Fundamenti

Shkolla shqipe në Zvicër edhe më tej larg Institucionalizimit

/ 7 minuta lexim

U tha në Kuvendin zgjedhor të LAPSH-it,ku për koordinator në nivel të Zvicrës u zgjodh Nexhat Maloku, mësimdhënës i mësimit plotësues në Cyrih.

Teksti Abas Fejzullahi & Fotot : Rexhep Rifati

Në lokalitetin Windisch, të kantonit të Argaut, më 9 qershor 2013 u mbajt Kuvendi zgjedhor i LAPSH/it Naim Frashëri“ në Zvicër .Para fillimit të punës së Kuvendi, në shenjë nderimi të 135 vjetorit të LSH të Prizrenit, nxënësit e MPSHSH në Windisch kantoni Argau, kënduan Himnin kombëtar dhe recituan disa poezi, përgatitur nga mësuesja Eshrefe Nuhiu, që u nderuan me duartrokitje nga pjesëmarrësit e pranishëm. Fillimisht u falënderuan mësuese dhe mësues, për punën e tyre në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Të pranishëm ishin mbi 90% e tyre, si dhe mysafirët e pranishëm nga MASHT të Republikës së Kosovës Z. Nuhi Gashi, Zv.Ambasadori në Bernë Z. Mustafë Xhemajli, përfaqësuesi i Ministrisë së Mërgatës dhe Z. Imer Avdiu.

Që në fillim Hamzë Morina, kryetar i LAPSH, falënderoi me mirënjohje Arsim Hyseni, për ndihmën e dhënë me mjete materiale në vazhdimësi, (vetëm gjatë vitit 2012 ndihmoi me 5000 Fr)për organizimet e LAPSH në fushën e arsimit dhe kulturës gjuhësore, si dhe Adem Osmanin për ndihmën prej 2000 Fr. dhe përkrahjen e vazhdueshme materiale LAPSH.

Një falënderim iu bë veprimtarit veteran të LAPSH në Zvicër, Femzi Braha, për punën e bërë në organizimin e MPSHSH në Zvicër që nga fillimi, ishte dhe hartuesi i teksteve të para në bashkëpunim me mikun e madh zvicëran të shqiptarëve në përgjithësi dhe të LAPSH në veçanti profesorin e nderuar Prof.Dr.Basil Schader. Me këtë rast ishte hap edhe një ekspozitë e gazetarit Rexhep Rifati , me foto nga mësimi plotësues shqip në Zvicër.

Rrjedha e Kuvendit sipas programit ishte e natyrshme, ku shumica e përfaqësuesve pjesëmarrës, nga kantonet, ku ka pika shkollore ku zhvillohet MPSHSH. Gjatë bashkëbisedimeve, rreth raportit të punës, paraqitur nga kryetari-(koordinatori) i LAPSH”NaimFrashëri” në Zvicër, Hamzë Morina, i cili në fjalimin e tij përmbledhës, ishte vetëkritik, për punën e tij në pamundësi për ta institucionalizuar MPSHSH në Zvicër, sipas kërkesave të vazhdueshme të tija, që institucionet përgjegjëse shtetërore të Republikës së Kosovës të marrin si shtet përsipër organizimin dhe financimin e LAPSH, në bashkërenditje të veprimeve me LAPSH edhe institucionet përkatëse të shtetit Zviceran.

Uji Dea

Përfaqësuesit përgjegjës të kantoneve dhe delegatët(Agim Paçarizi, Ismet Kurtishi, Ali Mehmeti,K.Gjenevë, Isni Idrizi K.Vaud, Vaxhid Sejdiu e Afrim Rexhepi K.St.Galen dhe Glarus) etj,që u paraqiten me propozime,vërejtje dhe idetë e tyre, lidhur me gjendjen material të mësimdhënësve në përgjithësi, organizimin e punës,dokumentacionin, pedagogjik, mësimdhënien dhe mësimnxënien, ishin të arsyesh me si kërkesa, ku kishte edhe përgjigje, propozime, kritika apo lavdrime, që kishin qëllimin e mire lidhur me punën dhe organizimin sa më të mirë të mundshëm të SHSHMP në Zvicër në kuadër të LAPSH“ Naim Frashëri“.

Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të R. së Kosovës me fjalimet e tyre lavdëruan punën e LAPSH” Naim Frashëri” në Zvicër, dhe paraqiten pikëpamjet dhe vlerësimet e tyre në këtë drejtim, bashkëpunimin e ndërsjellë dhe premtime për të ndihmuar në të gjitha drejtimet e mundshme. Zëvendës ambasadori në Bernë i Kosovës, Mustafë Xhemaili, në fjalimin e tij, falënderoj mësimdhënësit për punën e tyre dhe premtoj mbështetje institucionale dhe bashkëpunim të ndërsjellë, por që barra kryesore dhe puna i bie LAPSH, të cilën e ka krye më tepër se 20 vite dhe vazhdon ta kryen, për të mirën e fëmijëve tanë. Përfaqësuesi nga MASHT z Nuhi Gashi përshëndeti Kuvendin dhe në veçanti falënderoi mësimdhënësit për punën që bëjnë në mësimin dhe ruajtjen e gjuhës si dhe për bashkëpunimin profesional që kemi pasur dhe kemi në vazhdimësi përmes seminareve, takimeve dhe organizimeve të ndryshme. Jemi në përpjekje për ta nxjerr një dokumenti, që shkolla shqipe jashtë atdheut, të pranohet dhe njihet si shkollë kombëtare. Është arritur të botohen tekstet për tri nivelet(I-II dhe i -III-të) dhe do shpërndahen vitin e ri shkollor. Përfaqësuesi nga Ministria e Mërgatës, Imer Avdiu, foli për shpërndarjen e teksteve nga kjo ministri dhe organizimin e kampeve shkollore verore në atdhe për fëmijët nga mërgata. Premtoi bashkëpunim të ndërsjellë dhe përkrahje dhe ndihmë nga ministria që përfaqëson.

Ndërkaq, Hamzë Morina, dha sqarime lidhur me raportin e punës të dërguar përmes postës elektronike te përgjegjësit e kantoneve dhe delegatët e këtij kuvendi , tha se lidhur me te s`ka arritur asnjë vërejtje apo plotësim, duke shtuar se :”… s`pari të jem kritik ndaj vetvetes, nga se s`kam mundur ta jetësoj qëllimin gjatë kohës sa kam pasur këtë detyrë si kryetar-koordinator i LAPSH. Kam shpresuar që gjatë mandatit do ta përjetoj institucionalizimin e Shkollës shqipe, por kjo nuk u arrit. Kemi një zhgënjim, një rënie të nxënësve, gati ka mbetur vetëm simbolike. Ne besuam se puna jonë vullnetare të shpërblehet me financimin së paku do duhej të paguhej puna e koordinatorit sepse puna pa pagesë, puna falas, e humb kuptimin dikur. Këtë punë duhet ta bëjë shteti! Të krijohet një marrëveshje ndërshtetërore mes dy shteteve Kosovë–Zvicër, të bisedohet për mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Është folur për mësimin e integruar në dy kantonet Basel Sh. dhe Lucerni por që mungon bashkëpunimi me LAPSH-in.

Lidhur me raportin, që shkurtimisht paraqiti Hamzë Morina, u zhvillua një bashkëbisedim i ndërsjellët me pyetje dhe përgjigje nga folësit e paraqitur, ku secili përpiqej t`i mbrojë thëniet dhe qëndrimet e tija, por në thelb kishin qëllimin e mirë për një organizim më të mirë, ku disa jepnin shpresa dhe kërkonin organizim nga vet LAPSH, ndërsa pat edhe nga ata që kjo shihej me dyshime nga përvoja e së kaluarës nga se ka pasur fjalë dhe premtime të vazhdueshme për përkrahje institucionale financiarisht, nga institucionet përgjegjëse shtetërore të Republikës së Kosovës, që deri më tani s`është bërë asgjë në këtë drejtim. Lidhur me numrin e nxënësve dhe paraqitjen e shënimeve pasqyrimin sipas kantoneve numrin e nxënësve, dha vërejtje, Vaxhid Sejdiu, përfaqësues i kantonit St.GalLen dhe në vazhdim paraqiti kërkesën, që të zgjidhet një grup pune dhe të shtyhet zgjedhja e kryetarit deri në shtator.

Kryetar gjegjësisht koordinator i ri LAPSH, u zgjodh Nexhat Maloku, përfaqësues i Cyrihut, pasi që asnjëri nga kandidatët e propozuar nuk e pranoi këtë post.

Në fjalën e tij, ai falënderoi të pranishmit dhe premtoi për një bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë me të gjithë përfaqësuesit e kantoneve për të bërë përpjekje dhe hulumtuar gjitha mundësit për të përmirësuar gjendjen lidhur me përfshirjen e sa më shumë nxënësve, mundësit për organizimin dhe hulumtimin e burimeve financiare aq sa është e mundur nga prindërit, donatorët dhe bashkëpunimin me organet vendore të shtetit Zviceran e që ka mundësi për të ndihmuar sepse edhe janë duke e ndihmuar në disa kantone si Cyrih, Gjenevë etj.