Fundamenti

Si e njoha Jonuz Musliun?

/ 6 minuta lexim

Në vend të përkujtimit. Me të ndjerin, dritë pastë, Jonuz Musliu, jam njohur edhe më herët se sa u paraqitëm për herë të parë, më 26 janar 2000, në Dobrosin, në varrimin e vëllezërve të vrarë Saqipi, atëherë kur u bë publike Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).

Në ceremonialin e varrimit me fjalime u paraqitën vetëm dy pjesëmarrës: Jonuz Musliu dhe Nexhmedin Saqipi, të cilët folën në aspektin politik dhe fetar – njëri për luftë dhe tjetri për paqe, të cilët kishin një mesazh të përbashkët, lirimin nga ish regjimi diktatorial i Millosheviqit.

Unë si kryetar i kryetar i Bashkësisë Islame (KBI) të Bujanocit, që kam pasur një përgjegjësi morale dhe shpirtërore për t’i ndihmuar proceset në atë kohë si i vetmi institucion i pavarur shqiptar me ndikim nëpër procese, duke dhënë një kontribut për zgjidhjen e problemeve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve me mjete paqësore dhe nëpërmes dialogut, krah për krah me faktorin ndërkombëtar. Pas demilitarizimit të UÇPMB dhe organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në Bujanoc, për deri sa ne ishim të angazhuar për të krijuar kushte dhe stabilitet per te integruar shqiptaret ne pushtetin lokal, njerëzit nga qarqet e ndryshme kishin filluar prekaditjen dhe lojën për kreun e komunës i cili do të jetë njeri më i përshtatshëm për t’ u shpallë kryetar historik i komunës së Bujanocit.

Meqenëse ish pjesëtarët e UÇPMB-së, ishin kategoria më e rrezikuar e shoqërisë sonë, ne vendosëm përmes një subjekti politik, t’i integrojmë ata në jetën politike dhe ekonomike të vendit.

Me të marrë vesh spektri politik i asaj kohe PVD e PDSH se u formua një subjekt politik, që do të grumbullonte rreth vetes ish ushtarakët dhe pjesëtarët e ish UÇPMB-së, filluan mosmarrëveshjet, inatet, përqarjet, shantazhet, duke i shpërndarë ata në shumë parti e grupacione.

Kur u takova me Junuz Musliun, për herë të parë në zyrën e KBI-së, i nxorëm në sipërfaqe të gjitha problemet lidhur me përfshirjen e pjesëtarëve të UÇPMB-së, në proceset zgjedhore për pushtet lokal dhe sfidat që u dilnin përpara.

Vlen të përmendet qëndrimi ynë, që në krye të pushtetit lokal në Bujanoc, të vije Jonuz Musliu, me arsyetimin se UÇPMB-ja ishte ajo e cila kishte ndikuar që të ndodhnin këto ndryshime në pushtetin lokal, policinë dhe mediat. Mirëpo, më vonë gjërat nuk rrodhën si duhet, pas mosmarrëveshjeve të shumta mes faktorit politik dhe ushtarak, në krye të Komunës së Bujanocit, nuk erdhi Jonuz Musliu, po dikush tjetër, ngase ndryshe do të ecnin proceset demokratike.

Në shkurt të vitit 2001, kur u nënshkrua Marrëveshja e Konçulit, pas dorëzimit të armëve dhe vazhdimit të dialogut për të zgjidhur problemet shekullore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me mjete politike, në Bujanoc, përsëri e takova Jonuz Musliun, për të biseduar rreth krijimit të një subjekti politik, në të cilin do të përfshihej krahu i luftës.

Gjatë kësaj kohe, pak njerëz e kishin guximin, t’i bënin konak krerëve ushtarakë të UÇPMB-së e lëre më të ndërmerrnin një nismë për formimin e një subjekti politik, në krye të të cilit do të emërohej ish drejtori politik i një ushtrie shqiptare, siç ishte Jonuz Musliu.

Pavarësisht rrezikut dhe kërcënimeve nga Beogradi, falë guximit të pashoq dhe sakrificës mbinjerëzore, Jonuz Musliu, me një grup militantësh partiakë, arriti të formoj parti politike me emrin Lëvizja e Progresit Demokratik e cila në vitin 2002, në zgjedhjet e para demokratike në Luginë të Preshevës, arriti të sigurojë 8 këshilltarë komunal në Bujanoc dhe 5 në Preshevë.

Mobi Casa

Gjatë kësaj periudhe më ra si shpesh të takohesha me Jonuz Musliun, deri sa, ai, ngadalë e sigurt u ngjit shkallëve të pushtetit lokal dhe nacional, duke marrë poste udhëheqëse në legjislativin e qeverisjes komunale, kryetar kuvendi dhe postin e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Në periudhën sa udhëhiqte me këto institucione, Jonuz Musliu, janë zhvilluar shumë procese politike, të cilat për shkak pengesave që vinin nga Beogradi, për realizimin e tyre, manifestoheshin jo rrallë me protesta, peticione e deklarata politike.

Nëpër këto procese demokratike, pushteti i Beogradit, nuk kursente mjete e metoda për ta bllokuar veprimtarinë patriotike të Jonuz Musliut, madje edhe duke e burgosur, në cilësinë e kryetarit të LPD-së, parti e licencuar.

Po burgjet, qoftë ato të regjimit komunist dhe pluralist, të Beogradit, aq më shumë e çelikosnin shpirtin luftarak të Jonuz Musliut, i cili asnjëherë nuk u dorëzua as kur ishte në front ë luftës e as kur gjendjen në tryezat e bisedimeve politike.

Qëndrimi i tij i rreptë për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, nuk ishte vetëm ndaj Beogradit, por edhe karshi Prishtinës dhe Tiranës, pa lënë anash as faktorët ndërkombëtarë, të cilët sipas tij, nuk e vendosnin problemin e kësaj Luginë në procesin e dialogut të Brukselit.

Se sa kishte një shpirt të madh patriotik dhe atdhetar Jonuz Musliu, u pa edhe gjatë kohës kur, ai, ndërroi jetë, për të mos vdekur kurrë, duke u përkujtuar figura e tij në Akademitë përkujtimore, homazhet dhe gjatë ceremonialit mortor.

Janë me qindra e mijëra mesazhe e telegrame ngushëllimi, të cilat kanë ardhur e vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Diaspora e deri nga Amerika, në adresë të familjes Musliu dhe institucioneve shqiptare të Luginës, për humbjen e një politikani të madh, një patrioti të devotshëm dhe mbi të gjitha të një njeriu të mirë, të ndershëm dhe të sinqertë, të rreptë për armikun e shumë të dashur për miqtë e tij.

Është një karakteristikë e veçantë, që lidhet me Flakën e Janarit, të lavdisë sonë kombëtare, në të cilin kujtohen heronjtë tanë, duke u nisur nga i madhi Skënderbeu e këndej, ndodh të ndahet nga jeta edhe Jonuz Musliu, pak ditë kur familjarët e tij dhe miqtë e idealit, ia uroni ditëlindjen e 59-të.

Për fund, neve na mbetet, që kujtimin për Jonuz Musliun, ta ruajmë të freskët, të paharrueshëm, duke u angazhuar me nder e sinqeritet ta çojmë amanetin e tij në vend, gjithnjë duke reflektuar pozitivitet, ashtu sikur, ai, të ishte gjallë në mesin tonë./jetapress/