UBT

Shteti i kapur nga grupe kriminale, në ballë të së cilës qëndron ‘Pronto’

/ 17 minuta lexim
Uji Dea

Përkundër faktit që në Kuvendin e Kosovës është renditur për shqyrtim dhe miratim Ligji për Shqyrtimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilin pritet ta miratoj Parlamenti i Kosovës, njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët politikë, por edhe qytetarët e zakonshme, nuk presin që me miratimin e këtij ligji dhe hyrjen e tij në fuqi do të ndryshojë dukshëm për të mirë gjendja në fushën e sundimit të ligjit.

Ky skepticizëm dhe mosbesim vjen për faktin e mirënjohur dhe të ditur se e kemi një përbërje të kontrolluar të Gjyqësorit, Prokurorisë dhe Policisë nga politika e inkriminuar, prandaj këta ligjzbatues nuk do të mund të pavarësohen që ta zbatojnë këtë ligj, i cili po qe se do te zbatohej edhe mund t’u sjellë telashe të mëdha oligarkëve të pasluftës në biznes dhe në politikë. Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi ka deklaruar për “Kosova Sot” se është fakt që lufta kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe të dukurive të tjera negative, deri te shkatërrimi i Republikës, është e gjatë dhe shumë e vështirë për t’u parandaluar, sepse edhe ligjet që miratohen nuk zbatohen nga vetë institucionet. “Kur them e gjatë nënkuptoj faktin se dukuria e tille është e ngulitur në dy baza kryesore. Në politikë tek njerëzit më të lartë të shtetit dhe në ekonomi, kuptohet te mafia oligarkike, e cila e ka tërë pasurinë e Kosovës nën kontroll dhe po vazhdon gradualisht ta futë atë nën sundim. Natyrisht se Ligji për Shqyrtimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është në njëfarë mënyre pozitiv në kuptimin e krijimit të një baze ligjore për të konstatuar pasurinë e krijuar, por kjo do të varet shumë kryesisht nga organet që do të merren me këtë. Nëse mbështetemi në faktin se në Kosovë e kemi Prokurorinë dhe organet e ndjekjes që janë kompetente për krim dhe korrupsion dhe nuk bën gjë deri më tani në luftën e tillë, shtrohet pyetja, çka pritet nga ky ligj, me njerëzit e njëjtë a të tjerë, në pozitën e luftimin të saj. Jo! Nuk mendoj se kështu luftohet krimi në fushën e luftimit të saj në pushtet dhe në ekonomi. Përkundrazi, do të kemi vetëm edhe një ligj dhe çështjet do të mbesin në nivel ekzistues”, shpjegon Kelmendi. Edhe krerët e shtetit t’i nënshtrohen verifikimit Pritjet janë negative në efektin e këtij ligji edhe sipas analistit Reshat Badallaj. “Personalisht, unë nuk besoj, sepse kam parasysh dhe fakte që mjerisht Kosova është në duart e krimit të organizuar të nëntokës kriminale. Nuk mjafton vetëm të aprovohen ligje,por ligjet duhet zbatuar konkretisht. Këto janë vetëm propagandë e Kuvendit rrugaçësh, gjysmë analfabetësh dhe vagabondësh, sa për të hedhur pluhur syve para popullit dhe për ta mashtruar atë kinse ne po veprojmë”, vlerësoi ai. “Unë i referohem fakteve: Vetëm të mendojmë veprimet që nga pas lufta të bandave të mafio-oligarkëve, e kam fjalën që nga majat e shtetit, qeveritë kuislinge dhe kuvendet arenë rrugaçësh, si i thonë fjalës ata që filluan të merren me politikë, se si brenda një kohe të shkurtër u bënë super-milionerë dhe siguruan pasuri për dhjetënjëzet breza e që deri dje nuk kishin as bukë të mjaftueshme për të ngrënë, dhe të tillët pa bërë hetime fare edhe populli po i njeh si paranë e kuqe, po i njeh edhe Prokuroria, Hetuesia, përkatësisht sistemi gjyqësor…pra kush mendon se nuk paskan dijeni për këtë bandë mafioze”, tha Badallajt për “Kosova Sot”.

