Fundamenti

Shpresat në Strasburg

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Vazhdon mosinteresimi i organeve kompetente të Kosovës në lidhje me kompensimin e pensioneve kontributdhënëse në kohën e ish-Jugosllavisë.

Që nga viti 1999, pensionistët kosovarë kishin kërkuar mënyra të ndryshme që ky kompensim kontributdhënës t’iu kthehej atyre, por fatkeqësisht deri sot kjo gjë nuk ka ndodhur. Andaj për një çift nga Prizreni, gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut është parë si mundësi për të realizuar të drejtën e tyre për kthimin e pensioneve.

Sadif e Xhemail Arënliu ka 4 vjet që kanë paditur Kosovën dhe Serbinë në Gjykatën e Strasburgut. Ata janë në mesin e 150.424 pensionistëve kontributdhënës e jokontributdhënës sa ka Kosova. Më 2 mars 2011, ata e kishin nisur me postë padinë e tyre në Gjykatën e Strasburgut e cila dy muaj më vonë edhe u pati kthyer përgjigje se ka pranuar lëndën dhe se ajo tashmë është regjistruar si Arënliu Vs Serbia.

Më vonë, me një autorizim të veçantë nga Shaban Kajtazi, kryetar i Bashkimit të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, çifti autorizohet të përfaqësojë të gjithë pensionistët kontributdhënës të Kosovës. Paralelisht me këtë padi, më 2 mars 2011, familja Arënliu ka ushtruar padi edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës. Çifti Arënliu pretendonte se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka qenë ajo që kishte ndërprerë pensionet në vitin 1999.

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë këto pretendime pasi që “MPMS nuk është trashëgimtare e pensioneve të gëzuara para luftës nga ish-Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor”.

Betejën e vazhdojnë në Strasburg

Betejën ligjore me dy shtete, prej të cilave Serbia është anëtare e Këshillit të Evropës dhe nënshkruese e Kartës për të Drejtat e Njeriut, çifti i moshuar e nisi pasi kishte lexuar një deklarim të Verena Graf e cila është përfaqësuese e Lidhjes Ndërkombëtare për të Drejtat e Popujve pranë Kombeve të Bashkuara, organizatë kjo që merret me mbrojtjen e të drejtave kolektive të njerëzve në mbarë botën.

“Për çështjen e pensioneve nuk ka çfarë të bisedohet sepse e drejta për të marrë pensionin u takon atyre”, kishte thënë Graf. Ajo ishte shprehur e lumtur me kërkesën e çiftit nga Prizreni, por porosit kosovarët se një gjë e tillë duhet të bëhet nga të gjithë. “Procedura ka filluar prej vitit 2011, kurse tani jemi në vitin 2014 dhe ende gjykata e Strasburgut nuk ka marr vendim për kompensimin e pensioneve”, thotë Arënliu.

Në qershor 1999, gjatë largimit nga Kosova, Serbia ka marrë edhe Fondin Pensional duke lënë më shumë se 35 mijë pensionistë kontributdhënës pa paratë që do të duhej t’i merrnin në pleqëri, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Sipas përllogaritjeve të Bashkimit të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, organizatë që mbledh rreth vetes të gjithë pensionistët e vendit, ky fond ishte rreth 700 milionë euro.

UBT

Tri kërkesa, asnjë përgjigje

Që nga viti 2008 Beogradit zyrtar i është bërë 3 herë kërkesë nga institucionet e Kosovës që të ulen dhe ta zgjidhin këtë problem. Por asnjëherë nuk morën përgjigje. Arsyeja dihet edhe botërisht se Serbia nuk i njeh institucionet kosovare.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka deklaruar se ky dikaster nuk ka arritur asnjëherë të ketë të dhëna zyrtare rreth borxhit që shteti serb u ka pensionistëve kosovarë. “Nuk kemi të dhëna zyrtare, pasi që nuk kemi kontakte me autoritetet në Beograd. Krejt informatat që qarkullojnë janë jozyrtare”, ka thënë Rashiq, duke shtuar se është e drejtë ligjore që pensionistët kosovarë të marrin ato para nga Beogradi.

Kosova mund të përfitojë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Pensionistët nga Kosova mund të padisin Serbinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre, thotë avokati Labinot Hashani. “Serbia si anëtare e Këshillit të Evropës mund të paditet aty. Mirëpo vlen të ceket se këto padi mund të bëhen vetëm pasi të shteren të gjitha mjetet juridike që ekzistojnë në Serbi”, thotë Hashani për gazetën “Zëri”. “Nëse nuk ka përgjigje pozitive dhe nuk adresohet shkelja, atëherë dhe vetëm atëherë mund të shkohet në Gjykatën e Strasburgut”. Ndërkohë, ka edhe padi të tjera të bëra ndaj shtetit serb në gjykatat e Serbisë për kthimin e pensioneve.

Kjo padi ishte bërë nga Bashkimi i Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Kosovës. “Ata [gjykatat në Serbi] kurrë nuk i kanë shqyrtuar. Kjo na ka penguar ta padisim Serbinë në Gjykatën e Strasburgut sepse para se të shkojmë atje, duhet të kemi aktgjykimet e gjykatave në Serbi”, ishte thënë nga ky Bashkim i Pensionistëve. “Gjykata e Strasburgut nuk i pranon rastet pa i shterur të gjitha mundësitë ligjore në shtetet përkatëse”. Nga kjo organizatë janë deponuar tri padi në Gjykatën e Qarkut në Beograd.

Precedenti

Çifti Arënliu ka shumë shpresë se do ta fitojnë gjyqin me Serbinë. “Jemi 100 për qind të bindur”, thotë Xhemail Arënliu. Edhe më shumë zemër atyre u ka dhënë rasti i çiftit Grudiç, shtetasve kosovarë me përkatësi etnike boshnjake nga Mitrovica të cilët tash jetojnë në Novi Pazar të Serbisë. Pas katër vjet beteje ligjore në Gjykatën e Strasburgut, më 17 prill 2012, ata kanë fituar rastin dhe tash shteti serb detyrohet që pensionet t’u paguajë në mënyrë retroaktive, nga viti 1999 së bashku me kamatën përkatëse. Gjykata në Strasburg e ka nxjerrë aktgjykimin e parë sipas ankesës së Ljutvije e Mahmut Grudiçit nga Mitrovica, të cilët kanë qenë shfrytëzues të pensionit invalidor të Fondit Republikan Pensiono-Invalidor kurse pagesa e të ardhurave të tyre ka pushuar nga viti 1999. Me arsyetimin se Fondi duhet të bëjë suspendimin e pagesës së pensioneve për shkak se Kosova gjendet në administrimin ndërkombëtar, ata sikurse mijëra pensionistë të tjerë, nuk merrnin paratë e tyre. Por Gjykata në Strasburg këtë vendim e ka kontestuar me aktvendimin e 17 prillit 2012 dhe ka urdhëruar që çiftit Grudiç t’u paguhen të gjitha borxhet që ua ka borxh shteti, respektivisht Fondi Pensional./zeri/