare pa asnjë bazë ligjore pengon anëtarët e komisionit në vendimmarrje.

Unë si deputete do të vazhdoj të kërkoj të ndalohen këto veprime abuzuese në institucione publike nga udhëheqësit e pozitave të larta drejtuese ndaj zyrtareve publik.