Ndërsa, sipas analistit politik Bislim Aliu, me miratimin e këtij ligji të ri patjetër duhet të ndryshojë diçka në sundimin e ligjit, sidomos kur bëhet fjalë për një qasje krejtësisht të re, Ligjin për Shqyrtimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Sidoqoftë, pikëpyetja mbetet a do të zbatohet apo do të mbulohet nga harresa edhe një ligj i tillë. “Nëse ky zbatohet, mund t’u sjellë shumë telashe oligarkëve të pasluftës në biznes dhe në politikë! Kjo do të jetë shumë vështirë nga kjo përbërje e kontrolluar e Gjyqësorit, Prokurorisë dhe Policisë të zbatojë këtë ligj, megjithatë, nëse duam shtet, drejtësi dhe ligjësi, duhet patjetër që ky ligj të gjejë zbatueshmëri! Të gjithë, ama të gjithë jemi dëshmitarë të një pasurimi marramendës dhe tejet të lartë dhe tepër të dyshimtë të njerëzve të pushtetshëm, për dy dekada në politikë, të cilët edhe nuk kanë ngurruar ta deklarojnë një pjesë të pasurisë milionëshe, gjoja si ‘trashëgimi’, thuajse janë fëmijë të ‘princave’ të fshatrave prej nga ata vijnë, megjithatë, Prokuroria, Policia dhe Gjyqësori i injorojnë në tërësi krimin e organizuar dhe korrupsionin e figurave të larta shtetërore, qoftë në nivelin qendror, apo atij lokal”, theksoi ai. “Mafiooligarkët e pasluftës, bashkë me politikanët, të cilët janë bashkëpunëtorë në këto kompani të mafio-oligarkëve, e deri te kreu i shtetit, i kanë shpërndarë pasuritë e qindra miliona eurove, tek familjarët apo klientelat e tyre. Dihet se oligarkët e biznesit dhe të pushtetit, janë duke tjetërsuar pasuritë, duke i transferuar në parajsat fiskale, për të humbur gjurmë dhe për të thënë nesër se jemi të pastër! Por, populli mirë e di, se pushtetarët e pasluftës, të të gjitha partive, janë bërë të kamur, mbi kurrizin e pasurisë publike të buxhetit të taksapaguesve kosovar. Andaj, me të ardhurat e tyre, ata nuk kanë mundur të blejnë pasuri të patundshme në vlerë tepër të larta, të kenë vetura luksoze, të bëjnë pushime me dhjetëra mijëra euro dhe të jetojnë, si ‘sheikët’ e populli po vuan për bukë gojë?!”, vijoi më tutje Aliu për “Kosova Sot”. Sipas tij, miratimi i Ligjit për Shqyrtimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të ketë kuptim, nëse secili i dyshuar do t’i nënshtrohet verifikimit, duke filluar nga presidenti, kryeparlamentari, kryeministri dhe familjarëve të tyre, por edhe të tjerëve, që të verifikohet pasuria, pasi dyshohet seriozisht se ata kanë përfituar në mënyrë korruptive shuma të mëdha parash, prona, shtëpi, vila dhe shumëçka tjetër.

Vetë i miratojnë ligjet, vetë i shkelin Analisti Ragip Guraziu thekson se derisa edhe kulmi më i lartë i institucioneve të shtetit është i kapur dhe uzurpuar nga lidhjet me krimin e korrupsionin, një ligj i tillë do të mbetet vetëm një letër e pavlerë. “Derisa kemi një Gjyqësor, Prokurori, Polici,dhe një Parlament që vetë miraton ligje, nene e drafte, dhe të gjitha i shkel vetë, një Qeveri, Presidencë, Kuvend, që udhëheqin vetë si duan e dëshirojnë,dhe të gjithë hanë bashkë me një lugë,qytetarët e shtetit të Kosovës kanë humbur të gjitha shpresat të institucioneve tona nuk mendoj se do të ndryshojë diçka në sundimin e ligjit, me Ligjin për Shqyrtimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilin pritet ta miratojë Parlamenti i Kosovës. Parlamenti punon siç punon, në fund që 19 vjet pas lufte dhe 10 pas pavarësisë, çka të mirë i solli Kosovës… thuajse asgjë”, u shpreh ai. “Prandaj, konsideroj se edhe tani s’ka shanse reale të pritet që kjo përbërje e kontrolluar e Gjyqësorit, Prokurorisë dhe Policisë, ta zbatojë këtë ligj, i cili po qe se do të zbatohej edhe mund t’u sjellë telashe të mëdha oligarkëve të pasluftës në biznes dhe në politikë,ku vetë këto institucione në fjalë bashkëpunëtorë të atyre që po degradojnë Kosovën. Të gjithë jemi dëshmitarë të një pasurimi marramendës dhe tepër të dyshimtë të njerëzve të pushtetshëm për dy dekada në politikë, e të cilët edhe nuk kanë ngurruar ta deklarojnë një pjesë të kësaj pasurie milionëshe. Me të ardhurat e politikaneve, e të cilët janë të njëjtët për afro dy dekada në politikë, nuk kanë mundur të blejnë pasuri të patundshme në vlera tepër të larta, të kenë vetura luksoze, të bëjnë pushime dhjetëra mijëra euro për pak ditë”, potencoi më tej Guraziu. “Do të kishte kuptim miratimi i Ligjit për Shqyrtimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme vetëm nëse secili i dyshuar do t’i nënshtrohet, që nënkupton se edhe presidentit, kryeparlamentarit, kryeministrit dhe familjarëve të tyre duhet t’u verifikohet pasuria, pasi ka dyshime të bazuara se kanë përfituar në mënyrë korruptive shuma të mëdha parash, prona e shumëçka tjetër”, tha Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.

