ARKATANA

Si mileti ashtu mbreti?

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Xhemal Ahmeti – Vetëm në vendet ku sundojnë diktaturat, teokratitë dhe tiranitë qytetarët kanë të drejtën e suprimuar të dinë sa më shumë për liderët e tyre. Robërve nuk u lejohet ta analizojnë publikisht primatin që ua bën ditën apo prish datën. Për këtë, njerëzit e Ballkanit mund të vajtonin deri sa çdo qytetërimi t’i digjeshin edhe qelizat e fundit subkutane.

Në shoqëritë e qytetëruara, demokratike çdo gjë e lejueshme, çdo informatë e fituar legalisht për personalitetet publike duhej të ishte transparente dhe e diskutueshme. Mirëpo nuk është kështu. Arsyet i dimë. Sidomos në kushtet ballkanike (dhe jo vetëm) liderët rezistojnë këmbeduar kundër transparencës së nevojshme që si zakonisht synohet nga mediet dhe grupet civile (aty ku ekzistojnë si të tilla). Dihet se pse dhe kur primatët janë kundër ekspozimit të habitusit të tyre: atëherë kur kundërmojnë nga gjërat që po nuk i mbajtën sekret përfundojnë ndoshta pas grilave.

1.
Ne provuam të dëshmojmë se në demokraci nuk ka idhuj, primatë të paprekshëm, pa gabime. Përkundrazi: nga psikografitë e bëra deri tani mësuam se një pjesë e tyre gabojnë madje më shumë sesa u lejohet.

Siç mund të ketë vërejtur lexuesi i mprehtë; ne psikogramet nuk i ndërtuam dot duke bërë krahasimin ndërmjet primatit aktual dhe tipit ideal të liderit që duan dhe dëshirojnë shqiptarët apo duke krahasuar ata me homologët e tyre demokracive të konsoliduara, por vlerësimet na u imponuan në bazë të edhe aporisë së njohur shqiptare, e cila thotë se: “nuk kërkohet më i miri por më imuni, pra ai tek i cili shpresohet të gabojë më pak se tjerët”. Është ky vetvetiu defekti qenësor i mendësisë shqiptare, ai që implikon atë thënien e stërpërsëritur kineze; “si mileti ashtu mbreti”? Diçka nga ky proverb edhe i përshtatet gjendjes dhe sjelljes shqiptare, mirëpo një për një ai nuk vlen më. Duke pasur parasysh mekanizmat dhe format e ndryshme që primatët sot i kanë në disponim për të manipuluar masat; nëse nuk injorojmë fuqinë e strukturave të mbetura fisnore semifeudale gjatë zgjedhjeve; duke mos harruar ekzistencën eventuale të orkestrimeve politike klanokratike që pushtetet ballkanike i krijojnë për të siguruar vazhdimin e sundimit dhe pa lënë anash instrumentalizimin permanent të medieve (qoftë ideologjikisht apo materialisht), atëherë jemi shpejt dakord se pse proverbi kinez del i demoduar.

Fundamenti

2.
Nëse diçka nga proverbi kinez megjithatë frekuenton sytë dhe mentalitetin shqiptar, atëherë është ai i tifozerisë së verbër. Këtë e dëshmojnë reagimet e grupeve të caktuara të lexuesve ndaj psikogrameve që dilnin – sipas tyre – pozitive për ndonjë që nuk ishte idhulli i preferuar. Në vetë reagimin si akt nuk ka asgjë të keqe apo negative, përkundrazi ato janë baza e çdo debati dhe mundësie për vetëreflektim, shqetësuese mirëpo rezulton mënyra e paraqitjes: pothuaj 100 % e lexuesve aktivë nuk u morën fare me argumentet dhe tezat e shtruara formanalize, por shigjetonin me paragjykime, inat dhe nxitje luftarake. Është ndoshta pikërisht edhe kjo tifozeri aqytetare që paravdes çdo tentim transparence te mediet dhe gazetarët e guximtë dhe hulumtues. Lexuesi nuk duhet të ketë vlerën e vetëm blerësit por edhe bashkëmenduesit konstruktiv e aktiv. Në vendet ku mbizotëron një kulturë e tillë, nuk është prekur ende stadi i transparencës totale, mirëpo qytetari është zot i votës së vetë dhe politikanin nuk e mbron askush kur duhet të japë përgjegjësi. E kjo është më se e domosdoshme edhe te shqiptarët.

3.
Së shpejti do të shpërthejë gjithandej sezoni i zgjedhjeve. Primatë të rinj e të vjetër do të dalin në skenë. Njohja sa më e thellë e tyre i mundëson qytetarit dhe zgjedhësit shqiptar që ta bëjë votën e tij sa më vendimtare. Ndoshta edhe kjo ndihmon që masat – nëse jo politika – dikur ia sjellin vetes demokracinë e konsoliduar dhe heqin qafe atë akuzën kineze të kenë “mbretin” që meritojnë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)