QARRI: U BËNË MILIONERË ME PAGA SHTETI! Fatin e këtij ligji të ri e sheh të mbyllur në dollapët e institucioneve të zbatimit të ligjit, dhe të paefektshëm, edhe analisti politik Gani Qarri. “Nuk është aspak reale të pritet që me përbërjen aktuale të Gjyqësorit, Prokurorisë dhe Policisë së kontrolluar nga politika ditore, të ndryshojë diçka në sundimin e ligjit, as me Ligjin për Shqyrtimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilin pritet ta miratojë Parlamenti i Kosovës. Kjo për vetë faktin se po u zbatua në tërësi dhe si duhet ligji në fjalë, mund t’u sjellë telashe të pafund vetë oligarkëve më të mëdhenj të pasluftës në biznes dhe në politikë, të cilët tash e gati dy dekada qëndrojnë vetë mbi ligjin dhe udhëheqin edhe me shtetin”, u shpreh ai. “Të gjithë jemi dëshmitarë të një pasurimi marramendës dhe tepër të dyshimtë të njerëzve më të pushtetshëm për dy dekada në politikë dhe pushtet, të cilët duke mos pasur frikë nga ligji, edhe nuk kanë ngurruar ta deklarojnë një pjesë të kësaj pasurie milionëshe gjoja si ‘trashëgimi’ ,thuajse janë fëmijë të ‘princave’ dhe jo ish- banorë të fshatrave prej nga ata vijnë, e Prokuroria, Policia dhe Gjyqësori jo vetëm që nuk kanë reaguar fare, por edhe injorojnë në tërësi krimin e organizuar dhe korrupsionin e figurave te larta shtetërore, qofte në nivelin qendror apo në atë lokal”, vijoi më tej Qarri. “Mafio-oligarkët e pasluftës bashkë me politikanët e inkriminuar deri në kreun e shtetit, të cilët janë të njëjtët për afro njëzet vjet me radhë,me të ardhurat e tyre nga angazhimi në politikë,kurrë nuk do të kishin mundur të grumbullojnë pasuri në vlera kaq të larta, të kenë vetura luksoze, të bëjnë pushime dhjetëra mijëra euro për pak ditë, etj., por si bashkëpronarë në këto kompani,të patrazuar nga Prokuroria, Gjyqësia, Policia dhe çfarëdo ndjekje tjetër ligjore,një pjesë të pasurive të qindra miliona eurove i kanë shpërndarë tek familjarët apo klientelat e tyre, ndërsa pjesën më të madhe të parave,bashkë me mafio-oligarkët, i kanë tjetërsuar dhe transferuar lirshëm në parajsat fiskale anekënd botës, për të humbur gjurmët”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”.

KKVITI

MEHMETI: SHTETI ËSHTË I KAPUR NGA GRUPE TË CAKTUARA KRIMINALE, NË BALLË TË SË CILËS QËNDRON ‘PRONTO’ !
Të paefektshëm e sheh Ligjin për Shqyrtimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme edhe analisti politik Faton Mehmetit. “Duke pasur parasysh se shteti është i kapur nga grupe të caktuara kriminale, në ballë të së cilës qëndron ‘Pronto’ nuk mund të besoj jo vetëm në këtë ligj, por në asnjë, që mund te ndryshojë gjendjen e tanishme në vend sa i përket krimit dhe korrupsionit. Kosova nuk mundet të zbatojë ligje të tilla që në esencë prekin politikanët, e të cilët janë kapësi i shtetit dhe rrjedhimisht e keqja e vendit. Andaj, nuk pritet që kjo klasë politike të bëjë ligje që janë kundër tyre, pasi me Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme i bie që shumica e politikanëve të kthejnë mbrapshtë atë që e kanë marrë kundërligjshëm, që e kanë vjedhur. Kjo pasi s’ka sens që me një pagë 300, 400…600 apo edhe mbi 1000 euro të ndërtojnë vila, dhe të bëjnë jetë luksoze milionëshe. Kjo nënkuptohet se këtu ka vjedhje , edhe atë të mëdha, ndryshe s’ka se si të fitohet një pasuri e tillë”, u shpreh ai. “Kjo nënkupton që kjo klasë politike do të miratojë ligje vetëm sa për sy e faqe, e të cilat nuk do e shohin asnjëherë në dritë zbatimin e tyre . Kosova edhe deri më tani ka ligje të mira, por që nuk zbatohen. Andaj, për të parë zbatimin e tyre, duhet të vijë në pushtet një klasë politike tërësisht e pakorruptuar, dhe e cila nuk ka frikë nga zbatimi i ligjeve. Faktikisht, kjo klasë aktuale politike është e korruptuar dhe e kriminalizuar. Dhe, si e tillë është e rrezikshme për vendin, pasi ky shtet s’mund të vij në rrugë të drejtë me këtë mendësi qeverisëse të mbrapshtë”, potencoi Mehmeti. “Kapja e shtetit nga nëntoka kriminale, dhe e cila është në krye të institucioneve të shteti, s’mund të çlirojë vendin të marrë frymë. Të gjithë ne si shoqëri duhet të bëjmë çdo gjë për të larguar këtë të keqe nga vendi, ndryshe rrezikojmë të dështojmë plotësisht si shtet”, tha Faton Mehmeti për “Kosova Sot”.

ZEQA: BOSËT E KRIMIT, ENDE TË PAPREKSHËM
Analisti politik, Florim Zeqa tha për “Kosova Sot” se Kosova nuk është se ka mungesë të ligjeve, ka problem me zbatimin e tyre, shkaku i ushtrimit të ndikimit të skajshëm të politikës mbi sistemin e drejtësisë. Sipas tij, i ashtuquajturi Ligj për Shqyrtimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilin pritet ta miratojë Parlamenti i Kosovës, me këtë përbërje të kontrolluar të Gjyqësorit, Prokurorisë dhe Policisë, jo vetëm që nuk do të gjejë zbatueshmëri në praktikë, por do të favorizojë akoma më tepër korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë. “Edhe pse të gjithë jemi dëshmitarë të një pasurimi marramendës dhe tepër të dyshimtë të njerëzve të pushtetshëm për dy dekada në politikë, e të cilët edhe nuk kanë ngurruar ta deklarojnë një pjesë të kësaj pasurie milionëshe gjoja si ‘trashëgimi’, thuajse janë fëmijë të ‘princave’ të fshatrave prej nga ata vijnë, Prokuroria, Policia dhe Gjyqësori nga frika e përballjes me bosët e krimit, i injorojnë në tërësi krimin e organizuar dhe korrupsionin e figurave të larta shtetërore, qoftë në nivelin qendror apo në atë lokal”, vlerësoi ai. “Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është aq e vështirë dhe e komplikuar, shkaku se mafio-oligarkët e pasluftës bashkë me politikanët e inkriminuar i kanë shpërndarë të gjitha pasuritë e paligjshme qindra milionëshe tek kompanitë fajtomë të mafio-oligarkëve, kompanitë e familjarëve apo klientelave të tyre në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi e gjithandej vendeve të rajonit. Miratimi i Ligjit për Shqyrtimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të kishte kuptim vetëm nëse secili i dyshuar do t’i nënshtrohet procesit të VETTING-ut, filluar nga presidenti, kryeparlamentari, kryeministri, zv. ministra e deputetë, si dhe verifikimi i pasurisë së familjarëve të tyre, pasi ka dyshime të bazuara se kanë përfituar në mënyrë korruptive shuma të mëdha parash, prona e shumëçka tjetër në këtë dhjetëvjetëshin e fundit”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Analisti politik, Ali Hertica beson që derisa Kosova është një hap më afër procesit të liberalizimit të vizave dhe proceseve të tjera të përafrimit me BE-në, ka shpresë që sadopak të detyrohet të bëjë hapat e parë edhe në këtë fushë. “Këta oligarkë dhe poseduesit e dyshuar të pasurisë së tyre duhet gjithsesi t’u nënshtrohen fillimisht procedurave për vërtetimin e themelësisë së pasurisë që posedojnë dhe ta japin burimin e prejardhjes ata vetë apo personat e tretë tek të cilët e kanë bartur ata pasurinë, që sipas dëshmive të pakontestuara, janë kryesisht familjarë të tyre”, u shpreh ai. “Të gjithë jemi dëshmitarë të një pasurimi marramendës dhe tepër të dyshimtë të njerëzve të pushtetshëm për dy dekada në politikë, e të cilët edhe nuk kanë ngurruar ta deklarojnë një pjesë të kësaj pasurie milionëshe,ku tjetra pjesë nuk është e deklaruar apo është në fshehtësi të emrave të ndryshëm, kështu që Gjyqësia dhe Prokuroria duhet të bazohen në nenin 5 të Ligjit për Shqyrtimin dhe Vërtetimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ku parashihen edhe kushtet se si do të bëhet vërtetimi i pasurisë së pajustifikueshme dhe të dihet historiku se nga erdhi e gjithë kjo pasuri për të cilën matrapazët po thirren se e kanë në trashëgimi,”, tha Hertica për “Kosova Sot”

Shteti ligjor ka marrë fund, qytetarët kërkojnë ndryshime rrënjësore Të pashpresë se ligjet e reja do të zbardhin të vërtetën e pasurimit të kësaj kaste politike dhe që t’u konfiskohet atyre pasuria e kundërligjshme, e pashpjegueshme, janë edhe qytetarët që kanë dëgjuar për këtë ligj të ri. “Nuk funksionon ligji në këtë vend dhe në këtë kohë. Me këta njerëz dhe me këta politikanë. Vetëm ndryshimi rrënjësisht i këtyre, heqja e tyre nga skena politike dhe nga pushteti mund të krijojë kushte për fillimin e zbatimit të të gjitha ligjeve, të fillimit të funksionimit të shtetit ligjor, për të filluar si duhet prokuroritë dhe gjykatat, në mënyrë që të gjithë ata që janë të pasuruar kundërligjshëm t’u konfiskohet e gjithë pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme. Është fare e lehtë të vërtetohet prejardhja e pasurisë së secilit, unë vetë jam ekonomist dhe i di fare mirë se si mund të arrihet deri tek këto informata. Mirëpo, kjo që është deri më tani, si nuk po funksionon shteti ligjor, është një tmerr për Kosovën, nuk mund ta marrë askush me mend, sepse nuk kemi menduar ne në vitet 90-ta që pas çlirimit do të na ndodhë edhe kjo”, tha Rrahman Emini për “Kosova Sot”. Po një mendim identik ka edhe qytetari Esat Hoxha. “Mendimet e mia nuk janë optimiste sa i takon kësaj çështje, sepse sikur që po e shoh unë, krejt kjo situatë, kjo gjendje nuk na çon neve asgjëkund në një situatë më të mirë. Po e them këtë, sepse jam shumë skeptik, nuk mund t’i besoj aspak premtimit dhe zotimit për një drejtësi dhe zbatim të plotë të ligjeve, duke filluar prej Qeverisë, prej gjykatave duke i marrë të gjitha institucionet në përgjithësi që askund nuk janë në rregull. Meqenëse çdo kund interesi personal po mbisundon mbi interesat e shtetit dhe të popullit, atëherë nuk kam ndonjë koment tjetër, veç asaj që mund të them se nuk pres ndonjë lëvizje pozitive në forcimin e sundimit të ligjit”, theksoi Hoxha për “Kosova Sot”.